Çfarë do të gjeni në brendësi
Zgjedhjet në Kosovë, kreu i KQZ thirrje qytetarëve: Dilni për të votuar!
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniçi, nga qendra e votimit ku votoi u bëri thirrje qytetarëve të dalin dhe shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.
Radoniçi deklaroi se janë marr të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të gjithë territorin e Kosovës.
“Dje e kemi pas procesin e votimit në diasporë dhe gjithçka ka shkuar qetë sipas njoftimeve. Uroj që të jetë një ditë e qetë dhe e mbarë për të gjithë dhe procesi të mos ketë asnjë problem”, deklaroi kryetari i KQZ-së.
Radoniçi shpjegoi se pa përfshirë SHBA-në dhe Kanadanë, numri i atyre që kanë votuar në diasporë është mbi 15 mijë persona./Versus.al
Shqiptarët e Kosovës do të votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Dy milion shqiptar të Kosovës, do ti drejtohen sot kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u shpallën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e miratoi asnjërin prej dy kabineteve qeveritare që u propozuan.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), shpërndau materialet zgjedhore, fletët e votimit në 38 komuna.
Sipas KQZ, 1 milion e 999 mijë e 24 shtetas kanë të drejtë të votojnë në këto zgjedhje parlamentare.
“Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, deklaroi Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë janë regjistruar në zgjedhjet e sotme. Tetë subjekte politike janë të shqiptarëve me 624 kandidatë që synojnë 100 vendet në Kuvend, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve që garojnë për 20 karriget e garantuara./Versus.al

