BOTA /

VIDEO/ Prej një viti në kërkim, vetëdorëzohet ish-zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Artan Grubi

Artan Grubi, u paraqit vullnetarisht mëngjesin e sotëm në pikën kufitare Bllacë me Kosovën, ku u arrestua menjëherë pasi ndaj tij ishte në fuqi masa “arresto”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Shkruar nga Versus
VIDEO/ Prej një viti në kërkim, vetëdorëzohet
Artan Grubi

Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është vetëdorëzuar në pikën kufitare të Bllacës me Kosovën, pasi prej dhjetorit 2024 ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ai dyshohet për keqpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik në një çështje që lidhet me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore.

Sipas njoftimit zyrtar, Grubi u paraqit vullnetarisht në hyrje të vendit rreth orës 06:10 dhe u arrestua menjëherë në bazë të masës “arresto”.

Autoritetet bëjnë të ditur se ai u privua nga liria për procedura të mëtejshme ligjore.

Hetimet, sipas organeve të ndjekjes, lidhen me vendime dhe kontrata që dyshohet se i kanë shkaktuar institucionit dëme financiare të konsiderueshme, të përllogaritura rreth 500 milionë denarë (mbi 8 milionë euro), ndërsa pretendohet se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

Më herët, gjykata kishte caktuar masë paraburgimi ndaj tij për shkak të mosparaqitjes para drejtësisë.

/Versus.al

 

 

 

Poll