
Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë shënuar një rritje të fortë mëngjesin e së hënës në tregjet aziatike, të ndikuara nga përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Reagimi i tregjeve erdhi pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili njoftoi se SHBA-të kanë ndaluar dhe sekuestruar një anije mallrash me flamur iranian, duke shtuar shqetësimet për një përplasje të mundshme në rajon.
Situata u bë edhe më e tensionuar pasi autoritetet iraniane paralajmëruan mbylljen e Ngushticës së Hormuzit për anijet tregtare, duke theksuar se çdo mjet që i afrohet zonës mund të konsiderohet objektiv.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kontratat e ardhshme të naftës Brent u rritën me 4.74%, duke arritur në 94.66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 5.6%, duke shkuar në 88.55 dollarë për fuçi./Versus.al


