Çfarë do të gjeni në brendësi
*Nesër, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta pritet të dalë para Gjykatës së Posaçme ku do t’i konfirmohet masa e sigurisë së arrestit nën akuzë për 3 vepra penale si pastrim parash, korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie. *Ish-presidenti e kaloi natën e parë në burg në qelitë e bllokut të sigurisë së lartë “Mine Peza” ku familjarë dhe bashkëpunëtorë të tij janë paraqitur herë pas here për të lënë qese me ushqime. *Për arrestimin e Metës reagoi edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i cili u shpreh se pavarësisht akuzave për mënyrën e ekzekutimit të masës së arrestit, efektivët e Forcave Operacionale bënë punën e tyre duke reaguar sipas mënyrës që u përgjigj kryetari i PL-së, Ilir Meta. *Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi ka vijuar me paralajmërimet e tij ndaj efektivëve që kryen arrestimin me dhunë të Ilir Metës duke i kërcënuar se po merren me zbulimin e identitetit të tyre dhe se do të ndëshkohen.
Dosja e SPAK: Kryemadhi shpenzoi 12 mijë euro brenda ditës në dyqanin në San Marino
Bazuar në detajet e dosjes së SPAK, deputetja Monika Kryemadhi ka shpenzuar 12 mijë euro brenda një dite në një dyqan në San Marino. Sipas dosjes, më datën 24 shtator 2014, Kryemadhi i shkruan Adrian Shatkut në Ëhatsapp se ka shkuar ne San Marino, në nëntor do të shkojë në Lanserhof dhe se Bora (vajza e saj) do t’a vazhdojë Universitetin në Angli dhe jo në Amerikë.
Gjithashtu sipas SPAK, në datën 25 shtator 2014, Monika Kryemadhi ndërsa ndodhet ne San Marino, ka tentuar të bërë blerje në “Ferreti boutique”, por karta American Express (AMEX) nuk ishte pranuar dhe për këtë fakt informon Adrian Shatkun nëpërmjet mesazhit ne ËhatsApp.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga këqyrja qe iu bë llogarisë bankare nr. 390127 të Monika Kryemadhit, rezulton se në datën 25 shtator 2014, ajo ka bërë blerje në dyqanin ‘Ferreti Boutique’, në vlerën 3.000 Euro (432.096 lekë), paguar me kartën me nr. 411418**5349 e lidhur me llogarinë e saj bankare e cila është debituar.
“Në vijim Monika Kryemadhi ka bërë blerje në dyqanin Maçapani por karta persë ri nuk është pranuar. Lidhur me refuzimin e kartës AMEX Black, Adriani i është përgjigjur se ndoshta kompania e kartës ka kujtuar se karta ka qenë e vjedhur dhe pasi bën një telefonatë, i thotë Monikës se mund ta përdorë. Ne vijim Monika përsëri nuk e ka realizuar blerjen dhe Adriani i shkruan se pengesat shkaktohen “Ngaqë nuk e ke përdorur asnjëherë”. Monika i shkruan se “E përdora qëparë “. Adriani informon Monikën se kompania bëri “reset” të kartës dhe mund ta përdorë.
Nga bisedat rezulton se pagesa për blerjen në vlerën 12 mije (Euro ose USD), është kryer me sukses. Monika i lutet që ta lënë kartën të hapur për çdo rast dhe Adriani i shkruan se kishin kujtuar se ishte amerikane dhe nuk kishte kuptim që të jetë edhe kartë e zezë edhe e mbyllur.
Ndërkohë që Adriani po priste zgjidhje, për hapjen e aksesit të kartës së kreditit, i shkruan Monikes përsëri lidhur me lejen qe kompania e tij duhet te siguroje nga Edmond Haxhinasto dhe konkretisht: “-Mondi duhet të jape akses siç esht ATU e Bashkimit nuk mund te vazhdoje me në kete mënyre ështe paralizuar tregu dh e pasuria publike për Bashkimin dhe Zenin …. Per paisjet e sigurise duet parë pak ambienti dhe çfarë është objektive dhe pastaj i porosisim dhe instalojmë”.
