Koncertet dhe festivalet po shndërrohen në një motor të ri ekonomik për Shqipërinë: vetëm Keinemusik në Tiranë gjeneroi mbi 1 milion euro nga biletat dhe miliona euro të tjera nga shpenzimet e 7 mijë turistëve të huaj duke treguar fuqinë e muzikës “live” si shtysë për turizmin dhe bizneset vendase. Vera 2025, me mbi 40 evente të mëdha nga bregdeti te qytetet historike, shënoi një bum kulturor që diversifikon ofertën turistike përtej modelit “det dhe diell”, ndërkohë që sfidat e kostove të larta dhe nevoja për profesionalizim mbeten të hapura.
Kur në fund të majit 2025, grupi i njohur gjerman Keinemusik solli mbi 15,000 spektatorë në Tiranë, mes të cilëve më shumë se 7,000 turistë të huaj, shumëkush e pa si një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit.
Por ndikimi i këtij eventi nuk u mat vetëm me numrin e pjesëmarrësve apo klikimet në rrjete sociale. Hotelet e kryeqytetit u mbushën, restorantet raportuan rritje të ndjeshme të të ardhurave, transporti urban dhe privat përfitoi nga fluksi, ndërsa biznese të tjera – nga lokalet e natës te shërbimet teknike – u gjallëruan.
Për themeluesen e AP Connection, Anyla Pula, ky ishte një tregues i qartë: muzika po bëhet motor ekonomik real për Shqipërinë.
“Ndikimi i Keinemusik ishte konkret në turizëm dhe ekonomi: rritje e rezervimeve në hotele, konsum i lartë në bare e restorante, si dhe gjallërim i bizneseve vendase. Ky është dimensioni i ri i tregut kulturor shqiptar”, thekson ajo.
Koncerti i Keinemusik e vërtetoi këtë dimension edhe në shifra konkrete. Me një çmim mesatar prej 70 eurosh për biletë dhe një audiencë prej 15,000 personash, të ardhurat nga shitja e biletave arritën mbi 1 milion euro, duke dëshmuar se organizimi i eventeve të tilla është një aktivitet me përfitime të larta financiare.
Vetëm pjesëmarrësit e huaj, rreth 7,000 turistë, gjeneruan mbi 490 mijë euro në të ardhura direkte
Vera 2025 shënoi një rekord të ri: mbi 40 festivale dhe koncerte madhore u zhvilluan nga maji deri në shtator. Në një vend ku dikur festivalet e mëdha numëroheshin me gisht, sot kemi një shpërthim organizimesh që po krijojnë treg.
Nga argëtim në motor ekonomik
Organizatorët e eventeve pranojnë se është turizmi që përcakton ritmin e kalendarit muzikor. Sipas Daniel Ndonit, menaxher i Gowild, “turistët janë një faktor kyç për krijimin e një audience të larmishme dhe energjike.
Ata rrisin jo vetëm nivelin e përvojës, por sjellin edhe konsum direkt në ekonomi”.
Në Durrës, ku u mbajt Vala Fest në korrik, organizatorët raportuan rreth 20,000 spektatorë në vetëm dy ditë, një shifër rekord për qytetin bregdetar.
Lida Sinani, drejtuesja e Bea Marketing & Promotion, e lidh këtë sukses me ndikimin e menjëhershëm në turizëm: “Hoteleria, gastronomia dhe shërbimet e qytetit përjetuan një bum që rrallë ndodh në periudha kaq të shkurtra”.
Këto përvoja tregojnë se festivali nuk është më vetëm argëtim, por një zinxhir ekonomik ku përfitojnë aktorë të ndryshëm: nga hotelierët te shoferët e taksive, nga agjencitë turistike te tregtarët e vegjël.
Ky realitet përforcohet edhe nga përvoja e vizitorëve. Anna nga Gjermania, e cila ndoqi koncertin e Mahmut Orhan (DJ ndërkombëtar që së fundmi performoi në skenën e Tomorrowland dhe hapi sezonin e koncerteve verore në Shqipëri), tregon:
“Gjeta një biletë për vetëm 25 euro për koncertin, 40 euro fluturimi vajtje–ardhje, 30 euro Airbnb në Tiranë. Ishte shumë lirë dhe përveç koncertit pashë edhe qytetin.
