EKONOMI & MJEDIS /

Lufta në Lindjen e Mesme çon në 198 lekë çmimin e naftës në Shqipëri, qeveria ngre grup monitorimi

Shkruar nga Versus

Lufta në Lindjen e Mesme çon në 198 lekë çmimin e

Lufta në Lindjen e Mesme ka sjellë si pasojë rritjen e menjëhershme të çmimit të karburanteve në Shqipëri. Ndërkohë që në vendet e tjera të rajonit, janë marrë masa për të kufizuar shtrenjtimin e karburantit, në Shqipëri nuk ka ende masa konkrete.

Ditën e sotme çmimi i naftës në Shqipëri ka shkuar në 198 lekë për litër, duke u shtrenjtuar me 25 lekë që prej 4 marsit kur u bë rritja e parë e çmimit.

Megjithatë ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj së bashku me ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçin zhvilluan një takim me kompanitë kryesore të sektorit të hidrokarbureve.

Në takim u diskutua ecuria e çmimeve në bursën Platts të Mesdheut si referencë për naftën dhe benzinën. Në përfundim u ndërmorën këto masa nga ana e Ekonomisë dhe Inovacionit:

-ngritja e një mekanizmi të përditshëm të monitorimit të çmimeve të hidrokarbureve në tregun shqiptar;

-analizimi periodic i raportit mes çmimeve të bursës Platts, çmimeve të importit dhe çmimeve të shitjes në treg;

-koordinimi i vazhdueshëm me operatorët e tregut dhe Shoqatën e Hidrokarbureve për të garantuar transparencë dhe stabilitet në treg;

-Informimi periodik i publikut mbi zhvillimet e çmimeve dhe faktorët që ndikojnë në to.

Ndërkohë, ditën e djeshme Kroacia njoftoi kufirin e vendosur për naftën e cila do të shitet jo më shumë se 1.55 euro, shifër e cila në lekë përkthehet në 149 lekë për litër, maksimumi. Versus.al

Poll