Çfarë do të gjeni në brendësi
*Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita, e cila do të zhvillohet këtë të martë, më 10 shkurt, në orën 17:00, përpara Kryeministrisë. *Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar lidhur me protestën. *Ambasada u kërkon qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese.
Protesta e PD-së para Kryeministrisë, Sali Berisha zbulon skenarët
Pak orë para nisjes së protestës së Partisë Demokratike para Kryeministrisë, ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat nga selia blu, ku ka zbuluar skenarin e tubimit.
Berisha e përshkroi protestën si një “kryengritje të fuqishme paqësore”, duke theksuar vendosmërinë e demokratëve për të mbrojtur vlerat e përbashkëta që njerëzit e lirë ndajnë në Shqipëri dhe në botë.
“Skenari i protestës është skenari i një kryengritjeje të fuqishme paqësore, që do të përcillet sot më shumë se kurrë në vatrat e të gjithë shqiptarëve, por edhe në Bruksel, SHBA dhe qendra të tjera kryesore, për të dëshmuar se ne nuk mposhtemi kurrë nga një narkokraci dhe se jemi të vendosur të mbrojmë me çdo çmim vlerat e përbashkëta që njerëzit e lirë ndajnë në Shqipëri dhe në botë”, tha ai.
Berisha shtoi se skenari i sotëm zhvillohet pas dështimit të fazës së parë të grushtit të shtetit dhe pas inicimit të fazës tjetër nga Edi Rama.
“Skenari i sotëm zhvillohet pas dështimit të fazës së parë të grushtit të shtetit dhe pas inicimit të fazës tjetër nga Edi Rama. Ai zhvillohet gjithashtu pas “kartonit të zi” që iu nxor në Bruksel një njeriu që, për të mbuluar vjedhjet e tij, është i gatshëm t’i vërë flakën një procesi aq jetik sa integrimi në BE, ëndrra më fisnike e shumë brezave, për Shqipërinë zonjë në Europë”, u shpreh kreu i PD-së./Versus.al
Mbi 1.000 efektivë në terren, Policia me masa të shtuara për protestën e opozitës

Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita, e cila do të zhvillohet këtë të martë, më 10 shkurt, në orën 17:00, përpara Kryeministrisë.
Sipas burimeve për media, mbi 1.000 efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren dhe në gatishmëri. Krahas forcave të rendit, do të jenë të përfshira edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, RENEA, si dhe agjentë civilë.
Nga ora 00:00 është ndaluar parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.
Ndërkohë, nga ora 15:00 dhe deri në mbyllje të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të ecurisë së tubimit, mund të vendosen kufizime edhe në akse të tjera rrugore. Policia e Tiranës ka parashikuar devijimin e qarkullimit përmes rrugëve alternative në rast bllokimesh.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat që do të bllokohen, për të mos penguar zhvillimin normal të protestës.
Kujtohet se gjatë protestës së 24 janarit u arrestuan 18 persona, 17 të tjerë u proceduan penalisht dhe dy protestues u shpallën në kërkim.
Gjithashtu, 11 punonjës policie u dëmtuan dhe morën ndihmë mjekësore, ndërsa sekretari organizativ i Partisë Demokratike u procedua penalisht për veprën “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”./Versus.al
Protesta e PD-së, ambasada e SHBA-së në Tiranë thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni demonstratën!
Ambasada Amerikane në Tiranë ka ndarë një paralajmërim për qytetarët amerikanë, në lidhje me protestën kombëtare që organizohet sot nga opozita.
Ambasada bën thirrje për të shmangur demonstratën dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve në lidhje me sigurinë.
“Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale”, thuhet në postim.
Postimi i plotë:
Një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të martën, më 10 shkurt 2026, në orën 17:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen te ndërtesa e Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut.
Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit. Personelit të Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.
Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:
Veprimet që duhen ndërmarrë:
• Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin këtë ngjarje
• Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth
• Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik
• Monitoroni mediat lokale
• Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje
• Mbani një profil të ulët

