EKONOMI & MJEDIS /

Euro në rënie të lirë, Banka e Shqipërisë ruan 6.7 miliardë euro në rezerva

Vitin e kaluar, Banka realizoi blerje rekord në tregun valutor vendas, duke arritur në 933 milionë euro, me një rritje prej 249% në krahasim me vitin 2023.

Shkruar nga Versus

 

Euro në rënie të lirë, Banka e Shqipërisë ruan 6.7

Rezerva valutore e Shqipërisë ka vijuar rritjen gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit qershor, vlera totale e mjeteve valutore arriti në 6.727 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 7.4% krahasuar me fundin e vitit 2024 dhe 22% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Një nga faktorët kryesorë që ndikoi në këtë rritje ishte emetimi i Eurobondit të ri nga Qeveria Shqiptare në muajin shkurt, me një vlerë prej 650 milionë eurosh. Megjithatë, rritja e rezervës valutore ka vazhduar edhe përtej këtij momenti, sidomos gjatë tremujorit të dytë të vitit, e ndikuar nga blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm.

Përballë presioneve të vazhdueshme mbiçmuese mbi monedhën vendase (lekun), Banka Qendrore ka intensifikuar blerjet valutore me qëllim stabilizimin e kursit Euro-Lek dhe ruajtjen e balancës në tregun valutor. Në kuadër të këtij qëllimi, institucioni ka vijuar zbatimin e programit të ankandeve valutore.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, janë zhvilluar tre ankande, ku janë blerë gjithsej 33.2 milionë euro, me një mesatare prej 11.07 milionë euro për ankand. Kjo shifër është e ngjashme me periudhën përkatëse të vitit të kaluar (32.6 milionë euro), por evidentohet një pjesëmarrje disi më e ulët e bankave, që sipas Bankës lidhet me faktorë sezonalë.

Edhe pse të dhënat për tremujorin e dytë ende nuk janë publikuar zyrtarisht, besohet se shumat e blera në tregun e brendshëm janë rritur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe. Banka e Shqipërisë ka shpallur si objektiv për vitin 2025 blerjen e 270–350 milionë eurove përmes ankandeve, një rritje me 20 milionë euro në krahasim me objektivin e vitit 2024.

Vitin e kaluar, Banka realizoi blerje rekord në tregun valutor vendas, duke arritur në 933 milionë euro, me një rritje prej 249% në krahasim me vitin 2023.

Në përbërjen e rezervës, deri në mesin e vitit 2025, titujt e borxhit përbënin 73%, depozitat në cash 18%, ndërsa pjesa tjetër ishte investuar në ar dhe të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Rezerva valutore është një instrument kyç për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, pasi shërben si mburojë ndaj goditjeve të mundshme të jashtme, përfshirë deficitin e llogarisë korrente dhe nivelin e lartë të euroizimit në sektorin financiar. /Versus.al

Tags:

euro

Poll