Çfarë do të gjeni në brendësi
*Në orën 18:00 nisi protesta e thirrur nga Partia Demokratike përpara godinës së qeverisë ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama duke e akuzuar këtë të fundit për situatën ku ndodhet vendi. *Kreu i PD Sali Berisha marshoi me disa deputetë demokratë nga selia blu drejt protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe gjatë këtij marshimi, u hodh edhe një molotov. *Policia ka vënë në gatishmëri 1500 efektivë për mbarëvajtjen e këtij tubimi, ndërsa janë rrethuar me gardh metalik instiucionet kryesore të vendit, por edhe xhamia e Namazgjasë. *Si në protestën e fundit, edhe këtë herë nuk pati fjalime, por vetëm marshim të qytetarëve me flamuj të Shqipërisë dhe të vendeve aleate.
U ndje keq nga gazi, Berisha ringrihet në këmbë dhe kthehet në krye të protestës

Sali Berisha u ringrit në këmbë disa minuta pasi ishte ndjerë keq nga gati lotsjellës që u përdor nga policia e shtetit.
Pavarësisht situatës ai u rikthye në krye të protestës dhe vijoi marshimin ku u hodhën molotovë e fishekzjarre të shumta nga ana e protestuesve. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Versus.al
Berisha ndihet keq nga gati lotsjellës, shoqërohet drejt banesës

Kryedemokrati Sali Berisha është larguar nga protesta që po vijonte me marshim për shkak se është ndjerë keq nga gazi lotsjellës.
Mësohet se kreu i PD është shoqëruar drejt banesës së tij nga truprojat që e rrethonin gjatë momentit kur pati përplasje mes policisë dhe grupit të protestuesve mes të cilëve ndodhej Berisha. Versus.al
Protestuesit i vënë flakën makinës së policisë pranë selisë së PS

Gjatë marshimit të protestuesve, këta të fundit i vunë flakën një prej makinave të policisë të cilën e sulmuan me bomba molotov.
Shpërthimi ndodhi në momentin që protestuesit po marshonin krahas selisë së PS pasi sulmuan ministrisë me molotov. Ndërsa fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për efektivë të lënduar. Versus.al
Protesta vijon me marshime, protestuesit hedhin molotov drejt ministrive

Pas hedhjes së fishekzjarreve dhe molotovëve drejt godinës së qeverisë, turma e protestuesve u zhvendos pranë sheshit Skënderbej. Përgjatë marshimit, ata hodhën molotovë e fishekzjarrë drejt ministrisë së Brendshme dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Policia nga ana tjetër, po përdor gaz lotsjellës dhe ujë me presion për t’i shpërndarë protestuesit. Mes tyre është edhe Berisha i cili ka vendosur maskë kundragaz. Versus.al
Breshëri fishekzjarresh dhe molotovësh drejt kryeministrisë, policia shpërndan protestuesit me ujë e gaz

Pa asnjë fjalim nisi protesta e sotme e Partisë Demokratike përballë qeverisë. Menjëherë pas mbërritjes së Berisha, mjaftuan disa minuta për të nisur aksioni me breshëri molotovësh e fishekzjarresh drejt godinës së këshillit të ministrave.
Policia bëri thirrje menjëherë për të ndalur sulmet drejt godinës, ndërsa përdori ujin me presion për të shpërndarë turmën e protestuesve. Versus.al
Jo vetëm qeveria e Kuvendi, edhe xhamia e Namazgjasë ‘’blindohet’’ për protestën e PD

Policia ka rrethuar me gardh metalik edhe xhaminë e Namazgjasë në prag të protestës së thirrur nga Partia Demokratike. Xhamia ndodhet pranë Kuvendit, aty ku në një prej protestave të mëparshme pati përplasje mes protestuesve dhe policisë që hodhi gaz lotsjellës duke bërë që edhe besimtarët të largoheshin nga objekti fetar.
Këtë herë, zv.drejtori i përgjithshëm i policisë, Sokol Bizhga ka vendosur që të marrë të gjitha masat paraprake për të shmangur një incident të ngjashëm me atë të protestës së mëparshme. Versus.al
1500 efektivë në terren për ''kryengritjen paqësore'' të PD, skenarët e protestës pa fjalime

