
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Tiranë–Durrës, ku gazetari dhe ish-konkurrenti i “Big Brother”, Elton Tozaj, dyshohet se ka rënë viktimë e një akti të rëndë dhune.

Lajmi u bë publik nga familjarët e tij përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Tozajt në Instagram, ku ata informuan mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe rrethanat e ngjarjes. Krahas njoftimit, u publikua edhe një fotografi që tregon pasojat e dhunës, pamje që kanë tronditur ndjekësit dhe opinionin publik.
Sipas deklarimeve të familjarëve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në autostradën Tiranë–Durrës. Elton Tozaj dyshohet se është sulmuar nga disa persona, të cilët, sipas tyre, janë tashmë të identifikuar. Si pasojë e dhunës së ushtruar, gazetari ka pësuar dëmtime serioze trupore, veçanërisht në zonën e fytyrës dhe të syrit.
Sipas story-t të publikuar në faqen personale të Elton Tozaj në Instagram, përpos autorëve tashmë të identifikuar, ai i kërkon një personazhi të showbizz që të distancohet nga ngjarja dhe "të sqarojë se çfarë e lidh atë vajzë me trekëndëshin Rruga-Ura - Patok - Kodra e Diellit".
Familja bën me dije se Tozaj ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtim intensiv mjekësor. Situata paraqitet delikate, ndërsa ekziston shqetësimi për dëmtimin e shikimit. “Eltoni është në një betejë të vështirë për të mos humbur shikimin. Shpresojmë dhe lutemi që ai të rikthehet sa më shpejt në gjendjen që ishte më parë”, thuhet në mesazhin prekës të familjarëve.
Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe publike edhe për shkak të deklaratave të fundit të Elton Tozajt në media dhe në rrjete sociale, ku ai kishte ngritur pretendime të forta dhe kishte përmendur emra publikë, çka ka shtuar reagimet dhe debatet në opinionin publik.
Autoritetet pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa familjarët dhe mbështetësit e gazetarit kërkojnë zbardhjen e plotë të saj dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. / VERSUS

