EKONOMI & MJEDIS /

Kompanitë telefonike në Shqipëri me probleme, del raporti: 50% e kërkesave janë refuzuar, ndërrimi i operatorit të numrave celularë ende ‘pa zgjidhje’

Të dhënat e AKEP tregojnë gjithashtu se shkalla e refuzimit të kërkesave të abonentëve për portabilitet numri ngelet mjaft e lartë. Për vitin 2024, rreth 50% e këtyre kërkesave u refuzuan.

Shkruar nga Versus

Kompanitë telefonike në Shqipëri me probleme, del raporti: 50% e

Portabiliteti i numrave celularë arriti nivelin më të ulët historik vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), gjatë vitit 2024 u portuan afërsisht 19500 numra celularë, 50% më pak krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e AKEP tregojnë gjithashtu se shkalla e refuzimit të kërkesave të abonentëve për portabilitet numri ngelet mjaft e lartë. Për vitin 2024, rreth 50% e këtyre kërkesave u refuzuan.

Shkalla e refuzimit të kërkesave ka pësuar rënie nga niveli prej gati 70% të një viti më parë, por, pavarësisht kësaj, procesi vazhdon të ketë problematika.

Sipas AKEP, problematikat e raportuara në ankesat e pajtimtarëve lidhen me refuzimet e kërkesave për portim të numrit nga operatori transferues, për arsye të mospërputhjes së ID së përdoruesve me parapagim në sistemet e operatorit transferues me ID në kërkesën për portim të dërguar nga operatori përfitues, si edhe detyrimeve kontraktore të pajtimtarit me paspagim (kontratë) tek operatori transferues.

Megjithatë, AKEP shprehet se numri i ankesave për portimin e numrit është reduktuar ndjeshëm në krahasim me vitin 2023.

Portimi i numrave për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike të lëvizshme filloi në vitin 2011, ndërsa për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike fikse filloi në vitin 2012. Deri në fund të vitit 2024 rezulton se janë portuar në total rreth 1.3 milionë numra celularë dhe rreth 20 mijë numra fiks.

Sasia e numrave celularë të portuar gjatë një viti në periudhën 2011-2024 ka qenë rreth 100 mijë portime në vit dhe pas arritjes së pikut në vitin 2017 (mbi 250 mijë portime), ka ardhur në rënie, përveç periudhës 2020-2021 ku sasia e numrave celularë të portuar u rrit më shumë se dy herë në krahasim me vitin 2019.

Për sa i përket problematikave në lidhje me refuzimin e kërkesave për portim të numrit nga operatori dhënës celular, AKEP bën të ditur se gjatë vitit 2024 ka punuar për draftimin e ndryshimeve në rregulloren, “Për mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit”, ndryshime të cilat përfshijnë vendosjen e detyrimeve për operatorin dhënës të numrit celular për komunikimin dhe informimin e pajtimtarit në lidhje me arsyen e refuzimit të kërkesës për portim, si dhe përcaktimet e reja ligjore të lidhura me portabilitetin e numrit, të cilat përfshijnë disa ndryshime të rëndësishme në lidhje me të drejtën e portimit të numrit për konsumatorët.

Ligji i ri për komunikimet elektronike parashikon gjobë deri në 2% të të ardhurave vjetore (por jo më shumë se 50 milionë lekë) të operatorit të komunikimeve elektronike, nëse ai nuk përmbush detyrimet ligjore të vendosura për portabilitetin e numrave. /Monitor.al

Tags:

akep raport

Poll