
Segmenti rru or Qafë Qelë–Koman, me një gjatësi prej rreth 31 kilometrash, po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë me synim përmirësimin e aksesit, rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e operimit të sigurt të aseteve energjetike të Kaskadës së Drinit.
Investimi është konsideruar prioritar për shkak të amortizimit ndër vite, mungesës së mirëmbajtjes dhe problematikave teknike të këtij aksi, i cili përveç funksionit për infrastrukturën energjetike, ka një rëndësi të veçantë edhe për komunitetin lokal dhe zhvillimin turistik të zonës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan punimet e realizuara deri më tani. Në segment ka përfunduar shtresa e binderit në të gjithë gjatësinë e rrugës.
Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se ndërhyrjet kanë përfshirë zgjerimin e aksit rrugor, përmirësimin e sigurisë dhe eliminimin e pikave problematike.
“Punimet konsistonin në zgjerimin e aksit duke përmirësuar edhe sigurinë rrugore. Këtu kemi elementë mbrojtës të skarpateve, vendosjen e guardreilave që përmirësojnë ndjeshëm sigurinë rrugore. Janë bërë ndërhyrje veçanërisht edhe në disa kthesa të rrezikshme, ku kemi arritur të eliminojmë tri kthesa që përbënin pika të zeza në gjuhën teknike”, u shpreh Kozeli.
Ministri Karakaçi theksoi rëndësinë e këtij investimi si për funksionimin e hidrocentralit të Komanit dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës energjetike, ashtu edhe për zhvillimin ekonomik e turistik të zonës.
“Është një rrugë e rëndësishme sepse përmbush dy elemente. Së pari, bën ndërlidhjen ndërmjet segmentit që na lidh nga Vau i Dejës dhe të çon në Pukë për tek hidrocentrali i Komanit, por nga ana tjetër është edhe një segment që ndërlidh banorët e këtyre zonave. Ka gjithashtu një element turistik të rëndësishëm”, deklaroi Karakaçi./Versus.al