Për mua ishte një ofertë e jashtëzakonshme”.
Ky raport çmim/vlerë është një avantazh konkurrues për Shqipërinë në rajon.
Një tjetër tregues i transformimit është rritja e çmimeve të biletave. Në një treg ku deri para pak vitesh dominonin koncertet falas ose me çmime simbolike, sot gjithnjë e më shumë evente kushtojnë mbi 50 euro.
Ky është një hap drejt pjekurisë së tregut kulturor shqiptar, duke e vendosur në linjë me rajonin.
“Biletat do të mbeten gjithmonë e ardhura kryesore e një eventi. Çmimet janë dinamike dhe lidhen drejtpërdrejt me kostot e larta të artistëve ndërkombëtarë, të cilët shpesh kanë dyfishuar tarifat”, – shpjegon Klodian Makashi, CEO i Vivere Group.
Megjithatë, përvoja e vizitorëve tregon se Shqipëria është ende një destinacion relativisht i lirë.
Bregdeti shqiptar po bëhet epiqendra kryesore e turizmit muzikor. Kombinimi natyror i koncerteve me pushimet verore sjell turistë automatikisht. Tirana, megjithatë, ka ende sfida për t’u pozicionuar si destinacion kulturor.
“Përveç Keinemusik, është e vështirë të pretendojmë se eventet e tjera në kryeqytet tërheqin turistë. Për ta kthyer Tiranën në qendër ndërkombëtare kulture, nevojitet strategji shtetërore dhe mbështetje fiskale”, thekson Makashi.
Kjo tregon se ndërsa bregdeti po përfiton drejtpërdrejt nga bumi i turizmit, kryeqyteti ka nevojë për politika publike që ta shndërrojnë në qendër të eventeve urbane.
Në krahun tjetër, skena e jazz-it, si Hemingway Jazz Fest, që u zhvillua në Tiranë në 20-21 korrik, ruan filozofinë e komunitetit. Altin Sukaj, menaxher i Hemingway Fun Club, thekson: “Ne përballemi me kosto të larta, por përpiqemi ta mbajmë çmimin e biletës sa më të ulët për të ruajtur audiencën besnike”.
Ky model e sheh eventin jo vetëm si aktivitet ekonomik, por si investim kulturor afatgjatë, duke mbajtur gjallë traditën e muzikës së kultivuar në Shqipëri.
Përfitimet në ekonomi
Nga këndvështrimi ekonomik, përfitimet e eventeve muzikore janë shumëplanëshe.
Klodian Makashi, CEO i Vivere, në një intervistë për “Monitor”, përmend disa prej tyre:
Turizmi: shtim i vizitorëve ndërkombëtarë, sidomos nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Greqia e më gjerë.
Hoteleria dhe gastronomia: rritje e prenotimeve dhe konsumit.
Transporti: fluks i shtuar në linjat ajrore, rrugore dhe shërbimet lokale.
Branding kombëtar: Shqipëria pozicionohet si destinacion kulturor rajonal duke diversifikuar turizmin përtej modelit “det dhe diell”.
Drejt një industrie të qëndrueshme
“Prirja e fundit tregon se Shqipëria po hyn në një fazë të re: festivali nuk shihet më vetëm si “ngjarje e përkohshme”, por si pjesë e një ekosistemi ekonomik dhe kulturor. Sfidat mbeten të mëdha – kostot e larta të artistëve, nevoja për profesionalizim dhe mungesa e mbështetjes fiskale – por tregu është në tranzicion.
Publiku vendas po mësohet të paguajë për cilësi, ndërsa turistët e shohin Shqipërinë si vend të përballueshëm për evente që kushtojnë shumë më tepër në Perëndim.
Në këtë kuptim, koncertet dhe festivalet janë shndërruar në një test për industrinë, “një provë nëse vendi mund të ofrojë përvoja kulturore që gjenerojnë ekonomi duke diversifikuar të ardhurat dhe duke ndihmuar zhvillimin e komuniteteve lokale” – shprehet Ndoni.
Muzika po bashkon breza të ndryshëm
Muzika ka fuqinë të bashkojë breza të ndryshëm, por gjithsesi mbetet e qartë se rinia është boshti kryesor i tregut. Në shumicën e koncerteve dhe festivaleve, pjesëmarrësit kryesorë janë të moshës 18–35 vjeç.
