
Një buall nga Bangladeshi, me nuanca të arta në qime dhe lëkurë rozë, është kthyer në një fenomen viral në rrjetet sociale, për shkak të ngjashmërisë së tij të çuditshme me presidentin amerikan Donald Trump.
Kafsha, e cila peshon rreth 700 kilogramë, është quajtur “Donald Trump” nga pronarët e fermës, pasi vëllai i vogël i fermerit vuri re një tufë qimesh në kokën e tij që i kujtonte modelin e flokëve të presidentit amerikan.

Sipas pronarit të fermës, Ziauddin Mridha, bualli është blerë rreth dhjetë muaj më parë në një treg bagëtish. Që nga publikimi i fotove në Facebook, ai është kthyer në një atraksion të vërtetë, duke tërhequr dhjetëra vizitorë që shkojnë për ta parë, fotografuar dhe përkëdhelur.

“Kur pashë fotot e tij në Facebook, mendova se dukej tamam si Donald Trump. Edhe tiparet dhe modeli i flokëve i ngjajnë shumë,” ka thënë një vizitor për gazetën Prothom Alo. Megjithatë, ai shtoi me humor se “bualli është shumë i qetë dhe i bindur, gjë që nuk mund të thuhet për Trumpin.”
Një tjetër vizitor fillimisht mendoi se krahasimi ishte i ekzagjeruar, por pasi e pa nga afër ndryshoi mendim: “Është e vërtetë, ngjashmëria është e habitshme. Emri i shkon shumë.”
Ferma ku ndodhet bualli është bërë e njohur edhe për një tjetër “figurë botërore” të ngjashme – një buall albino agresiv, i quajtur nga vizitorët “Benjamin Netanyahu”, për shkak të pamjes dhe sjelljes së tij më të ashpër. Punonjësit e fermës thonë me humor se kafsha është “e zgjuar dhe e pabindur”, dhe shpesh reagon me agresivitet kur ushqehet.

Me afrimin e festës islame të Kurban Bajramit, “Donald Trump” pritet të sakrifikohet, ndërsa është shitur me një çmim rreth 3.85 euro për kilogram. Kafsha do t’i dorëzohet pronarit të ri gjatë javës së ardhshme. Në fermë mbahen gjithsej gjashtë buaj albino, të cilët kujdesen në mënyrë të veçantë, duke u larë deri në katër herë në ditë.

