AKTUALITET /

Kush është administratori turk i Kurum, Erdal Demir i arrestuar për aferën e mijëra ton mbetje toksike që helmuan disa shtete

Prokuroria e Durrësit ka dhënë 33 urdhër-arreste për drejtues dhe administratorë të kompanive “Kurum International” dhe “Sokolaj”, si dhe disa zyrtarë shtetërorë, për kontrabandë të mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës. Ekspertiza ndërkombëtare konfirmon se mbetjet janë të klasifikuara si të rrezikshme dhe potencialisht kancerogjene, duke e kthyer çështjen në një alarm për shëndetin publik dhe mjedisin.

Shkruar nga Versus

Kush është administratori turk i Kurum, Erdal Demir i arrestuar

Më shumë se një vit pas sekuestrimit të 2100 ton mbetjeve të rrezikshme në portin e Durrësit, Prokuroria e Durrësit ka firmosur 33 urdhër-arreste ndaj drejtuesve dhe administratorëve të kompanive “Kurum International” dhe “Sokolaj”, si dhe disa zyrtarëve shtetërorë të përfshirë në skemë.

Në qendër të hetimeve është kompania turke “Kurum International”, e cila operon në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit që prej vitit 1998 dhe është një nga furnizuesit kryesorë rajonalë të shufrave të hekurit për ndërtim.

Administrator i kompanisë është Erdal Demir, i cili bashkë me administratorin me prokurë Yusuf Sezai Kurum akuzohen për kontrabandë me mbetje të rrezikshme, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Nga kompania shqiptare “Sokolaj”, në pranga kanë rënë pronarja Gjovana Sokolaj, administrator Doni Sokolaj dhe ish-administratorja Olizana Pemati. Hetimet tregojnë se kompania ka kryer falsifikime për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjeve, duke shmangur detyrimet ligjore vendase dhe ndërkombëtare.

Ekspertiza e kryer në Itali ka konfirmuar se mbetjet përbëjnë pluhur të furrës elektrike të çelikut (EAF dust), të klasifikuara si të rrezikshme dhe me përmbajtje të lartë të zinkut, hekurit, plumbit dhe bakrit.

Hetimet tregojnë se dy kompanitë, pavarësisht refuzimit të autorizimit për eksport nga Ministria e Mjedisit, kanë organizuar eksportin e paligjshëm drejt Tajlandës, duke i shpërndarë më pas përmes firmave të tjera, përfshirë GS Minerals d.o.o në Kroaci dhe kompani offshore në Hong Kong dhe Singapor.

Përveç transaksionit me Sokolaj, Prokuroria e Durrësit akuzon Kurum edhe për shkelje të tjera mjedisore, duke përfshirë transferimin e një sasie të madhe mbetjeve drejt kompanisë “Alliance Resource” dhe trajtimin e skorjeve përmes kompanisë Bajrami N.

Sipas Prokurorisë, Alliance Resource nuk ka kapacitetet dhe kushtet e nevojshme për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Bajrami N nuk ka leje për përpunimin e skorjeve, të cilat nuk dihet ku kanë përfunduar./Versus.al

 

Poll