Siç tregon Lida Sinani nga Valafest, edhe aktivitetet ditore po tërheqin një publik më të gjerë: “Grupmosha mbizotëruese është 18–35 vjeç, por veçanërisht në aktivitetet ditore kemi pasur pjesëmarrje të familjarëve dhe vizitorëve mbi 35 vjeç”.
Nga ana tjetër, profilet e audiencës ndryshojnë shumë sipas tipologjisë së artistit. Klodian Makashi, CEO i Vivere Group, sjell dy skenarë të ndryshëm:
“Grupmoshat janë në varësi të tipologjisë së eventit dhe artistit. Po të marrim si shembull koncertet me DJ të famshëm në Tiranë, grupmosha kryesore ishte 20–30 vjeç.
Po të shohim Scorpions, grupmosha është mbi 45 vjeç. Gjithmonë DJ janë më atraktivë te rinia, ndërsa grupet e rokut sjellin grupmosha më të rritura”.
Kjo ndarje është tregues i qartë se audienca shqiptare është ende në proces formësimi, ku brezat e rinj e shohin muzikën si pjesë të stilit të jetesës urbane, ndërsa gjeneratat më të rritura lidhen më shumë me nostalgjinë dhe traditën.
Elektronika, zhanri i brezit të ri
Eventet tashmë nuk janë më thjesht koncerte, ato po shndërrohen në përvoja vizuale e dixhitale që jetojnë gjatë në Instagram dhe TikTok.
Ky transformim tregon se tregu vendas po afrohet gjithnjë e më shumë me ritmet e Europës, ku festivalet elektronike janë motor i turizmit kulturor.
“Ndikimi i rrjeteve sociale është i madh dhe ashtu si në gjithë botën, edhe në Shqipëri rinia ndjek trendet. Rasti më i mirë për ta ritheksuar ishte Keinemusik, ku suksesi erdhi si pasojë e trendit muzikor që ka për momentin Afrobeat”, thekson Makashi.
Kjo prirje po ndikon drejtpërdrejt në profesionalizimin e tregut. Siç shprehet Daniel Ndoni nga GoWild:
“Tregu i eventeve në Shqipëri ka njohur një zhvillim të dukshëm, sidomos në skenën e muzikës elektronike. Njerëz që më parë dëgjonin vetëm muzikë komerciale apo ndiqnin artistë pop, tani janë gjithnjë e më të hapur ndaj eventeve elektronike, duke ndikuar pozitivisht në rritjen dhe profesionalizimin e skenës”.
Kjo qasje e re perceptohet si një mundësi reale zhvillimi për industrinë e eventeve. Siç e thekson Altin Sukaj nga Hemingway: “E shohim shumë pozitive, duke pasur parasysh se po ecet paralelisht me tregun global të festivaleve.”
Nga shiu te cashless, pengesat dhe zgjidhjet
Shqipëria ka potencial real për t’u shndërruar në një destinacion kulturor rajonal. Megjithatë, rruga drejt konsolidimit nuk është pa sfida.
Përveç interesit të lartë të publikut dhe kapaciteteve bazë për organizimin e ngjarjeve të mëdha, vendi duhet të garantojë një standard të qëndrueshëm në logjistikë, menaxhim dhe kulturën e pjesëmarrjes.
Një nga sfidat kryesore lidhet me edukimin e publikut dhe përshtatjen e tij me format moderne të organizimit. Siç thekson dhe Anyla Pula, nga AP Connection, për të arritur nivele më të larta është e nevojshme të punohet me audiencën:
“Durimi dhe mirëkuptimi për pritjet, përshtatja me sistemet cashless, respektimi i rregullave të sigurisë dhe përfshirja e hershme në informacionin logjistik janë elemente thelbësore për të ndërtuar një kulturë eventesh të qëndrueshme”.
Nga ana tjetër, edhe organizatorët ndeshen me sfida teknike dhe logjistike. Menaxhimi i artistëve, skenës, partnerëve dhe sponsorëve kërkon përvojë dhe koordinim, por shpesh, kushtet atmosferike mbeten një faktor i paparashikueshëm.
