Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryedemokrati Sali Berisha publikoi sot një shkrim në rrjetet sociale ku pretendone se kreu i PSD, Tom Doshi ishte arratisur nga vendi pasi SPAK kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij dy ditë pasi u mor në pyetje në Prokurorinë e Posaçme. *Brenda pak minutash, pati reagim nga Tom Doshi i cili me anë të një fotoje nën shoqërinë e dy djemve dhe miqve të tij, e akuzoi Berishën për mashtrim dhe tregoi se ndodhej në mes të Tiranës dhe jo në arrati siç pretendohej. *Pas kësaj fotoje të Doshit, Berisha fshiu lajmin dhe gjatë deklaratës në mbledhjen e grupit parlamentar të PD tha se informacionet e gabuara ishin shpërndarë nga burime pranë SPAK-ut.
Doshi përgënjeshtroi lajmin e arratisjes, Berisha pranon se gaboi: SPAK shpërndau shpifje
Sali Berisha e pranoi se shkrimi i publikuar prej tij ku pretendonte se Tom Doshi ishte arratisur nga vendi, ishte i gabuar dhe se nuk kishte as urdhër arresti ndaj kreut të PSD.
Por mes të tjerash ai pretendoi se informacionet për urdhër arrestin e Doshit dhe arratisjen e tij i kishte marrë nga burime pranë SPAK, të cilat nuk i specifikoi.
“Nga ky moment e tutje ajo që deri dje është njohur si SKAP do të quhet qendra kombëtare e shpifjes. Ky institucion lëshoi dje pasdite dhe natën në Tiranë se ka prerë mandat arresti për Tom Doshin dhe në mëngjes lajmet po nga këto burime aty afër vinin se Toma është arratisur. Imagjinoni ju sesi i bëjnë hetimet këta dhe teknikat e tyre të hetimit. I ftoj shqiptarët që sa herë të kujtojnë fjalën SPAK të mendojnë qendra kombëtare e shpifjeve e mashtrimeve. Toma nuk është arratisur as nuk ka mandat arresti. Por kjo është një gënjeshtër e tmerrshme që është hapur nga qendra kombëtare e shpifjeve”- tha Berisha. Versus.al
"O Sali mashtruesi", Berisha tha se ishte arratisur, Tom Doshi nxjerr foton: Jam në mes të Tiranës
Kryetari i PSD, Tom Doshi i ka kthyer përgjigjie kryedemokratit Sali Berisha i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale pretendonte se Doshi ishte arratisur nga vendi pasi ndaj tij kishte urdhër arresti.
Me një foto të publikuar krah dy djemve e miqve të tij, Tom Doshi shkruan se ndodhet në mes të Tiranës, ndërsa shton se Berisha shpif prej 20 vitesh për të.
"O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes te Tiranës duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti!"- shkruan Doshi krahas fotos së publikuar. Versus.al
"I prenë urdhër arresti pasi u thirr në SPAK", Berisha: Tom Doshi është arratisur
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ku shkruan se kreu i PSD, Tom Doshi është arratisur nga vendi pasi SPAK lëshoi urdhër arresti për të.
Pavarësisht se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga ana e Prokurorisë së Posaçme lidhur me këtë lajm, Berisha pretendon se pasi Doshi u paraqit në SPAK para dy ditësh, ishte planifikuar të paraqitej sërish për t’u arrestuar, por në vend të kësaj, Doshi është arratisur.
Postimi i plotë:
Toma ia mbathi!
Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për tu burgosur.
Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit.
Pasi doli nga SPAK, dy ditë më parë kreu i PSD pretendoi se ishte thirrur për diçka që nuk kishte lidhje me të ndërsa nuk ngurroi të ironizonte edhe deklaratën e bërë një vit më parë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili i quante prokurorët "kolegë". Versus.al