Në orën 18:00 të mbrëmjes së sotme pritet të nisë protesta e radhës kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike për situatën ku ndodhet vendi pas skandaleve të zbuluara si rrjedhojë e hetimeve të SPAK.
Njëjtë si në protestën e radhës, tubimi do të nisë përpara godinës së kryeministrisë pa fjalime. Detajet e mëtejshme pritet të bëhen të qarta gjatë zhvillimit të saj. Kujtojmë se herën e kaluar, pati një marshim të qytetarëve nga godina e qeverisë, drejt policisë ku u kthyen mbrapsht dhe më pas në zonën e ish-Bllokut ku sulmuan me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Policia e Shtetit ka marrë masa të shumta për të garantuar rendin dhe sigurinë publike me rreth 1500 efektivë në terren dhe planin e masave që mbetet pothuajse i njëjtë me ato të protestave të mëparshme. Versus.al
Prag proteste, Berisha thirrje shqiptarëve: Ta shndërrojmë në kryengritjen më të madhe paqësore

Ndërkohë që pak orë na ndajnë nga protesta e radhës e Partisë Demokratike para qeverisë, kryedemokrati Sali Berisha nëpërmjet një videoje në rrjetet sociale u ka bërë thirrje qytetarëve që të nderojnë 34 vjetorin e ndarjes nga diktatura komuniste duke dalë në shesh.
Teksa e nisi videon me një urim për besimtarët myslimanë për festën e Novruzit, Berisha tha se vendi ndodhet në një autokraci elektorale ku zgjedhjet janë shndërruar në farsë dhe mandatet po përdoren për të mbrojtur korrupsionin.
Fjala e Berishës:
Të dashur qytetarë dhe qytetare!
Sot 22 Marsi, dita e Sulltan Nevruzit. Me këtë rast uroj nga zemra të gjithë bektashinjtë shqiptarë në këtë ditë.
Shpreh mirënjohjen dhe nderimin tim më të madh për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare.
Por sot, 22 Marsi është edhe një ditë e madhe në historinë e demokracisë në Shqipëri, është dita në të cilën 34 vite më parë, shqiptarët u ndanë nga diktatura komuniste me votën e tyre të lirë.
Sot pas 34 vitesh Shqipëria ndryshon si nata me ditën, krahasuar me Shqipërinë e 34 viteve më parë, por përsëri sot ne nderojmë 22 Marsin e vitit 1992, në kushtet e një diktature autoritare, apo autokraci elektorale.
Në kushtet të dhunimit, të shndërrimit të votës, të zgjedhjeve në farsë zgjedhore, në kushtet e një bashkëpunimi të ngushtë të pushtetit në të gjitha nivelet me kartelet e drogës dhe së fundi në kushtet e paketave ligjore dhe përdorimit të mandateve të krimit, për të bllokuar luftën kundër korrupsionit, për të mbrojtur korrupsionin, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale.
Ndaj dhe mënyra më dinjitoze për të nderuar sot 34 vjetorin e 22 Marsit është të dalim të gjithë në shesh, të ngrihemi fuqishëm për të kundërshtuar këtë regjim, për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti.
Për ti dëshmuar Edi Ramës dhe botës se, ne nuk pajtohemi kurrë me farsat zgjedhore.
Nuk pajtohemi kurrë me përdorimin e mandateve të krimit dhe të ligjeve të vendit, për të mbrojtur qeveritarët hajdutë dhe kryeministrin kryehajdut të vendit.
Sot le ta shndërrojmë ne këtë ditë në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Shqipëria, përsëri në ditën e shpresës së madhe për shqiptarët, të ardhmes evropiane të tyre. Versus.al

