Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij Belinda Balluku e cila është njëherës edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjitike, kanë prezantuar sot projektin “OSHEE Charger” që do të shërbejë për karikimin e mjeteve elektrike. *Balluku bëri me dije se është miratuar ndërtimi i projektit në hyrje të Tiranës për një vend ku do të realizohet karikimi i automjeteve elektrike njëkohësisht brenda pak minutash. *Nga ana tjetër, kreu i qeverisë përgëzoi idenë për projektin dhe tha se “OSHEE Charger” do të rregullojë çmimin për karikimin e mjeteve elektrike duke mos lejuar abuzimin në një treg të parregulluar ende. Më tej shtoi se brenda këtij mandati, vendi do të arrijë sovranitet të plotë nga importi i energjisë elektrike duke u mbështetur tek burimet e energjisë së rinovueshme.
Projekti ‘OSHEE Charger’, Rama: Do të rregullojë tregun për karikimin e mjeteve elektrike

Sa i takon projektit “OSHEE Charger”, kryeministri Edi Rama tha se qëllimi do të jetë që të mos ketë abuzime me çmimin e energjisë elektrike për karikimin e mjeteve.
Ai tha se çmimi i energjisë për mjetet elektrike do të jetë i mirë përcaktuar duke bërë që OSHEE t’i imponohet tregut për të mos lejuar keqkuptimet e mëdha lidhur me kostot e karikimit.
"OSHEE do të ndjekë politikë agresive nxitje duke i dhënë mundësi të gjitha atyre që e karikojnë automjetin e tyre elektrik në parkimin e apartamentit që ta blejnë me të njëjtin çmim që blejnë energjinë për çmimin shtëpiak. Ndërkohë që duke u futur në treg si aktor kryesor OSHEE do të imponojë një rregullim të një tregu ku kemi parë keqkuptime të mëdha, në kuptimin që po ngul disa karikues në rrugë dhe po u jap njerëzve energji me çmim më të lartë. Kjo nuk duhet të jetë kështu. Çdo aktor privat do ta blejë energjinë nga OSHEE me një çmim të mirë përcaktuar që nuk mund të jetë çmimi i marrjes së drejtpërdrejtë që a thua se po e merr nga parkim i shtëpisë. Besoj shumë që do të kemi lajme të mira për publikun dhe që do të vazhdojmë të forcojmë bazat për Shqipërinë 2030. Vetëm fakti që Shqipëria 2030 do të jetë një vend sovran në aspektin energjetik i thotë të gjitha të tjerat”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Rama. Versus.al
"Brenda 2026-ës, matës inteligjentë për energjinë", Rama: Synojmë të shpallim sovranitetin e plotë energjitik

Kreu i qeverisë, Edi Rama mori pjesë në konferencën ku u prezantua projekti “OSHEE Charger” lidhur me karikimin e automjeteve elektrike.
Teksa uroi që inovacioni të vijojë, Rama foli edhe për situatën energjitike në vend duke bërë me dije se brenda vitit të ardhshëm do të nisë pajisja me matës inteligjentë për energjinë elektrike. Sipas tij, kjo do të sjellë minimizimin e humbjeve të energjisë në rrjet.
“Brenda vitit të ardhshëm do kemi fillimin e punës transformuese për matësit e energjisë duke kaluar në sistemin e matësve inteligjentë me një parti të parë prej 350 mijë matësish. Brenda këtij mandati do përmbyllim edhe këtë process që do ta ulë edhe më shumë nivelin e humbjeve teknike në rrjet duke e çuar në mesataren e poshtme të BE. Do të rrisë cilësisht faturimin e çdo konsumatori duke riparuar edhe ato të meta të fundit që ka procesi i faturimit. Kemi nisur punën për të ngritur në Shqipëri një datacenter të fjalës së fundit.
