Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ditën e nesërme Partia Demokratike do të mbajë protestën kombëtare të radhës. Këtë herë, protestuesit do të mblidhen para Kuvendit në orën 10:00 që përkon me nisjen e seancës plenare ku do të votohet mbi imunitetin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Socialistët e kanë bërë të qartë se nuk do të votojnë për heqjen e imunitetit pavarësisht kërkesës së SPAK. *Policia ka marrë përsipër mbarëvajtjen e protestës dhe ka bërë me dije se bllokimi i akseve ku do të mbahet protesta do të nisë që prej orës 06:00 të mëngjesit. *Ambasada e SHBA u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë që të kenë kujdes dhe të shmangin zonat ku do të mbahet protesta. *Në orët e mbrëmjes, Kuvendi është rrethuar me gardh metalik në kuadër të masave për sigurinë. Ndërsa deputetët e PS do të mbërrijnë para se të mblidhen protestuesit e PD me qëllim që të shmangin çdo incident të mundshëm.
“Fortifikohet” Kuvendi në prag të protestës, nesër socialistët futen para se të mblidhen protestuesit

Kur na ndajnë pak orë nga seanca plenare që do të mbahet nesër në orën 10:00 ku do të votohet mbi imunitetin e Belinda Ballukut, Kuvendi ka kaluar në masa të përforcuara të sigurisë.
Godina është rrethuar me gardh metalik si masë paraprake për protestën e nesërme të thirrur nga Partia Demokratike. Mësohet se deputetët socialistë do të mbërrijnë më herët në godinën e Kuvendit me qëllim për të shmangur protestuesit e opozitës të cilët pritet të rrethojnë Kuvendin rreth orës 10:00 njëkohësisht me nisjen e seancës.
Policia më herët njoftoi rrugët që do të bllokohen. Pritet që në seancë të ketë përplasje të ashpra lidhur me çështjen e imunitetit të ish-zv kryeministres Balluku. Versus.al
“Mund të zgjerohet”, ambasada e SHBA thirrje amerikanëve për protestën e nesërme: Shmangni rrugët e bllokuara

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të kenë kujdes për protestën e nesërme që PDdo të mbajë para Kuvendit. Në njoftimin e shpërndarë, ambasada këshillon amerikanët që të shmangin zonat ku mbahet protesta pasi mund të ketë rrezik për përhapjen e tyre.
Njoftimi i plotë:
Një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të enjten, më 12 mars 2026, në orën 10:00 të mëngjesit. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë ndërtesës së Parlamentit në Rrugën George Ë. Bush. Protesta mund të zgjerohet në zonat përreth dhe në ndërtesat qeveritare. Pritet një praninë e shtuar e policisë, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të trafikut në orët para dhe gjatë protestës. Personeli i Ambasadës së SHBA-së është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.
Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në rrugët dhe ndërtesat qeveritare përreth, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut, devijime dhe bllokime rrugësh. Udhëzimi ynë i vazhdueshëm është të shmangni zonat e protestës. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilent dhe prioritizoni sigurinë personale. Forconi masat tuaja të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:
Veprimet që duhet të ndërmerren:
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje;
Kini parasysh rrethinën tuaj;
Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik;
Monitoroni mediat lokale;
Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje;
Mbani një profil të ulët. Versus.al
Nesër protesta e PD para Kuvendit, policia merr masat: Rrugët do bllokohen nga ora 06:00

Ditën e nesërme Partia Demokratike ka njoftuar se do të mbajë një protestë kombëtare para Kuvendit. Protesta do të nisë në orën 10:00 njëkohësisht me seancën plenare ku do të votohet lidhur me kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut.
Policia ka marrë përsipër protestën duke njoftuar se nga ora 06:00 të mëngjesit deri në përfundimin e tubimit, rruga “George W.Bush” do të jetë e bllokuar. Po ashtu njofton se mund të ketë kufizime të qarkullimit edhe në rrugë të tjera gjatë zhvillimit të protestës.
Njoftimi i policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, në rrugën “George W. Bush”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Të hënën gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se nuk do të votonin për pranimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes. Versus.al