Me kerkesen per ndihme juridike Nr. L 180 Prot. date 07 Mars 2024, i eshte kerkuar Autoriteteve Gjyqesore te San Marinos informacion nese ne dyqanin Maçapani, me adrese “Via 3 Settembre”, Dogana-San Marino, ne datën 25 Shtator 2014, dite ne te cilen jane zhvilluar bisedat ne fjale, jane kryer blerje me kartën American Expres nr. 3727 194193 31009 dhe nr. 3796 213399 9803. Gjithashtu te identifikojne numrin e kartes se kreditit, qe eshte perdorur ne kete dygan ne datën 25 Shtator 2014 në intervalin kohor 16:00 -19:00:
Me shkresën Nr. 1205/2 Prot. date 09 Korrik 2024, Autoritet Gjyqësore te San Marinos, ne pergjigje te leterporosise se ekzekutuar, kane percjelle ekstrakt te llogarive bankare te kompanise Maçapani, me numer regjistri 3513, COE 19622, ne Banca Agricola Commerciale. Ne ekstraktin e llogarise rrjedhese nr. 06/01/62737 ne monedhen Euro te kompanise Maça-Pani S.R.L, me te dhenat per periudhën 24 -30 Shtator 2014, evidentohet se ne datën 26 Shtator 2014, eshte kredituar shuma 12.000 Euro. Pershkrimi i pageses eshte “Arketim me POS, date 25.09.2014. Ne llogari nuk rezulton asnje pagese tjeter e kryer ne datën 25 Shtator 2014. Vliera ne fjale, e kredituar ne favor te llogarise se ketij dyqani/butiku, perputhet me bisedat e zhvilluara ne te njejten kohe ne rrjetin social Ëhatsapp midis personit nen hetim Monika Kryemadhi dhe shtetasit Adrian Shatku.
Ne datën 2 9 Shtator 2014, Adrian Shatku i shkruan Monika Kryemadhit “I thua dot Mondit te takohem me të, të enjten ne darke ose të premten nga ora 10 e mëngjesit? I çova dhe mesazh”. Monika Kryemadhi i pergjigjet: “Patjeter por ka për ta thirr sot ky i imi. Po ajo rregullorja çfarë problemi kishte? Se më çmendën se më than” qe i prish punë Adrianit””, thuhet në dosje.
Në bllokun e sigurisë së lartë, pret të dalë para GJKKO! Ilir Metës i çojnë qese me ushqime

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta aktualisht po mbahet i burgosur në bllokun e sigurisë së lartë nga ku më pas, ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës së Posaçme për komunikimin e masës së arrestit.
Mbrëmjen e djeshme ishte djali i tij Besarti ai që i dërgoi disa shishe ujë dhe ushqime ish-presidentit, ndërsa sot ka qenë sekretari organizativ i PL, Artemis Peca ai që ka mbërritur në bllokun e sigurisë “Mine Peza” me një qese të mbushur me ushqime për Metën. Peca ishte edhe personi që drejtonte mjetin ku ndodhej Ilir Meta mesditën e djeshme gjatë momentit të arrestimit të tij.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ditën e djeshme njoftoi se ndaj Metës rëndojnë akuza për 3 vepra penale të kryera gjatë kohës që ka mbajtur funksione të posteve shtetërore, konkretisht: Pastrim parash, korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie.
Përveç Metës, pati një masë “detyrim paraqitje për deputeten e PL-së dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi duke e akuzuar këtë të fundit se në bashkëpunim me Metën ka përfituar në mënyrë korruptive një vilë nga biznesmeni Samir Mane në këmbim të ndryshimit të një ligji, gjë për të cilën është marrë në pyetje edhe gazetari Baton Haxhiu.
Ilir Meta akuzohet se gjatë kohës kur ka qenë kryetar i Kuvendit, së bashku me deputeten Monika Kryemadhi kanë përdorur pozitën e tyre për të ndikuar në institucione të ndryshme shtetërore me qëllim lejimin e futjes së fibrave optike nga një kompani telekomunikacioni nga pronari i së cilës kanë përfituar më pas karta krediti, shpenzime të cilat nuk janë deklaruar.
Po ashtu rezulton se gjatë kohës kur ka qenë kryetar i LSI-së, Ilir Meta ka lidhur marrëveshje me një kompani në SHBA për lobim, por nuk ka deklaruar shumën prej më shumë se 400 mijë eurosh të shpenzuar.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit R. K. kryer në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda, procedimin penal Nr. 55 të vitit 2019. Objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.
Ndërkohë që po vijonin hetimet për këtë procedim, mbi bazën e kallëzimeve të shtetasve H. V. dhe I. B., Prokuroria e Posaçme ka rregjistruar procedimin penal nr.122 të vitit 2022 për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.
