
Mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të së premtes në bulevardin “Dëshmorët e “Kombit” në kryeqytet për të falur namazin e festës së Kurban Bajramit.
Kreu i komuniteit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu mbajti një fjalim të shkurtër para besimtarëve ku u përqendrua tek nevoja e përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë dhe në shërbim të personave në nevojë.
“Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javes, e xhumasë, me ditën më të bukur të vitit, atë të Kurban Bajramit, një gëzim i dyfishtë.. Shqiptarët të punojnë për një shoqëri më të drejtë e të begatë. Sfidat ekonomike e sociale kanë prekur shumë familje, duhet të duam njëri-tjetrin dhe të ndajmë sofrën tonë. Të shkojmë tek të moshuarit, tek fëmijët, tek të sëmurët”- u shpreh Spahiu mes të tjerash.
Kjo festë njihet si “festa e flijimit” ose dita e përkushtimit ndaj Zotit dhe në këtë ditë besimtarët sipas mundësive bëjnë ‘kurban’. Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”. Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë.
Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit. Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para. Akti i Kurbanit konsiston në therjen e një kafshe si flijim për të shënuar këtë rast në përkujtim të flijimit të Profetit Ibrahim për Zotin. Versus.al uron të gjithë besimtarët: Gëzuar Kurban Bajramin!







