Kur Donald Trump deklaroi në janar se një “armatë” amerikane po shkonte drejt Iranit, ai e krahasoi atë me operacionin e shpejtë të SHBA-ve në Venezuela për kapjen e presidentit Nicolas Maduro.
Por ndërsa Uashingtoni po shqyrton skenarë të rinj ushtarakë, analistët thonë se një ndërhyrje kundër Teheranit do të ishte shumë më e ndërlikuar dhe potencialisht e gjatë.
Sipas ekspertëve që folën për The New York Times, udhëheqja iraniane ka aftësi të mëdha ushtarake dhe një rrjet aleatësh rajonalë që mund të përshkallëzojnë konfliktin. Analisti Ali Vaez nga International Crisis Group paralajmëroi se “nuk ka opsion ushtarak të lehtë” dhe se ekziston rrezik real për humbje jetësh amerikane.
Ndryshe nga operacioni i shpejtë në Karakas, Irani zotëron një nga arsenalet më të mëdha raketore në rajon, me raketa që mund të godasin objektiva deri në 1,900 km, përfshirë bazat amerikane dhe territore si Izrael. Media shtetërore iraniane raportoi edhe testimin e një rakete kundërajrore detare me rreze rreth 150 km.
Analistja Sanam Vakil nga Chatham House thotë se strategjia e Teheranit është të përshkallëzojë konfliktin në disa fronte për të shpërndarë kostot dhe presionin ndaj kundërshtarëve.
Rreziku i përhapjes rajonale
Irani mbështet grupe aleate si Hezbollah dhe rebelët Huthitët, të cilët mund të sulmojnë interesa amerikane ose aleate në rajon. Edhe pse disa prej tyre janë dobësuar nga përplasjet me Izraelin, ata ende mund të hapin fronte të reja. Ndryshe nga Venezuela, ku SHBA arritën një operacion të shpejtë, struktura e pushtetit në Iran konsiderohet shumë më e qëndrueshme. Udhëheqësi suprem Ali Khamenei mbështetet nga Garda Revolucionare dhe një aparat politik e ideologjik i ndërtuar prej dekadash. Ekspertët thonë se nuk është e qartë nëse ekziston një figurë tranzicioni si Delcy Rodríguez në rast ndryshimi regjimi.
Një përplasje mund të ketë ndikim të madh në tregjet energjetike. Irani ka kërcënuar të mbyllë Ngushtica e Hormuzit, një rrugë detare ku kalon rreth një e pesta e naftës botërore. Sipas Claire Jungman nga kompania Vortexa, çdo ndërprerje do të rriste ndjeshëm çmimet globale të energjisë.
Ekspertët përfundojnë se, ndryshe nga operacionet e shpejta të së kaluarës, çdo veprim ushtarak kundër Iranit ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal me pasoja të gjera politike, ushtarake dhe ekonomike.

