EKONOMI & MJEDIS /

Kafenetë plot, koncerte dhe çmime të lira, turistët zbulojnë një Shqipëri tjetër

Shkruar nga Versus

Kafenetë plot, koncerte dhe çmime të lira, turistët

Nga Kalaja e Tiranës dhe Xhamia e Namazgjasë, te koncertet elektro, deri te rrugicat me kafene të mbushura në çdo orë të ditës, Shqipëria po kthehet në një magnet për turistët e huaj.

Vizitorët e huaj, veçanërisht ata nga Europa, po joshen jo vetëm nga natyra e bukur, bregdeti dhe çmimet e përballueshme, por edhe nga atmosfera e gjallë urbane, kultura e kafesë që shihet në çdo cep të qytetit, festivalet muzikore që mbushin netët e verës dhe qytetet historike që ofron Shqipëria si destinacion.

Guidat turistike vërejnë një rritje të interesit për qytetet me trashëgimi historike dhe kulturore si Kruja, Apolonia, Berati dhe Gjirokastra, që përfaqësojnë identitetin kulturor shqiptar.

“Turistët janë gjithnjë e më të interesuar për vende me histori dhe identitet të fortë kulturor,” thotë Emiliano, një guidë që shoqëron grupe nga Polonia.

Sipas tij, destinacionet që përfshihen në listën e UNESCO-s janë ndër më të kërkuarat por përtej rrugëve me gurë dhe muzeve historike, Shqipëria po tërheq gjithashtu një publik më të ri përmes ngjarjeve kulturore dhe festivaleve muzikore. “Në vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i turistëve që vijnë për koncertet elektronike, sidomos në zonën e Jugut,” thekson Emiliano.

Tirana, si hyrja kryesore për turistët në Shqipëri, i befason ata me gjallërinë e saj. “Turistët habiten kur shohin që kafenetë janë plot çdo ditë të javës,” tregon Fatjoni, që punon me grupe nga Gjermania. Ai thotë se kjo mënyrë jetese është ajo që u mbetet më shumë në mendje vizitorëve.

Një aspekt i veçantë që po theksohet gjithnjë e më shumë është mënyra se si turistët, veçanërisht ata nga Gjermania, po planifikojnë udhëtimet e tyre. “Gjithnjë e më shumë gjermanë vijnë me një buxhet të caktuar dhe përpiqen të mos e kalojnë,” thotë Fatjoni. Ky trend tregon se vendi ynë po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion i preferuar për ata që kërkojnë përvoja të shkëlqyera pa shpenzuar shumë. Sidoqoftë, ata janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë nëse ndodhin të përballen me një përvojë shumë të veçantë që justifikon shpenzimet e mëtejshme.

Frank, një turist nga Gjermania, po viziton për herë të parë vendin tonë. Edhe pse ka vetëm dy ditë në Tiranë, ai është shumë i surprizuar nga zhvillimi që paraqet kryeqyteti. “Kam vetëm dy ditë këtu dhe planifikoj të qëndroj edhe dy të tjera. Tirana më ka habitur vërtet, është shumë ndryshe nga ajo që më kishin përshkruar. Qendra është e mbushur me kulla, ka lëvizje kudo dhe një ndjesi moderne që më kujton qytetet e SHBA-së, madje fiks si vetë Frankfurti ynë,” – thotë ai me të qeshur.

Rritje e vëmendjes është vënë re edhe nga vende më të largëta, si Meksika. “Kam vënë re që çdo vit shtohen grupet nga Meksika. Edhe pse vijnë për të vizituar Ballkanin, ata mbeten më të impresionuar nga Shqipëria, pasi është shumë më ndryshe nga ç’e kishin imagjinuar. Tirana u duket një qytet i zhvilluar, shumë i organizuar dhe me çmime të përballueshme,” shprehet Ilalia, një guidë që udhëheq turistë nga Amerika Latine.

Çmimet në Shqipëri kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, por ato mbeten ende më të ulëta në krahasim me destinacionet e tjera turistike.

Dona, një vizitore nga Italia, e cila kthehet çdo vit me bashkëshortin, thotë: “Të paktën një herë në vit, zgjedhim të vizitojmë një qytet të ri në Shqipëri, por jugu mbetet i preferuari im. Ushqimi, natyra dhe deti janë të pakrahasueshme.” Ajo thekson se, edhe pse çmimet janë rritur, ato janë ende të përballueshme krahasuar me vendet e tjera turistike.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë janar-marsit në Shqipëri kanë hyrë rreth 1.6 milionë shtetas të huaj me rritje rreth 5% me bazë vjetore, ndërsa për vitin 2024 numri total i hyrjeve të shtetasve të huaj arriti në një rekord 11.7 milionë.

Secilia, një vizitore nga Spanja, ndan përvojën e saj gjatë udhëtimit në Shqipëri. Ajo tregon për Monitor se: “Është një vend pak kaotik, por është një kaos që e shijoj, më ngjan me Spanjën. Natyra këtu është e mrekullueshme, por ajo që e diferencon është historia e veçantë, si dhe mikpritja e shqiptarëve.” Sipas Secilias, Shqipëria ofron një atmosferë unike, që i bën vizitorët të ndihen të mirëpritur dhe të lidhur me kulturën lokale./ Monitor.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: