
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen dënoi sulmet e Iranit kundrejt vendeve fqinje ku synoi goditjen e bazave amerikane. Ajo tha se tanimë ka një shpresë për popullin Iranian për ndryshimin e qeverisjes.
“Situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme. Por tre gjëra janë të qarta:
Së pari, ka një shpresë të re për popullin e Iranit që ka vuajtur shumë.
Ne e mbështesim fuqimisht të drejtën e tyre për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
Së dyti, ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ulur tensionet dhe për të ndaluar përhapjen e konfliktit.
Irani duhet të ndërpresë sulmet e tij të pamatura dhe pa dallim ndaj fqinjëve dhe vendeve sovrane. Së treti, stabiliteti i rajonit është me rëndësi të madhe. E vetmja zgjidhje e qëndrueshme është ajo diplomatike.
Kjo do të thotë një tranzicion i besueshëm për Iranin, i cili përfshin ndalimin e programeve bërthamore dhe balistike, si dhe fundin e veprimeve destabilizuese në rajon.
Së fundmi, do të diskutojmë situatën e përgjithshme në takimin e Kolegjit të Sigurisë. Sepse nga energjia te armët bërthamore, nga migrimi te siguria, Evropa duhet të jetë e përgatitur për pasojat e ngjarjeve të fundit.”- shkroi ajo në rrjetin social X. Versus.al

