Live Updates /

Kosova, 18 vite shtet! Festë dhe manifestim për liderët e UÇK në Prishtinë! Rubio uron: Të zgjerojmë bashkëpunimin

*Kosova feston sot 18 vjetorin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Në mbledhjen solemne të qeverisë për këtë përvjetor, kryeministri Albin Kurti uroi shqiptarët për pavarësinë, ndërsa nënvizoi edhe faktin se ish-krerët e UÇK po mbahen padrejtësisht në Hagë. Për këtë arsye, qytetarët kanë thirrur në Prishtinë një manifestim në orën 14:00 ku përveç festimeve për pavarësinë do të bëhet thirrje edhe për lirimin e 4 ish-kiderëve të UÇK. *Edhe politikanët në Shqipëri uruan për pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se nuk do të mund të ishte i pranishëm në manifestim. Ndërsa Ilir Meta e Erion Veliaj uruan nga burgu me statuse në rrjetet sociale. *Urim për Kosovën pati edhe sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio i cili tha se pret që SHBA dhe Kosova të zgjerojnë bashkëpunimet, duke e konsideruar Prishtinën si faktor stabiliteti në rajon.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Kosova feston sot 18 vjetorin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Në mbledhjen solemne të qeverisë për këtë përvjetor, kryeministri Albin Kurti uroi shqiptarët për pavarësinë, ndërsa nënvizoi edhe faktin se ish-krerët e UÇK po mbahen padrejtësisht në Hagë. Për këtë arsye, qytetarët kanë thirrur në Prishtinë një manifestim në orën 14:00 ku përveç festimeve për pavarësinë do të bëhet thirrje edhe për lirimin e 4 ish-kiderëve të UÇK. *Edhe politikanët në Shqipëri uruan për pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se nuk do të mund të ishte i pranishëm në manifestim. Ndërsa Ilir Meta e Erion Veliaj uruan nga burgu me statuse në rrjetet sociale. *Urim për Kosovën pati edhe sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio i cili tha se pret që SHBA dhe Kosova të zgjerojnë bashkëpunimet, duke e konsideruar Prishtinën si faktor stabiliteti në rajon.

4 Postime
13 ORE ME PARE

“Po ndërton të ardhme të begatë”, Rubio uron pavarësinë e Kosovës: Presim bashkëpunim më të fortë

Kosova, 18 vite shtet! Festë dhe manifestim për liderët e

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka shprehur urimet për Kosovën me rastin e 18 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Nëpërmjet një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare të DASH, Rubio shkruan: “Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe mezi presim të zgjerojmë lidhjet ekonomike që do të rrisin prosperitetin e të dy kombeve tona”.

Duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës ndaj përpjekjeve të SHBA për t’u përballur me sfidat globale, Rubio shkruan se mirëpresin udhëheqjen e saj si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.

“Ndërsa Kosova shënon këtë përvjetor të rëndësishëm, mezi presim një bashkëpunim edhe më të fortë në vitet në vijim. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Kosovën ndërsa ajo vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, mbyllet mesazhi i Rubios. Versus.al

14 ORE ME PARE

Politika në Shqipëri uron pavarësinë e Kosovës, Meta e Veliaj shkruajnë nga burgu: Lavdi atyre që sakrifikuan

Kosova, 18 vite shtet! Festë dhe manifestim për liderët e

Politikanët në Shqipëri kanë uruar për 18 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Edi Rama e nisi ditën me disa foto të publikuara rreth vizitës së tij të djeshme në Prishtinë, ndërsa shkroi se nuk mund të jetë i pranishëm në manifestimin që do të mbahet në orën 14:00 për ish-liderët e UÇK që sipas tij mbahen ‘peng’ në Hagë.

“MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”- shkroi Rama.

Presidenti Bajram Begaj uroi Kosovën me një shkrim në rrjetet sociale ku u shpreh se shteti tashmë është më i konsoliduar dhe më shumë njohje ndërkombëtare.

“Gëzuar Kosovë! Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare.

Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!

Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë! BASHKË, JETË E MOT!”- shkruan Begaj.

Pavarësinë e Kosovës e uruan edhe politikanët e paraburgosur, Erion Veliaj e Ilir Meta të cilët janë marrë të pandehur për një sërë veprash penale.

Meta riktheu në vëmendje momente me presidentin e ndjerë Ibrahim Rugovën teksa theksoi se pavarësia e Kosovës është një faktor stabiliteti në rajon.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë e dashur!  Mirënjohje e përjetshme për Heronjtë, Dëshmorët, luftëtarët dhe etërit e Pavarësisë, që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre bënë realitet ëndrrën shekullore të lirisë.

