Çfarë do të gjeni në brendësi
*Avokati Kujtim Cakrani u dhunua të dielën në qytetin e Vlorës. *Në një intervistë për mediat, Cakrani tregoi se ngjarja ndodhi në një karburant në hyrje të qytetit ku dy të rinj e kishin provokuar dhe më pas e kishin goditur me një mjet prerës. *Ai u shpreh se nuk i njeh personat qe e dhunuan dhe nuk i di motivet e ngjarjes.
Berisha 'shpërthen' pas dhunimit të avokatit Kujtim Cakrani: “Akt kriminal shtetëror i shëmtuar”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas dhunimit të avokatit Kujtim Cakrani, duke e cilësuar ngjarjen si një “akt kriminal shtetëror të shëmtuar”.
Në reagimin e tij publik, Berisha thekson se avokati Cakrani është sulmuar pa asnjë shkak, vetëm për shkak të ushtrimit të detyrës së tij profesionale, ndërsa bën me dije se ai ndodhet i shtruar në spital me fraktura në kokë.
Sipas liderit demokrat, ky akt përbën një krim të parapërgatitur, të frymëzuar dhe të sponsorizuar politikisht, duke e konsideruar dhunimin si pjesë të një klime presioni dhe intimidimi ndaj avokatëve dhe drejtësisë.
Partia Demokratike i ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë avokatit Kujtim Cakrani, ndërsa Berisha ka deklaruar se përgjegjësia për këtë ngjarje është direkte dhe se drejtësia mund të vonojë, por nuk harron.
Ilir Meta reagon nga qelia: “Sulmi ndaj avokatit Kujtim Cakranit është akt banditesk, autorët...”

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar me tone të forta nga qelia lidhur me dhunimin e avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili u sulmua nga dy persona ende të paidentifikuar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta e ka cilësuar ngjarjen si një akt banditesk, duke kërkuar që autorët jo vetëm të identifikohen, por edhe të vendosen sa më shpejt para drejtësisë.
“Dënoj me ashpërsi sulmin ndaj Avokatit Kujtim Cakrani nga dy banditë, të cilët jo vetëm duhet të identifikohen, por edhe të vendosen para ligjit sa më shpejt,” shprehet Meta në reagimin e tij.
Më tej, ish-kreu i shtetit thekson se sulmet ndaj avokatëve nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një klime më të gjerë presioni dhe frikësimi.
“Nuk është hera e parë që sulmohen avokatët, sepse jetojmë në një regjim ku ata konsiderohen jo vetëm të panevojshëm, por edhe problematikë,” shkruan Meta, duke ngritur shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në fund të reagimit, ai shpreh solidaritetin e plotë me avokatin e tij, familjen e Cakranit, si dhe me të gjithë komunitetin e juristëve.
“Solidaritetin tim të plotë me Avokatin Cakrani, me familjen e tij, si edhe me të gjithë kolegët!”
Reagimi i Metës nga qelia i shton edhe më shumë tension zhvillimeve të fundit, ndërsa ngjarja ka rikthyer në vëmendje sigurinë e avokatëve dhe klimën e dhunës ndaj përfaqësuesve të drejtësisë në vend./ VERSUS
"Shkak dyshohet pozicioni i..." Policia për rrahjen e Cakranit: Ja si ndodhi sherri në karburant

Policia e Vlorës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen që ndodhi mesditën e së dielës në një pikë karburanti, ku avokati Kujtim Cakrani u sulmua fizikisht nga dy persona dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, ndërsa avokati, 55-vjeç, i njohur si avokat i Ilir Metës, po furnizonte automjetin me karburant. Dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të pozicionit të makinës së avokatit, e cila sipas dëshmitarëve në incident, kishte bllokuar automjetet e tjera.
Dy personat, ende të paidentifikuar, e kanë goditur fizikisht, ndërsa policia ka bërë të mundur identifikimin e automjetit me të cilin janë larguar autorët.

Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, pranë një karburanti, gjatë furnizimit të automjetit me karburant, shtetasi K.C., 55 vjeç, me profesion avokat, u përfshi në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar.
Konflikti, i cili dyshohet të ketë nisur për shkak të pozicionimit të automjetit dhe bllokimit të mjeteve të tjera, u përshkallëzua dhe shtetasi K.C. u godit fizikisht. Ai po merr ndihmë mjekësore në spital.
Nga veprimet e para hetimore është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin u larguan dy autorët.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. /VERSUS
VIDEO/ “Më provokuan dhe më pas më goditën me mjet prerës”, avokati Kujtim Cakrani jep deklaratën e parë pas dhunimit

Avokati Kujtim Cakrani u dhunua të dielën në qytetin e Vlorës.
Në një intervistë për mediat, Cakrani tregoi se ngjarja ndodhi në një karburant në hyrje të qytetit ku dy të rinj e kishin provokuar dhe më pas e kishin goditur me një mjet prerës.
Ai u shpreh se nuk i njeh personat qe e dhunuan dhe nuk i di motivet e ngjarjes.
“Më kanë dhunuan dy të rinj që nuk i njihja. Më provokuar dhe më pas më goditën. Nuk mund të them më shumë se nuk di gjë. Ndodhi në hyrje të qytetit, në një karburant. Pasi më provokuan, njëri erdhi nga pas dhe më goditën me mjet prerës, nuk e di me çfarë. Nuk i njihja dy të rinjtë. Kam dëmtime në pjesën e pasme të kokës. Nuk kam konflikte. Nuk jam mirë. ”, tregoi Cakrani./Versus.al
View this post on Instagram
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani dhunohet në Vlorë, dërgohet për mjekim në spital

Kujtim Cakrani avokati që përfaqëson Presidenti e Partisë së Lirisë Ilir Meta në dosjen panel ndaj tij është dhunuar këtë të diel në Vlorë.
Burime konfirmojnë se aktet e dhunës ndaj tij janë regjistruar në një pikë karburanti pas një debati me disa shtetas për radhën, dhe nuk ka lidhje me ushtrimin e funksionit të tij thanë burime zyrtare.
Aktualisht Cakrani po merr ndihmë mjekësore në spital dhe nuk dihet gjendja e tij. Ende nuk janë identifikuar dhunuesit, policia po kqyr pamjet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Versus.al

