Çfarë do të gjeni në brendësi
*Valë largimesh në Bashkinë e Fierit dhe në Bashkinë e Durrësit. *Rama i pakënaqur nga puna e institucioneve vendore u ka kërkuar dorëheqjen të gjithë drejtorëve rajonalë të Fierit për mospërmbushje të detyrimeve. *Kreu i qeverisë ka shprehur pakënaqësi të mëdha për administrimin e hapësirave publike dhe pastërtinë në qytet. *Dhe në Durrës kryeministri ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve rajonalë për mos përmbushje te detyrimeve.
Pas Vlorës dhe Fierit, Rama kërkon largimin e të gjithë drejtorëve edhe në Durrës

Aksioni i nisur nga kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike po sjell tronditje në disa bashki të vendit.
Pas ndërhyrjes në Vlorë, Rama zhvilloi takime me tone të forta edhe në Bashkitë e Fierit dhe Durrësit, ku kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtuesve që varen nga administrata lokale, përfshirë edhe krerët e institucioneve që, sipas tij, kanë dështuar në përmbushjen e detyrave.
Në takimet me kryeministrin ishin të pranishëm drejtorë rajonalë, drejtues institucionesh dhe deputetë të qarqeve përkatëse. Fillimisht, Rama ndaloi në Fier, ku kritikoi ashpër gjendjen e hapësirave publike, nivelin e pastërtisë dhe mospërfilljen ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se besimi i qytetarëve, i shprehur me 12 mandate për PS-në në Fier, duhet kthyer në përgjegjshmëri dhe punë konkrete.
Largimet nga detyra pritet të ndodhin në mënyrë të koordinuar dhe në bazë të performancës individuale të secilit drejtues.
Ndryshimet e paralajmëruara u njoftuan fillimisht nga vetë Rama teksa ishte rrugës për në Fier, ku theksoi nevojën për “energi të reja” dhe një qasje më efikase ndaj problematikave urbane.
Kujtojmë se aksioni nisi në Vlorë, ku u shkarkuan 21 drejtorë dhe u vendos një ultimatum për bizneset që kishin zënë hapësirat publike, kryesisht trotuaret./Versus.al
'Na ka vlerësuar me votë'/ I pakënaqur me situatën në Fier, Rama kërkon dorëheqjen e drejtorëve lokalë
Pas aksionit të nisur disa ditë më parë në Vlorë, Kryeministri Edi Rama e zhvendosi sot fokusin vetëm pak kilometra më larg, në Fier.
Gjatë një mbledhjeje me tone të ashpra në ambientet e Bashkisë Fier, Rama shprehu pakënaqësinë e tij për performancën e drejtuesve vendorë dhe kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve që varen nga bashkia.
Ky veprim u paralajmërua prej tij disa orë më parë dhe vjen si pjesë e të ashtuquajturit “aksion vetëpastrimi” që ka nisur në pushtetin lokal.
“Jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëlehtësim i brendshëm i strukturës. Domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz, por edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha një realitet në transformim të vazhdueshëm. Duhen sy të freskët, duhet një përpjekje shtuar, një hov i ri, sepse 12 mandate në Fier, janë histori, e shkruar nga dhjetëra mijëra mbështes tanë në zone”, mësohet të ketë thënë Rama gjatë mbledhjes.
Dorëheqja është kërkuar për të gjithë drejtuesit e drejtorive rajonale në Fier, dy nënkryetarët e bashkisë, si dhe për drejtuesit e departamenteve brenda institucionit vendor.
Mësohet se Rama u ka kërkuar llogari për mënyrën e administrimit të punëve në qytet, duke u ndalur veçanërisht te zaptimi i hapësirave publike. Në Fier pritet të nisë një aksion i ngjashëm me atë që është ndërmarrë më herët në Vlorë.
Gjendja e pastërtisë në qytet ka qenë një tjetër pikë kritike, për të cilën kryeministri u ka tërhequr vëmendjen drejtuesve lokalë. Sipas tij, ata nuk kanë dëgjuar dhe nuk u janë përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve.
Rama ka theksuar se besimi që qytetarët i kanë dhënë Partisë Socialiste në Fier me 12 mandate duhet të kthehet në punë konkrete dhe respekt për ta. “Ata na kanë vlerësuar me votë, ndaj ky vlerësim duhet kthyer me respekt ndaj tyre”, është shprehur ai.
Në takimin me dyer të mbyllura, Rama ishte i shoqëruar nga drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, si dhe deputetja e zonës, Antoneta Dhima./Versus.al
FOTO/ Rama viziton Bashkinë e Fierit në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike

Kryeministri Edi Rama mbërriti pasditen e sotme në Bashkinë e Fierit, ku paralajmëroi shkarkime në drejtori të ndryshme, në kuadër të një "aksioni vetëpastrimi", siç e quajti ai.