Nderim i veçantë për Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që udhëhoqën me vizion, guxim dhe vendosmëri rrugën drejt shtetësisë. Pavarësia e Kosovës dëshmoi se është një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në rajon.

Sot, Kosova qëndron krenare si një shembull i demokracisë funksionale, i zgjedhjeve të lira, i institucioneve të përgjegjshme dhe i llogaridhënies para qytetarëve të saj. Lavdi përjetë atyre që sakrifikuan për lirinë!”- shkruan kreu i PL.

Ndërsa Veliaj u shpreh se Kosova meriton të festojë me kokën lart dhe uroi që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK të përfundojë me drejtësi.

“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë!  17 Shkurti nuk është thjesht një datë - është kujtesë se LIRIA nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me qëndresë dhe besim. Sot, më shumë se kurrë, Kosova meriton të festojë me kokën lart: për të gjithë ata që luftuan dhe për çdo të ri që rritet me flamur e dinjitet.

E në këtë ditë, nuk mund të mos mendojmë edhe për ata që luftuan në betejë që Kosova të jetë e lirë - drejtuesit e UÇK-së. Ende shpresoj se procesi i tyre do të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e secilit në shtëpi, në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës. Gëzuar Kosovë - qofsh gjithmonë e lirë!”- shprehet Veliaj në postimin e publikuar në rrjetet sociale nga stafi i tij. Versus.al

15 ORE ME PARE

"Nderojmë sakrificat ndër shekuj", Kurti për 18 vjetorin e pavarësisë: Krerët e UÇK po mbahen padrejtësisht në Hagë

Kosova, 18 vite shtet! Festë dhe manifestim për liderët e

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbajti fjalën e tij në mbledhjen solemne të qeverisë në kuadër të 18 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit. Duke e cilësuar këtë si ditë feste dhe reflektimi, Kurti tha se në këtë ditë nuk mund të mos kujtohet fakti se 4 prej ish-krerëve të UÇK mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Nderojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit, nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull. Vërtet shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Secili qytetar pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit”, tha ai.

Duke renditur disa prej arritjeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare, Kurti nënvizoi edhe faktin se kontributi i ish-krerëve të UÇK që sot mbahen padrejtësisht në Hagë, ka qenë i çmuar për vendin dhe se historia do të bëjë gjykimin e drejtë.

“Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri. Nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, të cilat tani numërojnë 121 sosh, e deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit. Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe i kapaciteteve mbrojtëse. Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore. Nga lëvizja e lirë pa viza te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, të cilat janë arritje që na bëjnë krenarë të gjithë. Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtoj se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë”, shtoi Kurti. Versus.al

 

15 ORE ME PARE

18-vjetori i pavarësisë gjen Kosovën mes festës dhe protestës

Kosova, 18 vite shtet! Festë dhe manifestim për liderët e

Për Hashim Thaçin, e marta e 17 shkurtit është dita e parë pas gjashtë sosh që nuk niset për në sallën e gjyqit për t’i dëgjuar deklaratat përfundimtare në rastin kundër tij dhe tre ish-eprorëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Po të njëjtën ditë, 18 vjet më parë, ai e shkruante historinë: e shpallte Kosovën shtet të pavarur.

Thaçi, ish-president, Veseli e Krasniqi, ish-kryeparlamentarë, dhe Selimi, ish-deputet, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykata Speciale funksionon me ligje të Kosovës, ndërsa për çështje sigurie selinë e ka në qytetin holandez. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetorin e vitit 2000.

Në këtë video keni më shumë hollësi për punën e Gjykatës:

Pavarësisht mijëra kilometrave larg, ky proces e ka ndikuar shpesh përditshmërinë në Kosovë.

Njëjtë edhe në përvjetorin e pavarësisë: 17 shkurti do të jetë ditë e përzier mes festës dhe protestës. Festë, sepse vendi mbush 18 vjet – numër që simbolizon moshën e pjekurisë në shumë vende, dhe protestë për, siç thuhet, trajtimin e padinjitetshëm të të akuzuarve në Hagë.

Në këtë proces, Prokuroria i ftoi rreth 125 dëshmitarë, një pjesë e mirë e të cilëve ishin anonimë, ndërsa mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit ftuan emra me nam, sikurse gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark, ish-ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Christpher Hill.

