Departamenti i Shtetit i SHBA ka nxjerrë udhëzime të reja për procesin e vizave, të cilat pritet të ndikojnë drejtpërdrejt tek aplikantët për viza jo-emigruese.
Sipas raportimit të The Washington Post, një kabllogram i brendshëm u kërkon zyrtarëve konsullorë që t’u drejtojnë aplikantëve dy pyetje të ndjeshme: nëse kanë përjetuar keqtrajtim në vendin e origjinës apo në vendbanimin e fundit dhe nëse kanë frikë të kthehen atje.
Sipas të njëjtit burim, aplikantët duhet të deklarojnë se nuk kanë frikë nga keqtrajtimi dhe se janë të gatshëm të kthehen në vendin e tyre, pasi në të kundërt mund të përballen me refuzim të vizës. Kjo masë vjen në një kohë kur administrata e Donald Trump synon të kufizojë më tej hyrjen e azilkërkuesve potencialë në Shtetet e Bashkuara.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit theksoi se zyrtarët konsullorë përbëjnë “vijën e parë të mbrojtjes për sigurinë kombëtare të SHBA-së”, duke shtuar se përdoren të gjitha mjetet për të verifikuar nëse aplikantët plotësojnë kriteret ligjore.
Ndërkohë, ekspertja e politikave të emigracionit, Camille Mackler, paralajmëroi se rregullat e reja mund t’i vendosin aplikantët në situata të vështira, duke i detyruar të japin përgjigje që mund të ndikojnë në sigurinë e tyre dhe të familjes.
Udhëzimet prekin vizat për turistë, studentë dhe punëtorë të përkohshëm, ndërsa kujtohet se në janar SHBA kishte pezulluar përpunimin e vizave të emigracionit për 75 vende./ Versus.al

