Tre shtetas të shpallur në kërkim janë arrestuar nga Policia Kufitare e Rinasit, gjatë tentativës për të hyrë në Shqipëri.
Kontrolli i shtuar i policisë ka bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e tyre, duke goditur paligjshmërinë dhe kapur personat në kërkim.
Mes të arrestuarve, njëri rezulton i dënuar me 13 vite e 4 muaj burg.
Operacioni u realizua pas analizës së riskut, intervistimeve të thelluara, verifikimeve të dokumenteve të udhëtimit dhe shkëmbimit të informacionit me partnerët ndërkombëtarë.
Personat e ndaluar janë:
Denis Xhelili, 41 vjeç, banues në Vlorë. I kthyer në kategorinë “Deportiv” nga Mbretëria e Bashkuar, Xhelili rezulton i dënuar nga Gjykata e Kurorës Luton–Chichester me 13 vjet e 4 muaj burg për “Komplot për furnizim me drogë të klasit A” dhe “Komplot për shmangie të ndalimit të importimit të drogës së klasit A”. Vendimi u njësua nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë.
V. S., 38 vjeç, banues në Tiranë. Ndaluar në hyrje nga Belgjika, rezulton i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 2 vite e 4 muaj burg për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
M. M., banues në Korçë. Dënimi i tij për “Kalim të paligjshëm të kufirit” u konvertua nga gjobë në burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor.
Pas intervistimeve, tre shtetasit iu dorëzuan për veprime të mëtejshme Drejtive Vendore të Policisë në Vlorë, Tiranë dhe Korçë./Versus.al
