
Së paku për tre katër vitet në vijim do të bie edhe numri i të papunëve dhe numri i të punësuarve, pavarësisht se ekonomia rritet që rrjedhimisht sjell vende të reja pune.
Sipas Kuadrit të ri Makroekonomik norma e papunësisë bie gradualisht nga mbi 9 % këtë vit në rreth 8.3 për qind në vitin 2029, por kjo ulje nuk reflekton rritje punësimi.
Ministria e Financave arsyeton se trendët negative demografike, të vërejtura prej disa vjetësh, pritet të vijojnë të kenë efekte shtrënguese, si në ofertën për punë, ashtu edhe në numrat agregatë të punësimit përgjatë periudhës afatmesme në vijim.
Shqipëria po përjeton një tkurrje të shpejtë të popullsisë në moshë pune për shkak të emigrimit masiv dhe rënies së lindshmërisë, gjë që do të thotë se çdo vit ka më pak njerëz që hyjnë në tregun e punës dhe më shumë që dalin prej tij.
Në kushtet ku forca e punës tkurret edhe nëse ekonomia nuk krijon pothuajse asnjë vend të ri pune, papunësia mund të ulet thjesht sepse ka më pak persona që kërkojnë punë.
Nga 2025 deri në 2029 punësimi nuk rritet, ndërsa papunësia vazhdon të bjerë, një kombinim që shpjegohet vetëm nga ndryshimi demografik.
Shqipëria po hyn në një fazë ku problemi kryesor nuk është më mungesa e vendeve të punës, por mungesa e njerëzve për t’i mbushur ato. Plakja e popullsisë po rrit numrin e personave që dalin në pension, ndërsa emigrimi heq nga tregu i punës kryesisht të rinjtë dhe moshat më produktive, duke krijuar boshllëqe që nuk zëvendësohen nga brezat e rinj.
Në këto kushte rrezikon të dobësohet baza e rritjes ekonomike, sepse me më pak punëtorë është më e vështirë të rritet prodhimi, investimet dhe konkurrueshmëria e ekonomisë në afat të gjatë.
Ministria e Financave parashikon që sektori i shërbimeve të kontribuojnë më shumë në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë.
Gjatë periudhës nëntëmujore të 2025-s, shkalla e papunësisë vazhdoi trajektoren rënëse në raport me vitin 2024, duke arritur në 9.0 për qind në fund të tremujorit të tretë. Gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, norma e pjesëmarrjes në forcat e punës arriti në 76.5 për qind, ndërsa shkalla e punësimit u rrit në 69.4 për qind, krahasuar respektivisht me 75.7 për qind dhe 68.6 për qind për të njëjtën periudhë të vitit 2024./Monitor


