Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ka nisur zyrtarisht mëngjesin e kësaj të mërkure operacioni për çmontimin e urës së Dragostunjës, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, përgjatë aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, pasi struktura u dëmtua rëndë nga rrëshqitja dhe fundosja e terrenit. *Ura u bë e pakalueshme pas një lëvizjeje të fortë të masivit të dheut, e cila destabilizoi themelet dhe e përjashtoi çdo mundësi riparimi. *Demontimi po realizohet me mjete të rënda dhe nën masa të shtuara sigurie, për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës. *Konfindustria ka reaguar ashpër për bllokimin pesëditor të këtij aksi rrugor duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më serioze për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Shqipëria. *Sipas organizatës, ndërprerja e këtij segmenti strategjik rrezikon të sjellë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata për bizneset, industrinë dhe prodhimin vendas.
Pas bllokimit të rrugës Librazhd-Prrenjas, rritet çmimi i biletës së transportit

Bllokimi i aksit Librazhd–Përrenjas ka pasur ndikime të drejtpërdrejta në transportin ndërqytetas, ku qytetarët po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave.
Nëse më parë një biletë për Tiranë kushtonte rreth 700 lekë të reja, tani çmimi ka shkuar në 1000 lekë të reja.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë rritje, duke theksuar se për shumë familje është e papërballueshme, dhe kërkojnë që ky çmim të mos mbetet i përhershëm pas normalizimit të situatës.
Shoferët shpjegojnë se rritja e çmimit lidhet me zgjatjen e kohës së udhëtimit, konsum më të lartë të karburantit dhe amortizim të mjeteve.
Furgonat që lidhin Juglindjen me kryeqytetin janë detyruar të ndryshojnë itinerarin, duke kaluar nga aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, një rrugë më e ngushtë, me kthesa dhe e dëmtuar, që ka rritur ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe kostot operative.
Bllokimi i aksit Librazhd–Përrenjas, reagon ashpër Konfindustria: Goditje e rëndë për ekonominë dhe sigurinë kombëtare

Konfindustria ka reaguar ashpër për bllokimin pesëditor të aksit rrugor që lidh Librazhdin me Përrenjasin, duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më serioze për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Shqipëria.
Sipas organizatës, ndërprerja e këtij segmenti strategjik rrezikon të sjellë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata për bizneset, industrinë dhe prodhimin vendas.
Konfindustria i bën thirrje qeverisë dhe SPAK të ndërmarrin masa urgjente për zgjidhjen e situatës, duke paralajmëruar se vonesat mund të shkaktojnë humbje të mëdha financiare, rritje kostosh dhe deri falimentime. Organizata thekson gjithashtu se qytetarët mund të detyrohen të furnizohen me produkte bazë dhe karburant në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Në deklaratë nënvizohet se mbyllja e rrugës kombëtare drejt Korça, pjesë e gjurmës së Korridorit 8, së bashku me problemet në akset ndihmëse, tunele dhe ura, po e lë Juglindjen pothuajse të shkëputur. Sipas Konfindustrisë, situata dëmton edhe pozicionin gjeostrategjik të vendit si korridor tranziti Lindje–Perëndim, duke favorizuar konkurrencën rajonale dhe duke cenuar edhe detyrimet ndaj NATO.
Administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, thekson se zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme, pasi çdo vonesë e mëtejshme rrezikon stabilitetin ekonomik dhe besueshmërinë e vendit si nyje e rëndësishme transporti në rajon./Versus.al
Rrëshqitja e dherave në Librazhd-Prrenjas, nis demontimi i urës te 'Arrat e Gurrës'

Ka nisur zyrtarisht mëngjesin e kësaj të mërkure operacioni për çmontimin e urës së Dragostunjës, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, përgjatë aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, pasi struktura u dëmtua rëndë nga rrëshqitja dhe fundosja e terrenit.
Ura u bë e pakalueshme pas një lëvizjeje të fortë të masivit të dheut, e cila destabilizoi themelet dhe e përjashtoi çdo mundësi riparimi.
Ekspertët në terren konfirmojnë se zhvendosja e trupit të rrugës dhe çarjet në shtresat mbajtëse e kanë nxjerrë plotësisht jashtë funksioni, duke e kthyer në rrezik për qarkullimin dhe sigurinë publike.
Demontimi po realizohet me mjete të rënda dhe nën masa të shtuara sigurie, për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës. Zona vijon të konsiderohet me rrezik të lartë gjeologjik, ndërsa lëvizjet e dheut raportohen ende aktive në disa segmente përreth.
Shembja e urës ka përkeqësuar ndjeshëm situatën e trafikut në këtë aks të rëndësishëm lidhës, duke izoluar përkohësisht disa komunitete dhe duke detyruar devijimin e qarkullimit në rrugë alternative rurale, të cilat nuk përballojnë fluksin e automjeteve.
Autoritetet pritet të hartojnë një projekt të ri për ndërtimin e një ure më të qëndrueshme dhe të përshtatur me kushtet gjeologjike të zonës, ndërsa banorët kërkojnë transparencë mbi afatet dhe garanci për një zgjidhje afatgjatë. Ndërkohë, në “Arrat e Gurrës” vijon gara me kohën dhe natyrën për rikthimin e normalitetit në një nga segmentet më problematike të qarkut./Versus.al
View this post on Instagram

