Sektori i udhëtimeve dhe turizmit në Shqipëri është në një trajektore të fortë rritjeje, duke tejkaluar nivelet para pandemisë.
Sipas raportit të fundit të World Travel & Tourism Council (WTTC), turizmi pritet të kontribuojë me 685.3 miliardë lekë (rreth 7.3 miliardë USD) në ekonominë shqiptare gjatë vitit 2025 – një rritje me 52.8% krahasuar me vitin 2019.
Ky sektor përfaqëson tashmë 26.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 20.6% që ishte pesha në vitin 2019 (4.6 miliardë dollarë). Të dhënat tregojnë që turizmi është rritur me ritme shumë më të shpejta sesa ekonomia, duke u zgjeruar me 52.8% nga 2019-a, përkundrejt 3.6% që është ndryshimi për gjithë ekonominë për të njëjtën periudhë.
“Me mbi 80% të shpenzimeve në turizëm që vijnë nga vizitorët ndërkombëtarë dhe mbi 90% të udhëtimeve që realizohen për qëllime çlodhjeje, Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më shumë si një destinacion i rëndësishëm turistik në Europë”, theksohet në raport.
Ndonëse rritja në raport me madhësinë e ekonomisë është e fortë, efekti në punësim nuk është aq i lartë. Në vitin 2019, udhëtimi dhe turizmi kontribuuan në krijimin e 250.8 mijë vendeve të punës, ose 19.9% të totalit. Në vitin 2024, ky sektori gjeneroi 269.2 mijë vende pune, ose vetëm 18 mijë vende pune të shtuara, që përbëjnë 20.4% të totalit.
Për vitin 2025, kontributi i turizmit pritet të jetë në të njëjtat nivele, 26.4% e PBB-së (7.3 miliardë dollarë), ndërsa numri i vendeve të punës pritet të rritet në 274 mijë, ose 21% e totalit.
Pesha në ekonomi pritet të ngadalësohet në dekadën në vijim
Teksa turizmi në vend është në ditët e tij më të mira, WTTC pret një ngadalësim të tij në dekadën e ardhshme, në raport me madhësinë e ekonomisë. Në vitin 2035, kontributi i turizmit dhe udhëtimeve në ekonomi prite të bjerë në 23.9% të PBB-së (8.6 miliardë dollarë), ndërsa pritet të shtohen edhe 30 mijë vende të tjera pune (26% e totalit).
WTTC është i vetmi që jep një vlerësim të ndikimit të sektorit të udhëtimeve dhe turizmit në prodhimin e brendshëm bruto, teksa INSTAT nuk e raporton si të plotë këtë sektor, por jep vlerësim vetëm të “akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që ka arritur në rreth 4% të PBB-së deri në fund të vitit 2023. Monitor.al

Kredia konsumatore në zgjerim të shpejtë, 28% më shumë për tremujor



Kredia për shtëpi u rrit me 23% për tremujorin e parë të vitit


Një parkim sa një shtëpi, biznesi “i artë” në Tiranë