Prej 9 deri më 18 shkurt, përjashtuar datën 17, në Hagë shpalosen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Amer Alija, hulumtues ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto deklarata janë një lloj analize e provave që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, dhe kanë peshë të madhe në krijimin e opinionit te trupi gjykues.

“Palët që do të arrijnë të argumentojnë dhe të bindin trupin gjykues që prova të caktuara kanë apo nuk kanë peshë relevante, si dhe vlerësimi i rrethanave, mund të kenë ndikim në marrjen e vendimit përfundimtar”, vlerëson ai.

Prokuroria, gjatë fjalës së vet, kërkoi dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve. Për ekipet mbrojtëse, një kërkesë e tillë është e barasvlershme me burgim të përjetshëm, prandaj ato i hodhën poshtë të gjitha pretendimet e palës tjetër.

Alija thotë se kërkesa e Prokurorisë nuk ka bazë ligjore – as në ligjin ish-jugosllav, që ishte në fuqi në kohën kur pretendohet të jenë kryer krimet më 1998-’99, dhe as në ligjet aktuale të Kosovës.

Asokohe, dënimet maksimale mund të shkonin deri në 20 vjet burgim, ndërsa me ligjet e tanishme të Kosovës dënimet parashohin deri në 35 vjet burgim.

“Në procedurat ligjore, trupi gjykues duhet ta ketë parasysh parimin universal ‘lex midio’, që do të thotë se ligji që është më i favorshëm në rastin e shqiptimit të dënimit duhet të aplikohet në procedurën penale”, pohon Alija.

Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Prokurorisë e ka prekur “një nerv publik” në gjithë Kosovën.

Për të, kërkesa e tillë është fyese dhe skandaloze, dhe një përpjekje dëshpërimi e Prokurorisë që të kërkojë maksimumin, që të sigurojë të paktën një dënim më të vogël.

“Nuk mendoj se Prokuroria ka prodhuar rast bindës, ekziston një hendek jashtëzakonisht i madh mes dokumentimit të krimeve, të cilat edhe mbrojtja nuk po i konteston, dhe ndërlidhjes së tyre me Shtabin e Përgjithshëm [të UÇK-së], dhe pretendimin se kjo ka qenë e centralizuar. Me një hendek kaq të madh, verdikti fajësues për mua duket i pabesueshëm. Të kërkosh dënim sikurse për kriminelët e luftës, që kanë vrarë me dhjetëra mijëra civilë të pafajshëm, është krejtësisht joproporcionale”.

Por, përveç zërave që i kanë mbështetur gjithmonë ish-eprorët e UÇK-së, këtë herë fjala në mbrojtje të tyre u përhap edhe në nivele institucionale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit, gjatë prezantimit të përbërjes së re të Qeverisë më 11 shkurt, duke thënë se përpjekjet e Prokurorisë në Hagë janë "një orvatje që bie ndesh me të vërtetën".

Ai, madje, e themeloi edhe një ministri të re: për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Një ditë më vonë, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë e cila kërkon gjykim të drejtë për të akuzuarit në Hagë.

Kurti, me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, kanë qenë tejet kritikë ndaj Gjykatës Speciale, dhe patën votuar kundër formimit të saj. Më 2017, në Kuvendin e Kosovës ishin bërë përpjekje edhe për shpërbërjen e gjykatës, por pa sukses.

Duke kthyer në kujtesë këtë fakt, për Maliqin qasja kaq e zëshme e Kurtit në mbrojtje të luftës së UÇK-së është përpjekje e tij për t’u dukur më gjithëpërfshirës, ndërsa risi është qasja e presidentes Osmani, meqë në të kaluarën, siç thotë ai, ajo e ka ushqyer një narracion mjaft të ndryshëm me ish-krerët e UÇK-së, sa ata ishin në pushtet.

Osmanit i skadon mandati si presidente edhe disa javë, dhe ajo e ka bërë tashmë të qartë synimin për një mandat të dytë. Megjithatë, nuk dihet nëse do t’i ketë votat e nevojshme.

A mund të jetë kjo njëra prej arsyeve pse Osmani është kaq e zëshme për UÇK-në dhe luftën e saj?

Maliqi nuk e përjashton si mundësi: “Presidentja Osmani është treguar viteve të fundit, le te quaj kështu ‘skiatore e sllallomit’ në mjaft momente të caktuara, e aftë t’i ndryshuar dhe përshtatur qëndrimet në përputhje me interesat e saj politike”.

Sa i përket aspektit juridik, Alija rikujton që deklaratat dhe rezoluta janë veprime politike, protesta është e drejtë kushtetuese, por që në procesin gjyqësor nuk kanë asnjë peshë.