Edhe pse nuk është drejtëpërdrejtë me OSHEE-në por me KESH-in prapë është inovacion që shkon në drejtimin që fola. Kompani e madhe publike ose një sektor strategjik ku përgjegjësia publike në shërbim tanimë është duke u përkthyer në përgjegjësi për projektimin dhe materializimin në kohë të atyre që janë bazat e të ardhmes”- tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri tha se së shpejti do të ketë një projekt strategjik në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë për ta bërë vendin eksportues të energjisë së rinovueshme. Ndërsa tha se brenda këtij mandati synon që Shqipëria të shpallë sovranitetin e plotë energjitik.
“Jemi në një proces ku po ecim edhe me interkonjeksionin, projektin madhor kombëtar që faktikisht do ta realizojmë si pjesë e një partneriteti strategjik me Italinë dhe me Emiratet e Bashkuara dhe që do na japë rëndësi të madhe strategjike për eksportin e energjisë të rinovueshme. Objektivi më i madh strategjik i yni është për ta kthyer Shqipërinë nga një vend që gjetëm në humnerë, në një vend eksportues neto të energjisë elektrike, diçka e paimagjinueshme pak vite më parë.
Brenda këtij mandati të qeverisë ne shpallim sovranitetin e plotë energjitik dhe të mos jemi më të varur nga importi i energjisë dhe luhatjet katastrofike që sjellin ndonjëherë krizat që nuk kanë të bëjnë me ne”- shtoi kryeministri. Versus.al
"Do të karikohen njëkohësisht 20 makina", Balluku prezanton projektin për mjetet elektrike: OSHEE Charger në hyrje të Tiranës

Në konferencën ku prezantoi “OSHEE Charge” për karikimin e automjeteve elektrike, zëvendës kryeministrja Belinda Balluku bëri me dije se një projekt i tillë rregullon aktivitetin e karikimit të mjeteve duke shtuar edhe numrin e pikave të karikimit të tyre në të gjithë vendin.
"Duke ndjekur filozofinë e inovacionit, sot jemi këtu për të lançuar një produkt të ri, oSHEE Charge, Shërbimi i karikimit të mjeteve elektrike. Ky është hap i domosdoshëm. Analizat tregojnë se rrjeti aktual i karikimit është ende i përqendruar në Tiranë, duke lënë boshllëk në qytetet e tjera. Aktualisht kuadri ligjor nuk e rregullon aktivitetin e karikimit të mjeteve elektrik pasi nuk lejon rishitjen e energjisë elektrike për asnjë tipologji biznesi. Mungesa e procedurave administrative ka prodhuar një treg të parregulluar ku energjia e blerë me 14 lekë rishitet nga tregtarët privatë nga 40 në 60 lekë. Sot në vend qarkullojnë mbi 16 mijë mjete elektrike dhe ekzistojnë 254 pika karikimi. Këtu kemi tendencë rritje nga e gjitha analiza që ne kemi bërë pasi pritet të ketë një konsum 14 milionë kilovat orë në vitet e ardhshme. Kjo rritje ka krijuar vështirësi në menaxhimin e ngarkesës së rrjetit dhe kosto të lartë disbalancash që vetëm në 10 mujorin e parë të këtij viti kanë arritur 1.2 milionë euro”- tha Balluku.
Ajo sqaroi se karikimi i mjeteve elektrike do të jetë i mundur edhe në shtëpi me të njëjtin çmim të përcaktuar nga OSHEE kur bëhet fjalë për konsum më të lartë se 800KË/H.
“Për të siguruar konkurrencë të ndershme me kërkesë të OSHEE është caktuar një çmim prej 22 lekë për kilovat orë. Të gjitha këto janë të vlefshme për subjektet që ofrojnë shërbimin e karikimit për efekt ekonomik. Ky çmim, pra 22 lekë është çmimi që do të blihet energjia nga tregtarët privatë. Ne nxisim rritjen e flotës elektrike duke nënvizuar edhe njëherë se konsumatorët familjarë do të vazhdojnë të karikojnë makinat pranë banesave, 9.5 lekë në rastet kur harxhojnë më shumë se 800 kilovat orë apo 8.5 lekë kur harxhojnë më pak”- shtoi numri 2 i qeverisë.
