Çfarë do të gjeni në brendësi
*Që prej ditës së djeshme, në kryeqytet po zhvillohet një aksion i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe policisë, në kuadër të një operacioni të koordinuar me SPAK dhe autoritetet italiane, për të goditur një rrjet call centerash që dyshohet se ka mashtruar qytetarë të Bashkimit Europian, duke u zhvatur dhjetëra miliona euro. *Nga kontrollet, deri pasditen e së shtunës janë 12 persona të arrestuar, ndërsa tre vëllezër nga Tropoja – Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të cilët konsiderohen organizatorët kryesorë, janë shpallur në kërkim për skemë mashtrimi. *Gjatë bastisjeve janë sekuestruar kompjuterë dhe portofole kriptomonedhash, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal dhe mashtrimin e qytetarëve të Bashkimit Europian. *Sipas informacionit, rrjeti operonte me një skemë të sofistikuar për të humbur gjurmët, duke ndërruar herë pas here ambientet ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm. *Hetimet morën nxitje edhe nga investigimi i emisionit italian “Le Iene”, i cili dje ishte prezent gjatë aksionit në Tiranë. *Sipas investigimit italian, në këtë rrjet dyshohet të jetë përfshirë edhe një oficer policie italian, i cili rekrutonte të rinj nga Italia për t’i punësuar si operatorë në call centera mashtruese në Tiranë dhe vende të tjera. *Skema bazohej në telefonata mashtruese, ku përmes një investimi fillestar prej 250 eurosh, viktimave i premtohen fitime të menjëhershme në një platformë dixhitale që simulohet si “investim real”, por në fakt nuk ekziston.
Nga 250 euro në 50 mijë: Ja si operonte rrjeti i call center-it në Tiranë i drejtuar nga vëllezërit Prekaj

Në një operacion të jashtëzakonshëm të koordinuar mes SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Drejtorisë së Antimafias italiane, kanë shkatërruar një fortesë kriminale në zemër të Tiranës, pikërisht në kullën luksoze "Green Tower Forever" simbol i fshehtësisë dhe luksit të dyshimtë.
Aksioni, i nisur mbrëmjen e të premtes 16 janar 2026 dhe ende në zhvillim sot, ka çuar në prangosjen e 10 operatorëve kryesorë, ekzekutimin e 8 masave të sigurisë dhe shpalljen në kërkim të tre vëllezërve Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, që drejtonin këtë makineri mashtrimi.
Por kjo nuk është një goditje e rastësishme: pas një hetimi disa mujor të verifikuar kryqëzuar mes Tiranës dhe Romës, autoritetet kanë sekuestruar miliona euro në cash, dhjetëra kuletë kriptomonedhash dhe prova materiale që zbardhin një rrjet të strukturuar kriminal, i aftë për të zhvatur të paktën 100 milionë euro nga mijëra viktima kryesisht në Itali, por edhe nga Evropa dhe më gjerë.
Prokurori i SPAK-ut Vladimir Mara ka qenë në krye të këtij fronti, ndërsa drejtuesi i BKH-së Joni Keta ka zbritur personalisht në terren, duke drejtuar bastisjet në 6 ambiente të dyshuara njëra kryesore në kullën pranë Gjykatës së Lartë ku dyshohet se zyrat u zhvendosën të paktën 4 herë për të fshirë gjurmët.
Gjithçka ka rrënjët në një investigim të emisionit italian "Le Iene", në Italia 1, ku gazetari i njohur Luigi Pelazza infiltroi gati 15 agjentë për të zbërthyer nga brenda hierarkinë e kësaj 'perandorie dixhitale'.
Pelazza, i cili ka kaluar javë të tëra duke gjurmuar burime të brendshme, ka demaskuar një skemë diabolike që operon si një organizatë mafioze e mirëstrukturuar: operatorët e rinj, shpesh rekrutuar nga Itali dhe vende të Evropës Lindore, telefonojnë viktima të pafuqishme financiare me premtime bombastike për "investime të sigurta në aksione me fitime të menjëhershme".
Hapi i parë është një pagesë fillestare minimale prej 250 eurosh, e paraqitur si hyrje në botën e fitimeve të lehta.
Menjëherë pas derdhjes, viktimës i jepet akses në një platformë false interneti ku shfaqet një "llogari personale" prej 50 mijë eurosh një iluzion dixhital i krijuar për të ndezur lakminë.
Kur viktima kërkon të tërheqë "fitimet", sistemi i thotë se nevojitet një transferim i ri për "verifikim" ose "taksa", duke e futur në një spirale vicioze ku shumat shumëfishohen derisa të arrijnë mijëra euro për person, para se të zhduken përgjithmonë drejt llogarive të errëta në Tiranë, Qipro dhe Maltë.
Ky nuk është thjesht një call-center i zakonshëm: investigimi i "Le Iene" ka zbuluar nivele të thella hierarkike, duke filluar nga rekrutuesit lokalë në Tiranë deri te figura kyçe ndërkombëtare.
Një element shokues është përfshirja e dyshuar e Alfonso-s, një oficer policie në Salerno, Itali, i cili ka pranuar se ka rekrutuar të rinj italianë për të punuar në këto qendra jashtë vendit.
"Këto janë vetëm konsulta për aftësitë gjuhësore, 10 vjet më parë", është justifikuar ai kur është konfrontuar nga Pelazza, duke shtuar me cinizëm se "në rastin më të mirë merr një sanksion disiplinor, jo paditje penale".
Kjo rrëfenjë ka çuar autoritetet italiane , të cilët pas verifikimeve kanë kaluar informacionin te SPAK, duke nisur një hetim paralel që ka kulmuar me aksionin e mbrëmjes së djeshme.
Arrestimet flagrante përfshijnë shtetasit R.Gj., E.Gj., D.Q., E.M., R.P. dhe O.K., të cilët besohet se ishin operacionistët e drejtpërdrejtë në vijën e parë të telefonatave mashtruese.
Dyshimet thellohen se ky rrjet ka operuar për muaj të tërë pa u zbuluar, duke shfrytëzuar anonimitetin e Tiranës si bazë ideale për krime dixhitale globale./Versus.al
Mashtronin qytetarët e BE-së përmes Call Center, shpallen në kërkim 3 vëllezërit Prekaj

Versus.al ka siguruar detaje të reja nga operacioni i SPAK, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane, i cili goditi një grup kriminal që dyshohet se mashtronte qytetarët e Bashkimit Europian përmes call center-ave, duke përfituar dhjetëra miliona euro.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se në kërkim janë shpallur tre vëllezër: Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, të cilët dyshohet se janë organizatorët kryesorë të këtij aktiviteti kriminal.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet mashtrimesh./Versus.al
Ndërronin shpesh zyrat për të humbur gjurmët, 8 persona të arrestuar pas kontrolleve në kullën luksoze! 2 bosët në kërkim

Pasditen e djeshme, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me policinë e shtetit kryen disa kontrolle në një ambient të marrë me qira në kullën “4Ever Green Tower” në Tiranë.
Sipas detajeve të publikuara në media, mësohet se bëhet fjalë për një hetim të nisur nga autoritetet italiane për mashtrim nëpërmjet call center-ave.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 8 persona mes të cilëve R.Gj, E.Gj, D.Q, E.M R.P dhe O.K. Dy prej pronarëve të call center-it janë shpallur në kërkim ndërkohë që deri më tani janë bastisur 6 ambiente. Zyrat ndërroheshin herë pas here me qëllim humbjen e gjurmëve nga policia.
Antimafia italiane nisi hetimet pas investigimit të emisionit italian “Le Iene”. Versus.al