“Një ndër sfidat më të mëdha është menaxhimi i kushteve atmosferike në eventet outdoor. Në disa raste kemi përjetuar reshje të mëdha shiu, që kërkojnë fleksibilitet dhe reagim të menjëhershëm për të ruajtur përvojën e pjesëmarrësve”, – thekson Ndoni
Megjithatë, sfidat nuk janë pengesë e pakapërcyeshme. Përkundrazi, ato shihen si një etapë e natyrshme drejt profesionalizimit të tregut të eventeve. Kjo kërkon jo vetëm përmirësim nga organizatorët, por edhe mbështetje konkrete institucionale dhe financiare.
“Jemi në rrugën e duhur dhe kemi mundësi ta kthejmë Tiranën në një destinacion kulturor rajonal. Por për këtë duhet mbështetje nga qeveria, financim dhe një strategji e mirëfilltë se si synohet arritja e këtij objektivi”, – nënvizon Makashi, nga Vivere Group
Koncertet që bëjnë tendencë
Koncertet nuk po përjetohen vetëm nëpërmjet muzikës. Gjithnjë e më shpesh, janë rrobat që fansat veshin ato që përcaktojnë atmosferën dhe i bëjnë pjesëmarrësit të ndihen si komunitet.
Në Keinemusik në Tiranë, një shall i lidhur në kokë nuk ishte thjesht një aksesor, por një shenjë përkatësie.
Estetika e këtij kolektivi elektronik është tashmë e njohur: rroba të gjera, kapele, syze dhe, mbi të gjitha, shalli, që falë videove virale nga Tulum dhe Ibiza është kthyer në një kod të pashkruar për çdo event Keinemusik.
Një tjetër detaj karakteristik në koncertet e Keinemusik janë çizmet “cowboy” dhe pantallonat e shkurtra. Tirana, në mbrëmjen e 31 majit, u mbush me mijëra vajza me çizme cowboy, nën gju dhe pantallona të shkurtra, kryesisht xhinse, duke e bërë këtë stil të veçantë.
E njëjta logjikë u aplikua edhe në Hemingway Jazz Festival. Organizatorët përcaktuan qartë dy kode veshjeje: “all color” (të gjitha ngjyrat) në natën e parë, “all white” (e gjitha e bardhë) në natën e dytë. Në vend që të mbetej një detaj i vogël, ky ritual vizual i bashkoi të pranishmit duke krijuar një atmosferë kolektive ku publiku bëhej pjesë e skenografisë.
Ky fenomen nuk është vetëm shqiptar. Në skenën globale, veshja ka kohë që është kthyer në një “akt fandom-i”. Fansat e Pitbull-it shfaqen të veshur me kostume të zeza, me mjekër false e madje edhe kapele tullace për të imituar artistin.
Ky ritual, ndonëse i çuditshëm, i shton ngjarjes një shtresë tjetër argëtimi, ku publiku bëhet një “kopje” kolektive e idhullit të vet. Në koncertet e Harry Styles, ngjyrat dhe aksesorët me pupla janë shndërruar në uniformë.
Ndërsa tek Taylor Swift, fenomeni mori përmasa të tjera: çdo “epokë” muzikore u reflektua në detaje të kujdesshme në veshjet e fansave, nga pastelet e albumit Lover deri te gjysmëmaskat e errëta që simbolizonin Reputation.
Për shumë prej tyre, krijimi i një veshjeje për një koncert ishte një proces po aq emocionues sa edhe sigurimi i vetë biletës.
Në këtë sens, shallet e Keinemusik dhe kodet e ngjyrave të Hemingway Jazz Festival nuk janë detaje periferike.Ato janë shenja se skena muzikore shqiptare po lidhet gjithnjë e më shumë me trendet globale të përjetimit të koncerteve: ku muzika, moda dhe komuniteti ndërthuren në një përvojë të vetme.
Për fansat shqiptarë, kjo është një mënyrë për të ndier se janë pjesë e së njëjtës valë kulturore që po shkon nga Londra në Los Anxhelos, nga Ibiza në Tiranë.
Nga arena në arkë, Swift vendos rekordet, Coldplay ndez botën, Dua Lipa ngjitet në klasifikime
Industria globale e koncerteve e mbylli vitin 2024 me shifra rekord, sipas të dhënave të publikuara nga Billboard Boxscore, që rendit artistët me më shumë të ardhura nga turnetë botërore.