Më tej theksoi se qëllimi i projektit është ulja e kostove për rrjetin energjitik si dhe të stimulojë zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre mjeteve elektrike. Balluku dha lajmin se është miratur projekti për ndërtimin e një pike karikimi në hyrje të Tiranës ku do të mund të karikohen në mënyrë të shpejtë edhe 20 automjete njëkohësisht brenda pak minutash.
“Ky rregullim synon të vendosë në treg një barazi, të ulë kostot për rrjetin, të garantojë zhvillim të qëndrueshëm të mjeteve elektrike në vendin tonë. Përmes OSHEE Charge, do të sigurojmë çmime konkurruese dhe energjia që do përdoret në këto pika do vijë nga burimet e energjisë të rinovueshme.
Për ndërtimin e OSHEE Charge është përzgjedhur një pikë strategjike në hyrje të Tiranës është pjesë e unazës së re nga Tegu në drejtim të Farkës. Do ketë 10 kulla karikimi fast charges të cilat do të mund të karikojnë në të njëjtin moment për pak minuta, 20 automjete. Projekti ka marrë lejen e zhvillimit dhe ndërtimit”- u shpreh Balluku ndër të tjera. Versus.al
"16 mld euro investime të huaja në vend", Balluku: Energjia, sektori me 52% rritje krahasuar me 5 vite më parë

Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku ka mbajtur fjalën e saj sot në konfernecën ku ishte i pranishëm edhe kreu i qeverisë, Edi Rama për prezantimin e projektit të ri “OSHEE Charge”.
Përpara prezantimit të projektit, Balluku dha disa shifra lidhur me investimet e huaja në vendin tonë sa i takon sektorit të energjisë elektrike. Ajo tha se krahasuar me 5 vite më parë, janë rritur me 52% investimet e huaja në sektorin e energjitikës.
“Sot investimet e huaja kanë arritur 16 miliardë euro të llogaritura sipas metodologjisë tradicionale. Energjia është në vend të parë si contributor kryesor në investimet e huaja. Në vend të dytë është sektori i nxjerrjes, të dy sektorë të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sot 16 miliarë euro investime të huaja në vendin tonë janë mbi 250% krahasuar me një dekadë më parë.
Ndërsa sa i përket energjisë, kontributi në valutë ka arritur rreth 3.72 miliardë euro. Për të mos lënë asnjë derë të hapur për retorikë, vetëm në 5 vjeçarin e fundit jemi rritur me 52% me investimet e huaja vetëm në sektorin energjitik. Në sektorin e nxjerrjes kemi 2.60 miliardë euro ose 162% më shumë krahasuar me vitin 2020, vetëm 5 vite më parë. Ky është tregues i qartë i besimit që investitorët e huaja kanë tek zhvillimi i këtij sektori”- tha Balluku.
Më tej theksoi edhe reformat e ndërmarra brenda OSHEE-së për rifreskimin e moshës mesatare të elektriçistëve të punësuar në të gjithë vendin.
“OSHEE Group po hyn në një fazë të re transformimi duke kaluar përtej modelit klasik. Synimi ynë është të zhvillojmë kompaninë duke ofruar zgjidhje të reja që sjellin përfitime reale për qytetarët. Matësit inteligjentë, platforma digjitale, integrimi i rinovimeve janë elementët që po e bëjnë sistemin tonë më efikas.
Kemi identifikuar një mungesë të theksuar të kuadrove të rinj në fushën energjitike. Megjithatë kemi ndërmarrë gjatë vitit 2024 dhe 2025 nisma për sjelljen e gjakut të ri brenda ndërmarrjes së OSHEE prej 6800 punonjësish. Në thirrjen e parë duke mbajtur moshën mesatare shumë të ulët dhe sot kemi 280 elektriçstë të rinj që u janë shtuar radhëve të kësaj ushtrie të madhe të energjisë shqiptare”- shtoi zv.kryeministrja. Versus.al