Në vijim të hetimeve, procedimet e sipërcituara janë bashkuar në një procedim të vetëm në vitin 2024.
Nga sa më sipër, janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal I.M. dhe M. K. në bashkëpunim mes tyre por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.
1- Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, I. M., ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.
Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se I.M. ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
2- Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.
Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.
Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet I. M. dhe M. K., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.
3- Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).
4- Përgjatë periudhës 2016-2017, I. M. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
5- Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”, i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.
6- Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K. Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime në kuadër të procedimeve penale nr. 55 të vitit 2019 (dërguar për kompetencë nga Prokuroria për Krime të Rënda), 122 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), 125 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit H.V.), 165 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), të cilët janë bashkuar në një procedim të vetëm duke u numërtuar procedimi penal nr.55/2019.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore dhe analizës së provave, në datën 09.10.2024 Prokuroria e Posaçme iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj katër shtetasve.
Me vendimin nr.125 datë 20.10.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim I. M., i dyshuar për kryejen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim, M. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.
3. Caktimin e masës së së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim P. Xh. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.
4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim E. Ç., e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Po në datën 20.10.2024 Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr.125 datë 20.10.2024. Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot në datën 21.10.2024 masat e sigurimit të mësipërme ndaj katër personave nën hetim.
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Gjejmë rastin që të falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros për ndihmën dhe bashkëpunimin e treguar. Versus.al
Blushi paralajmëron efektivët që arrestuan me dhunë Metën: Po mbledhim informacion për ju, do ndëshkoheni

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërcënuar sërish efektivët e Operacionales të cilët kryen aksionin e arrestimit të kreut të PL-së Ilir Meta gjatë mesditës së djeshme në Tiranë.
Duke e ripostuar videon e arrestimit me forcë të Metës, Blushi shkruan se kishte dështuar skenari destabilizues për eleminimin fizik të ish-presidentit, ndërsa paralajmëroi efektivët e Operacionales se do të ndëshkohen.
“Skenari kriminal destabilizues për eliminimin fizik të Presidentit Ilir Meta dështoi! Por skuadra terroriste që mori pjesë në rrëmbimin dhe dhunimin fizik të tij do të ndëshkohet pa mëshirë pavarësisht maskave në surrat! Dhuna e ushtruar, siç provon qartë kjo video, nuk do të tolerohet dhe kurrë nuk do të amnistohet!”- shkruan Blushi.
Ai tha se po mblidhet informacion për ata të cilët kryen arrestimin me forcë të Ilir Metës dhe sulmoi edhe ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha për reagimin e këtij të fundit në rrjetet sociale sa i takon aksionit të prangosjes së kreut të Partisë së Lirisë.
“Partia e Lirisë është duke mbledhur informacion për emrat e të gjithëve terroristëve që nga dje e kanë personale me çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot. Me reagimin e sotëm provokues të zarit ordiner të Edi Ramës në krye të Narkoministrisë së Brendshme dhe avokatisë që i bëri skuadriljes terroriste është e qartë se gjithçka ka qenë e urdhëruar nga lart. Askush nuk do t'i shpëtojë ndëshkimit sipas përgjegjësive që ka patur në këtë akt terrorist!”- përfundon Blushi në reagimin e tij.
Në reagimin që bëri ditën e sotme, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se arrestimi me dhunë i Metës është bërë pasi ky i fundit refuzoi t’i bindej urdhrit të efektivëve duke i kundërshtuar me forcë policët e Operacionales. Hoxha tha se nëse kreu i PL do të kishte pranuar të shoqërohej për në makinën private të Forcave të Operacionales, asgjë prej këtyre nuk do të kishte ndodhur. Versus.al
Arrestimi me forcë i Metës, ministri i Brendshëm: I kundërshtoi me dhunë, policia s’pati zgjidhje tjetër

Mënyra e arrestimit të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta mesditën e djeshme në Tiranë solli shumë reagime, ku një pjesë e madhe e tyre kritikonin dhunën e ushtruar në ndalimin e një politikani që ka mbajtur postet më të larta të vendit.
Lidhur me këto reagime, ka pasur edhe një përgjigje nga ana e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha i cili nëpërmjet një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, shkruan se nëse Meta nuk do të kundërshtuar dhunshëm efektifët e Forcave Operacionale të policisë, atëherë thjesht do të ishte shoqëruar në automjetin privat dhe do të dërgohej në rajonin e policisë sipas urdhrit të gjykatës.