Rezoluta për gjyqin në Hagë përbën ndër vendimet e para që i ka miratuar legjislatura e re e Kosovës, e dalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Gjithë viti 2025 mund të përshkruhet lehtësisht si vit i humbur legjislativ, pa institucione funksionale dhe me qasje thellësisht përçarëse ndërmjet partive, çka rezultoi me proces të ri zgjedhor, në të cilin Kurti shënoi fitore bindëse – me mbi 51 për qind të votave – dhe kështu e formoi lehtësisht Qeverinë e re.

Por, kur Maliqit i kërkohet të kthehet mbrapa në kohë, përtej 2025-tës, dhe të reflektojë për 18 vjetët e shtetësisë së Kosovës, ai thotë shkurt se sheh rritje simbolike të pjekurisë shtetërore, dhe një përparim të dukshëm, por që mundësitë e humbura janë të jashtëzakonshme.

“Ka konsolidim të demokracisë, por është shumë e brishtë. Dhe, nën presion të vazhdueshëm. Në këtë mandat të dytë të plotë të Kurtit, do të jetë sfidë se si të mbrohen institucionet nga përpjekja për sundim”.

Me raste, Qeveria paraprake e Kurtit është kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian për veprime të njëanshme, kur bëhej fjalë për të drejtat e minoritetit serb dhe për mungesë të theksuar kompromisi. Për pasojë, Uashingtoni e ka pezulluar Dialogun Strategjik ende pa nisur, ndërsa Brukseli e ka ndëshkuar vendin me sanksione, që vetëm tani ka nisur t’i heqë gradualisht.

Shikuar në rrafsh ndërkombëtar, Kosova nuk ka arritur as anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në BE, në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), apo në Këshillin e Evropës.

Shtetësia e saj njihet prej 121 vendeve të botës sot, por sfidë ende përbën mungesa e njohjeve nga katër vende të NATO-s dhe nga pesë të bllokut evropian.

Si histori suksesi mund të veçohen rastet kur sportistët e kanë ngritur flamurin në gara ndërkombëtare, veçanërisht në sportin e xhudos, ku janë siguruar medalje olimpike.

Në aspektin ekonomik, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë, dhe pa investitorë të mëdhenj.

Si vend me 1.5 milion banorë, prioriteti kryesor duket lehtë i identifikueshëm: ruajtja e aleancave me vendet që i ndihmuan të pavarësohej, sidomos me SHBA-në.

Në këtë drejtim luajnë rol edhe lëvizjet, sikurse ajo e presidentes Osmani për të qenë pjesëmarrëse në themelimin e Bordit të Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

“Kosova e ka jetike marrëdhënien me SHBA-në, njësoj sikurse e ka rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kosova nuk ka çfarë të humbë nëse futet në nisma që nuk bien ndesh me asnjërën prej këtyre dy objektivave”, thekson Maliqi.

Një tjetër proces me rëndësi, sipas tij, është integrimi i serbëve të Kosovës.

Ai porosit liderët që të mos kenë si pikënisje qasjen krejtësisht reaktive ndaj Serbisë, por që ta shpërfillin atë dhe të mos ia mundësojnë prishjen e agjendave të saj.

Serbia vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës, dhe pavarësisht dialogut që zhvillojnë dy palët në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, rezultatet janë të zbehta.

Në këtë drejtim, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zotim i Kosovës që del nga ky proces, përbën ndër sfidat më të mëdha për Qeverinë e re të vendit.

Në periudhë afatshkurtër, rëndësi do të ketë edhe se si përfundon procesi gjyqësor në Hagë.

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, rasti do të kalojë te gjyqtarët, të cilët do t’i kenë tre muaj kohë që të marrin një vendim.

Alija beson që ata mund të kërkojnë edhe dy muaj shtesë për shqyrtimin e provave, meqë rasti është goxha voluminoz.

Ndërkohë, më 17 shkurt, sheshet e Prishtinës do të jenë sërish të mbushura me njerëz.

Do të ketë emocione krenarie e mburrjeje për paradën e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që është në rrugë për t’u transformuar në ushtri, por edhe thirrje për drejtësi për të akuzuarit në Hagë.

Sheshet ishin plot edhe më 17 shkurt 2008.

Gëzimi atëherë e kishte prekur kulmin, pavarësisht motit të acartë. Ndoshta ishte ogur për gjithë sfidat që do t’i përjetonte Kosova përgjatë rritjes së saj… REL

Poll