Gjatë një takimi të parashikuar me drejtuesit vendorë, Rama pritet të diskutojë për lirimin dhe riorganizimin e hapësirave publike, një proces që, sipas tij, do të shoqërohet me ndërhyrje të drejtpërdrejta në strukturat drejtuese të bashkisë.
Në hyrje të godinës së bashkisë, Rama u pa i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila mban edhe postin e drejtueses politike të PS në qarkun e Fierit.
Pas veprimeve të ngjashme në Bashkinë e Vlorës, kryeministri duket se po ndjek të njëjtën linjë edhe për Bashkitë e Fierit dhe Durrësit. Këto veprime kanë ngjallur diskutime mbi respektimin e ligjit për autonominë vendore, pasi ndërhyrjet direkte nga qeveria qendrore në administratën vendore po konsiderohen si tejkalim i kompetencave ligjore.
Rama: Vlora pa ujë e papranueshme, ndodh nga paaftësia dhe paturpësia! Rasti "Gjeli" të hetohet!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me aksionin për çlirimin e hapësirave publike, duke zhvilluar një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale. Në fjalën e tij, ai theksoi se ky aksion nuk do të mbetet i kufizuar vetëm në Vlorë, por do të shtrihet në qytete të tjera si Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Fieri.
“Është krejtësisht e papranueshme që hapësirat publike të zihen, që trotuaret të shndërrohen në prona private për përfitim personal, apo që qytetarët të detyrohen të paguajnë për hapësira publike të përdorura si parkim privat”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se mbështet sipërmarrjet dhe iniciativën private, por jo në dëm të interesit publik. Ai e cilësoi ndërhyrjen në Vlorë si një shembull që do të pasohet edhe në qytete të tjera, me qëllim rikthimin e hapësirave të përbashkëta te qytetarët.
Në këtë komunikim, Rama iu referua edhe problematikës së furnizimit me ujë të pijshëm në qytetin bregdetar të Vlorës, të cilën e konsideroi si rezultat të paaftësisë dhe mungesës së përgjegjësisë nga institucionet përgjegjëse.
“Vlora nuk ka mungesë uji, por ka vuajtur nga paaftësia dhe paturpësia që ka penguar një furnizim normal me ujë për qytetarët,” tha ai, duke shtuar se situata nuk mund të tolerohet më.
Sipas kryeministrit, ka ardhur koha për një riorganizim të thellë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, për të garantuar një administrim më të drejtë dhe më efikas në shërbim të qytetarëve. Ai paralajmëroi se periudha në vijim do të shënojë sfida të rëndësishme, por edhe ndryshime të domosdoshme që do të sjellin përfitime konkrete për komunitetet në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me çështjen e ndërtimit të paligjshëm në Theth, ku 10 kabina, sipas tij pa leje ndërtimi, janë tashmë hequr. Në një deklaratë publike, Rama theksoi se Ministria e Drejtësisë po përgatit dokumentacionin për të kërkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) nisjen e hetimeve jo vetëm ndaj prokurores së çështjes, por edhe ndaj të gjithë Prokurorisë së Shkodrës.
Rasti Thethi
“Është e papranueshme dhe shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth. Strukturat shtetërore që ndërhynë për të mbrojtur ligjin janë braktisur nga një prokurore, ndërkohë që e gjithë Prokuroria e Shkodrës duket se i del në mbrojtje,” tha Rama.
Ai kritikoi ashpër arsyetimin e organit të akuzës, duke vënë në dukje mungesën e logjikës në vendimmarrje: “Në shkollë këta njerëz mësojnë edhe një lëndë që quhet logjikë. Por në këtë rast, ajo që mungon më shumë është pikërisht logjika. Kjo mungesë nuk është thjesht teknike – ajo përkthehet në dëme të mëdha për komunitetin, për qytetarët, për pasurinë publike dhe për imazhin e Shqipërisë në sytë e vizitorëve.”
Rama u ndal veçanërisht tek reagimi i turistëve që ndodhen në Theth, të cilët sipas tij janë dëshmitarë të një situate të turpshme: “Çfarë përshtypjeje u lëmë qindra turistëve që në mes të Thethit shohin fadromat duke prishur një ndërtim të paligjshëm, plagë e hapur nga një individ i papërgjegjshëm që ka kryer një krim të shumëfishtë dhe që ende sot nuk është identifikuar, për shkak se prokurorja e çështjes ka vendosur të mos fillojë hetimin.”
Sipas kryeministrit, kjo qasje është një sinjal alarmi për funksionimin e drejtësisë në vend dhe kërkon përgjegjësi të qarta institucionale. Ai paralajmëroi se rastet e tilla nuk do të tolerohen, dhe theksoi se shteti do të vazhdojë të veprojë për mbrojtjen e ligjit, mjedisit dhe të së mirës publike.