Sa i takon faktit që ka qenë mundësia që kreu i PL të njoftohej për urdhrin e arrestit, Hoxha e rrëzoi një pretendim të tillë duke thënë se në momentin që merr urdhër-arrestin e lëshuar nga gjykata, policia duhet ta zbatojë me çdo kusht.
“Dhe në fund, e shoh të nevojshme të nënvizoj një të vërtetë absolute dhe fare banale. Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar dhe pikë. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg”-thuhet ndër të tjera në reagimin e Hoxhës.
Reagimi i plotë i Hoxhës:
Kam ndjekur me vëmendje dhe respekt opinionet e një sërë analistësh të angazhuar mbrëmë, lidhur me ndalimin e shtetasit Ilir Meta, nga Policia e Shtetit.
Fjalori ka qenë ekstrem për mënyrën sesi u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ndaj shtetasit në fjalë.
Janë përdorur etiketime të rënda ndaj Policisë dhe janë akuzuar efektivët e saj për faje, që nuk i kanë bërë, dhe reagimi ndaj rezistencës me forcë të personit, që kishin detyrë të ndalonin është nxjerrë jashtë kontekstit të ngjarjes.
Janë hedhur edhe variante alternative për mënyrën se si duhej kryer, ku duhej kryer, e kur duhej kryer ndalimi i shtetasit Ilir Meta, për shkak të asaj çka ai ka përfaqësuar në dekadat e jetës politike shqiptare.
Nuk dua të bëj asnjë polemikë me zotërinjtë dhe zonjat e angazhuara, në ekranet e këtij diskutimi.
Ata kishin mbrëmë, përtej pozicionimeve të njohura, edhe avantazhin e spektatorit në dhënien e gjykimeve, jashtë dinamikës dhe tensionit të ngjarjes.
Por e ndjej për detyrë të shprehem në emër të atyre efektivëve, të cilët nuk e meritojnë trajtimin tejet tendencioz, që iu bë operacionit të tyre.
Për zbatimin e vendimit të Gjykatës u angazhuan efektivë të Forcës Lëvizëse Operacionale, forcë e posaçme e trajnuar dhe specializuar për të ndjekur protokollet standarde sipas rastit, dhe jo punonjës të Rendit, që është një forcë shërbimi ditor.
Ata fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.
Kjo është zanafilla e ngjarjes dhe nga këtu fillon arsyetimi sipas protokollit, që Policia e Shtetit ndjek në ekzekutimin e një vendimi ndalimi.
Me këtë fakt lidhet edhe e gjithë shija, sigurisht jo e mirë e skenës që u krijua.
Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici.
Nga ana tjetër, askush nuk e thotë dot, që ajo shfaqje e dhunshme kundërshtie, nuk do të kishte qenë e njëjta kudo tjetër, ku do të mund të bëhej ndalimi i tij.
Madje sipas analizës përgatitore të operacionit, në të tjera rrethana, rezultati mund të kishte qenë edhe më problematik për shijen e atyre, që mbrëmë e trajtuan Policinë si autore të një operacioni të dhunshëm.
Por fatkeqësisht dhe çuditërisht, të gjithë ata “harruan”, që vetëm kundërshtimi i saj me dhunë dhe asgjë tjetër, e bëri të pashmangshëm shoqërimin me forcë të shtetasit Ilir Meta. Për pasojë edhe skenën shqetësuese!
Prandaj me keqardhje të sinqertë për pamundësinë e shmangies së shoqërimit të tij me forcë, jam po ashtu i keqardhur, që nuk bie dot dakord me optikën e akuzatorëve të mbrëmshëm të Policisë së Shtetit.
Me fjalorin e tyre ekstrem ndaj efektivëve të saj, jo dhe jo. Kurrën e kurrës.
Dhe në fund, e shoh të nevojshme të nënvizoj një të vërtetë absolute dhe fare banale. Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar dhe pikë. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg.
Pra, Policia e Shtetit dje kreu detyrën dhe u detyrua ta kryente duke përdorur forcën, për gjithë sa sqarova më lart, duke iu referuar dinamikës së ngjarjes, jo dëshirës, sesi do të kishte qenë më mirë të ndodhte apo të mos ndodhte. Versus.al








