
Prej ditës së enjte (më 4 Mars 2026) nuk është ndalur rritja e çmimit të naftës në tregun vendas të shitjeve me pakicë, për shkak të ndryshimeve të shpejtë që po pëson çmimi në bursat e huaja.
Pas nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës në tregun e pakicës kanë ndryshuar 3 herë, duke arritur sot për disa pika në Tiranë në nivelin e 189 lekë për litër. Krahasuar me çmimin para nisjes së sulmeve, nafta deri tani është rritur 14 lekë për litër.
Nga një vëzhgim “Monitor” sot rezulton se në disa pika me pakicë çmimi është rritur sërish 7 lekë për litër. Nga 182 lekë që ishte ditën e premte (6 Mars), çmimi i naftës arrin në nivelin e 189 lekë për litër.
Çmimi i rritur në Tiranë është regjistruar në pikën e kompanisë “Elda” pranë zonë së Oxhakut, ku nafta ka arritur 189 lekë për litër.
Rritje për disa pika pakice është shënuar edhe për çmimin e benzinës. Në një nga pikat e kompanisë “Coral” pranë “Casa Italia”, çmimi i benzinës ka arritur 186 lekë për litër. Ndërsa nafta është tregtuar me 181 lekë për litër.
Çmimet e kompanisë “Gega” në një pikat e saj pranë Tregut Ushqimor tregojnë se çmimi i naftës është 182 lekë për litër dhe ka mbetur i pandryshuar nga çmimi i ditës së premte ( 6 Mars).
Çmimet rezultojnë të pandryshuara edhe përgjatë autostradës. Në një nga pikat e kompanisë “Kastrati” në Vorë çmimi i naftës është 182 lekë për litër.
Kompania “Alpet” në një nga pikat e saj pranë rrugës dytësore të autostradës rezulton me çmim të pandryshuar prej 182 lekë për litër.
Rritja e çmimit të naftës në tregun e pakicës nisi prej 4 Marsit, me 4 lekë për litër. Nga 175 lekë çmimi arriti në 179 lekë për litër.
Çmimi prej 175 lekë për litër kishte mbetur i pandryshuar prej muajit tetor 2024.
Me tej më 6 Mars çmimi u rrit sërish me 3 lekë duke arritur në 182 lekë për litër.
Rritja e sotme e çmimeve në tregun e pakicës vjen menjëherë pas ndryshimeve që në mbrëmjen e djeshme pësoi çmimi i naftës në bursat e huaja duke arritur në nivelin e 100 USD për fuçi. Ndërsa mëngjesin e sotëm çmimi arriti në 103 USD për fuçi.
Para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, nafta në bursë tregtohej me çmim 65 USD për fuçi. Monitor.al
Sa po i kushton Shqipërisë lufta në Lindjen e Mesme
Investimet publike 2025, zero fonde nga plani i rritjes
Lufta Izrael–Iran “tremb” shqiptarët, ngrijnë rezervimet për pushime

