Çfarë do të gjeni në brendësi
Prokuroria e Durrësit sekuestroi pranë kompanisë Kurum dokumentacion që besohet ka lidhje me çështjen qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën. * 500 punëtorë të papunë pas mbylljes së Kurum, Konfederata e Sindikatave: Jemi të bindur se lepuri fle diku tjetër *Pas skandalit të mbetjeve rrezikshme, gjenden predha luftarake në pikën e skrapit të kompanisë Kurum
Hetimet për mbetjet, prokuroria sekuestron dokumentacionin e kompanisë “Kurum”
Prokuroria e Durrësit zbarkoi të hënën pranë zyrave të kompanisë Kurum në Elbasan dhe sekuestroi dokumentacion që besohet ka lidhje me çështjen e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
E pyetur nga BIRN, drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli tha: “ne kemi marrë gjithë dokumentacionin që mendojmë se ka lidhje me çështjen”.
Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht nga ‘Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara. BAN ngriti alarmin se një anije gjigande kontenjerësh prej 175 mijë tonësh e linjës ‘Maersk' u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Network”, BAN, beson se anija ‘Maersk Campton' dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor', kanë ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.
Bazuar në sinjalizimin e BAN, autoritet portuale i kanë bllokuar në Singapor kontenjerët e nisur nga Shqipëria dhe ato pritet të rikthen në Durrës në muajt e ardhshëm. Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” shpk, një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj si eksportuese të kontenjerëve dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a si burimin e këtyre produkteve.
Ministria e Mjedisit në një reagim për mediat pranoi që mbetjet e ngarkuara në Durrës vinin nga Metalurgjiku. “Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan”, tha ministria në një sqarim për mediat.
Kompania Kurum ka mohuar të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.
Hetimet në lidhje me mbetjet toksike kanë ngritur alarmin mes qytetarëve në Elbasan. Arben Ramkaj, drejtues i Qendrës Ndërfetare në Elbasan ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale duke theksuar se qyteti po hesht për një çështje të rëndësishme si mbetjet toksike. “Duhet sensibilizim dhe transparencë nga kompania në fjalë dhe politikbërja në qytet duhet të sqarojë qytetarët se ç'po ndodh realisht”, shkroi Ramkaj.
Ndërkohë po të hënën në media u shpërnda një lajm në lidhje me mbylljen e punës pranë Kurum dhe shkarkim masiv të punonjësve. Megjithatë Inspektorati i Punës pas komunikimit me kompaninë gjeti që mbyllja e proceseve kishte të bënte me çështje teknike të kompanisë dhe se punëtorët nuk ishin shkarkuar, por kishin marr lejen vjetore të paguar. BIRN
500 punëtorë të papunë pas mbylljes së Kurum, Konfederata e Sindikatave: Jemi të bindur se lepuri fle diku tjetër
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka reaguar pas shkarkimit të 500 punonjësve në qytetin e Elbasanit nga firma turke Kurum.
Përmes një deklaratë për media, Konfederata shprehet se pas kwsaj ngjarje lepuri fle diku tjetwr.
Sipas KSSH kompania “Kurum International” sha është e paorganizuar, pastrukturuar dhe e paaftë të përballojë konjukturën botërore të çmimit të hekurit dhe të mbetjeve e skorieve të tij ku Kina po ndikon shumë në rritjen e çmimit.
Deklarata e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë
Pronuncim i KSSH në lidhje me situatën e krijuar në marrëdhëniet e punës në kompaninë “Kurum International” sha Elbasan.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë në përmbushje të misionit të saj, statutit dhe legjislacionit të punës në fuqi kombëtar e ndërkombëtar të ratifikuar nga shteti ynë po e ndjek me vëmendje dhe nga afër situatën e krijuar këto ditë në lidhje me marrëdhëniet e punës në kompaninë “Kurum International” sha.
Në lidhje me njoftimet publike për ndërprerje të kontratës të punës për 500 punonjës shpjegojmë se kjo deri më sot nuk ka ndodhur. KSSH denoncon tentativat e punëdhënësit për të biseduar me drejtues apo grupime punonjësish pa legjitimitetin e duhur ligjor dhe pa përfaqësimin ligjor në strukturat sindikale, vendore apo kombëtare.
KSSH informon publikun dhe të gjithë punëmarrësit e kompanisë “Kurum International” sha se ashtu si në vitet 2002, 2008, 2016 apo dhe në 2021 KSSH do të jetë në anën dhe në përfaqësimin dinjitoz e avokatinë profesionale të tyre.
Aktualisht që në fillim të muajt gusht, kjo kompani ka kaluar në remond fabrikën e çelikut dhe këto ditë është pezulluar pjesërisht fabrika e petëzimit kjo në mënyrë të beftë dhe të paplanifikuar. Me dakordësi mes palëve punëmarrësit po konsumojnë pushimet vjetore deri në fund të këtij muaji.
KSSH po konsultohet nga afër me strukturat shtetërore dhe po përgatit kapacitetet e saj ligjore dhe profesionale për t’u përballuar me çdo të papritur të cilat mesa duket janë të paevitueshme, si “pushim kolektiv nga puna”, apo lëvizje të menjëhershme të punëdhënësit në drejtim të QKB-së apo gjykatës për të ndryshuar regjimin aktiv apo për të kaluar në faliment në mënyrë të qëllimshme.
KSSH mendon dhe është e bindur se “lepuri” fle diku tjetër. Së pari kompania “Kurum International” sha është e paorganizuar, pastrukturuar dhe e paaftë të përballojë konjukturën botërore të çmimit të hekurit dhe të mbetjeve e skorieve të tij ku Kina po ndikon shumë në rritjen e çmimit.