Dhjetë artistët më të mirë në tabelën e “Top Tours 2024” gjeneruan mbi 4.7 miliardë dollarë, duke konfirmuar kërkesën e publikut për spektakle “live” dhe gatishmërinë për të paguar çmime gjithnjë e më të larta për biletat.
Në krye të listës qëndron Taylor Swift, e cila me turneun e saj historik (The Eras Tour) arriti mbi 2.08 miliardë dollarë të ardhura nga më shumë se 10 milionë bileta të shitura në 149 koncerte. Çmimi mesatar i një bilete ishte 280 dollarë, një tregues i gatishmërisë së fansave për të paguar shuma të larta vetëm për të qenë pjesë e spektaklit.
Ky rezultat e bën Swift-in artistin me fitimet më të mëdha në historinë e koncerteve moderne.
Në vendin e dytë renditet Coldplay, me 400.9 milionë dollarë dhe 3 milionë pjesëmarrës nga vetëm 51 koncerte, duke arritur një çmim mesatar prej 134 dollarësh për biletë. Turneu i tyre i ngjyrosur nga elemente vizuale dhe ekologjike u cilësua si një nga më tërheqësit e vitit.
Pink vijon në vendin e tretë, duke gjeneruar 387.2 milionë dollarë nga 2.8 milionë spektatorë në 73 koncerte, ose rreth 138 dollarë për biletë. Performanca e saj e kombinuar me akrobaci e ka bërë një prej tureve më origjinale të vitit.
Në vendin e katërt është Zach Bryan, i cili befasoi me fuqinë e tij në treg, duke arkëtuar 321.3 milionë dollarë nga 1.6 milionë pjesëmarrës, me çmim mesatar 200 dollarë për biletë. Ky sukses e përfshin zyrtarisht në radhët e yjeve të mëdhenj të muzikës country dhe folk.
Luis Miguel, ikona latine, vijon në vendin e pestë, me 290.4 milionë dollarë dhe 2 milionë spektatorë, që përkthehet në vetëm 145 dollarë për biletë, duke treguar një publik të gjerë e të përkushtuar në Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.
Bruce Springsteen & The E Street Band gjeneruan 235.6 milionë dollarë nga 1.6 milionë bileta në 39 koncerte.
The Rolling Stones, edhe pse me vetëm 18 koncerte, arritën të arkëtonin 235 milionë dollarë, me çmim mesatar për biletë prej 277 dollarësh – ndër më të shtrenjtët e vitit.
U2 gjeneruan 231.1 milionë dollarë nga 38 koncerte, me rreth 630 mijë pjesëmarrës.
Madonna, me turin e saj madhështor të rikthimit, siguroi 225.4 milionë dollarë nga 1.1 milionë bileta në 80 koncerte.
Bad Bunny, që vetëm dy vite më parë kryesonte renditjet, e mbylli 2024-n me 211.4 milionë dollarë nga 753 mijë spektatorë.
Në vendin e dhjetë u rendit Metallica, me 175.2 milionë dollarë dhe 1.5 milionë bileta të shitura në 24 koncerte, duke mbetur një forcë e qëndrueshme e muzikës “rock”.
Çmimi mesatar i biletës: nga 128 deri në 280 dollarë
Krahas shifrave totale, diferencat në çmimet mesatare të biletave tregojnë për segmentimin e tregut. Taylor Swift qëndron në majë me 280 dollarë, ndërsa The Rolling Stones ruajnë traditën e biletave të shtrenjta me 277 dollarë.
Në krahun tjetër, artistë si Coldplay dhe Luis Miguel ofrojnë çmime më të përballueshme, përkatësisht 134 dhe 145 dollarë për biletë, duke tërhequr një audiencë më të gjerë.
Dua Lipa, ylli shqiptar në renditjet botërore
Edhe pse nuk ka hyrë ende në Top 10, Dua Lipa ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, ajo u rendit në vendin e 24-të globalisht, duke gjeneruar 35.9 milionë dollarë nga 281 mijë pjesëmarrës në 19 koncerte.
Performanca e saj përkthehet në 1.9 milionë dollarë për koncert dhe një çmim mesatar prej 128 dollarësh për biletë. Me këto ritme, Dua Lipa pritet të ngjitet edhe më lart në renditjet e ardhshme. Monitor.al