
Sot në Paris u mbajt parada ushtarake për festën kombëtare të 14 korrikut që festohet që prej vitit 1880.
Pjesë e paradës ushtarake ishin edhe forcat e ushtrisë shqiptare të cilat u shfaqën në rresht të parë duke mbajtur flamurin kuqezi. Pamjet u publikuan në rrjetin social të kryeministrit Edi Rama.
Data e sotme për popullin francez kujton marrjen e famshme të Bastiljes në 1789, ku populli francez shfuqizoi në mënyrë simbolike monarkinë duke sulmuar këtë kështjellë, e cila në atë kohë shërbente si burg. Një vit më pas, më 14 korrik 1790, Asambleja Kushtetuese, e cila qeveriste Francën, vendosi të organizojë një mbledhje kombëtare në Paris për të përkujtuar këtë ngjarje, e cila u kthye në festën e Federatës. Për herë të parë në historinë franceze, 100,000 njerëz nga i gjithë vendi u mblodhën në “Champ-de-Mars” për të festuar idealet e Revolucionit.
Data 14 Korrik simbolizon triumfin e Revolucionit Francez mbi monarkinë dhe lidhet me marrjen e kështjellës së Bastijes. Kjo ditë e shënuar për popullin francez u aprovua si festë nacionale në vitin 1880. Nga ky vit, kjo datë vazhdon të festohet në mënyrë madhështore. Përmes Festës Kombëtare, Franca rigjallëron krenarinë për unitetit kombëtar. Versus.al