Investimet e kryera në vijimësi e veçanërisht ato të fabrikës së petëzimit kanë qënë të pasuksesshme dhe ndoshta të fryera qëllimisht për përfitime të padrejta. Së dyti kompania “Kurum International” sha duhet ta kuptoj se ka ardhur koha që nuk mund të manipulohet më tej me të drejtat e punëtorëve apo lirinë ekonomike në vendin tonë.
Kjo kompani duhet të përgatitet për të përballuar suksesin dhe reformimin e shoqërisë tonë në sistemin e drejtësisë dhe të mirëqeverisjes në kuadër të hapjes së vendit tonë dhe standartizimit europian të tij në çdo fushë.
Për 25 vite kjo kompani si shumë biznese apo punëdhënës të tjerë kanë qënë të privilegjuarit e çdo qeverie. Qeveritë syleshe të viteve 2002 që falen fabrikat e oksigjenit dhe të gëlqeres, të 2007 që miratuan kryerjen e dyshimtë të investimeve për kapacitet prodhues 550.000 ton/në vit apo në vitin 2010, 700.00 ton/në vit.
Kthimin për kusur të TVSH-së në vitin 2012 të 4 hidrocentraleve si “privatizim strategjik”. Pa harruar këtu dhe kontratën e konçensionit ROT të vitit 2013 për rafinerinë e Cërrikut etj. Këto tregojnë qartë tangjentën dhe influencat politike të qeverive shqiptare në vijimësi duke e vlerësuar këtë kompani si të përkëdhelur dhe të favorizuar.
KSSH vazhdon ta ketë të freskët situatën e falimentit të shpallur nga kjo kompani në vitin 2016 si dhe diversifikimin e dyshimtë të portofolit të saj në minerale dhe energji. Kjo situatë po rrotullohet çdo ditë përpara syve tanë. Mosdhënia e informacionit dhe mospronuncimi për publikun nga kompania ashtu dhe nga strukturat përgjegjëse shtetërore e shton dyshimin tonë mbi manipulimin e qëllimshëm të kësaj situate.
KSSH bën thirrje punëtorëve të Elbasanit por edhe të gjithë qytetarëve që të rrisin vigjilencën dhe të kenë besim tek sindikatat si avokate besnike të tyre. Të mos manipulohen apo të përçahen nga ndonjë sharlatan pseudo-sindikalist apo punonjës e drejtues shtetërorë i çfarëdo instance të jetë, apo ndonjë kockë që u hedh punëdhënësi si kompromis në kurrizin e tyre.
Për sa më sipër KSSH po konsultohet në mënyrë urgjente edhe me strukturat sindikale ndërkombëtare e veçanërisht Konfederatën Europiane të Sindikatave (ETUC) si dhe me Këshillin Ekonomik e Social (EESC) të Bashkimit Europian për të marrë të gjithë asistencën e nevojshme dhe për t’u përballuar me çdo rrethanë që mund të ndodhemi së shpejti.
Asambleja e Përgjithshme e KSSH-së/Versus.al
Pas skandalit të mbetjeve rrezikshme, gjenden predha luftarake në pikën e skrapit të kompanisë Kurum
Pasi Prokuroria e Durrësit nisi hetimin për firmën turke ‘Kurum’, paraditen e sotme në pikën e grumbullimit të skrapit të kësaj kompanie janë gjetur dhe disa predha luftarake të pashpërthyer.
Predhat janë pikasur rastësisht nga punëtorët gjatë punës të cilët kanë njoftuar menjëherë strukturat shtetërore, shkruan BW.
Fatmirësisht nuk ka patur incidente me punonjësit e skrapit gjatë procesit të punës që kryhet nga ana e tyre në pikën e grumbullimit.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe emergjencave civile.
Ende nuk ka të dhëna për numrin e predhave luftarake të gjetura në pikën e skrapit në ish-Metalurgjikun e Elbasanit, ndërsa po procedohet për demontimin e tyre nga xhenierët dhe po hetohet për të zbuluar burimin se nga ardhën aty.
Dyshohet se "Kurum" se është origjina e 816 ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që u eksportuan nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global. /Versus.al
Shkarkoi 500 punonjës pas nisjes së hetimit për 816 ton mbetje, prokuroria e inspektoriati zbarkojnë në “Kurum”
Inspektoriati i Punës ka marrë nën monitorim kompaninë turke të Uzinës së Çelikut dhe Petezimit pas ndërprerjes së kontratës së punës për 500 punonjës në Elbasan. Që prej 20 gushtit, punonjësit mbetën të papunë pa marrë asnjë arsye për shkarkimin e tyre.
Ndërsa kompania pretendon se punonjësit janë njoftuar më herët për shkarkimin pasi kompania ka mbyllur dyert e aktivitetit të saj pas vënies nën hetim nga prokuroria pasi dyshohet se "Kurum" se është origjina e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që u eksportuan nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global.
Ndërkohë sot prokuroria e Durrësit, ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin në kuadër të hetimit që po kryhet për eksportin e 102 kontejnerëve me “mbetje toksike” nga kompania “Sokolaj shpk” drejt Tajlandës.
Sipas mediave, dy oficerë gjyqësorë kanë marrë çdo kontratë dhe libra shitjesh që lidhen me shitje për eksport oksid hekuri në sasinë prej 2816300 kg kompanisë “Sokolaj”, që është prodhuar nga Kurum dhe më pas është eksportuar drejt Tajlandës. Administratorët e kompanisë Sokolaj shpk dhe ato të “KURUM” që mbylli aktivitetin e saj, së bashku me autoritetet e doganave do të merren në pyetje javën e ardhshme nga prokuroria e Durrësit. Versus.al








