Çfarë do të gjeni në brendësi
*Zona “Arrat e Gurrës” në fshatin Dragostunjë të Librazhdit vazhdon të përballet me probleme serioze infrastrukturore dhe mungesë qetësie. *Segmenti rrugor, i cili pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, pësoi një tjetër dëmtim të rëndë. *Kryeministri Edi Rama do të vizitojë sot Korçën për të inspektuar përfundimet e punimeve në Polin e Dijes. *Për shkak të gjendjes së rrugëve, Rama do të udhëtojë me helikopter drejt Korçës, duke shmangur aksin Maliq–Gramsh–Elbasan, i cili është aktualisht i vetmi segment i hapur për qarkullim. *ARRSH njoftojnë se strukturat shtetërore do të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni në zonën ‘Arrat e Gurës’ mbetet i paqëndrueshëm dhe i vështirë për ndërhyrje.
Udhëtimi me helikopter, Rama: Shoqërova një grup investitorësh! Ligësi t'i faturosh qeverisë problematikën e një rrëshqitje gjeologjike!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kritikat për fluturimin e tij me helikopter drejt Korçës, duke sqaruar se udhëtimi nuk ka lidhje me problematikën e aksit rrugor të bllokuar.
Rama shpjegon se vizita shërben për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, duke prezantuar Polin e Dijes në Korçë dhe kompleksin e ri në Vlorë, si dy destinacione potenciale për universitete të njohura ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë thekson se fluturimi me helikopter ishte planifikuar më parë për të mundësuar vizitën e investitorëve, të cilët do të shohin Korçën, Vlorën dhe Tiranën brenda 24 orëve. Ai shton se përdorimi i helikopterit të Forcave të Armatosura nuk ka lidhje me bllokimin e rrugës dhe është pjesë e fluturimeve të rregullta të këtij aparati.
Rama gjithashtu i bën thirrje publikut dhe mediave të mos i atribojnë qeverisë faj për rrëshqitjet natyrore që kanë ndodhur në aksin e bllokuar, duke i krahasuar ato me fatkeqësi natyrore të ngjashme që po ndodhin dhe në Itali.
Postimi i kryeministrit Rama:
Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!
Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!
Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!
Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend - parti politike jo e jo - që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë.
Ndërsa për fluturimin tim mbi aksin e bllokuar, kam edhe këto dy fjalë: E para, i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfillur rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike!
E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri. Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten. *për qartësi, bashkëlidhur është rrëshqitja aktuale në Itali, se gati janë ta transferojnë në Shqipëri./Versus.al
Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar… pic.twitter.com/asaVv0Sngz
— Edi Rama (@ediramaal) February 23, 2026
Dëmtime në rrjetin energjetik pas problemeve në aksin Librazhd-Pogradec, stakohet energjia në disa zona

Problemet në aksin Librazhd-Pogradec kanë shkaktuar dëmtime në rrjetin energjetik dhe bllokim rrugësh.
Sot energjia elektrike do të stakohet nga ora 10:00 deri në 17:00 për demontimin e shtyllës së tensionit të mesëm në Linjën 110 kV Librazhd – HEC Egnatia.
Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Polin e Dijes në Korçë me helikopter, pasi aksi rrugor është i bllokuar, ndërsa ARRSH njofton se në zonën “Arrat e Gurrës” do të kryhet rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik.
Pa energji elektrike do të mbeten disa zona në rrethin e Librazhdit, përfshirë: Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe dhe HEC-i Xhyrë./Versus.al
ARRSH njoftim zyrtar për aksin Përrenjas-Librazhd: Do kryhet rivlerësim urgjent gjeologjik!

Autoritetet e ARRSH kanë njoftuar se segmenti rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, fshati Dragostunjë, Librazhd, i cili pritej të hapej mesditën e sotme pas ndërhyrjes me bypass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, ka pësuar një zhvillim të ri.
Rruga dytësore, e hapur për kalim provizor, ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje toke, duke dëmtuar punimet e kryera dhe duke e bërë segmentin të pakalueshëm. Për arsye sigurie, mjetet e firmës zbatuese janë tërhequr dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.
Autoritetet njoftojnë se strukturat shtetërore do të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni mbetet i paqëndrueshëm dhe i vështirë për ndërhyrje.
“Rruga dytësore e hapur për kalim provizor ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje toke, duke dëmtuar punimet e kryera dhe duke e bërë segmentin aktualisht të pakalueshëm.
Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.
Strukturat shtetërore do të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje”, njoftojnë autoritetet./Versus.al
Do të inspektojë punimet në Polin e Dijes! Rrugët drejt juglindjes të bllokuara, kryeministri Rama shkon me helikopter në Korçë!

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë sot Korçën për të inspektuar përfundimet e punimeve në Polin e Dijes, ndërkohë që disa prej akseve kryesore që lidhin juglindjen me pjesën tjetër të vendit janë të bllokuara.
Për shkak të gjendjes së rrugëve, Rama do të udhëtojë me helikopter drejt Korçës, duke shmangur aksin Maliq–Gramsh–Elbasan, i cili është aktualisht i vetmi segment i hapur për qarkullim.
Situata infrastrukturore në zonë mbetet problematike. Segmenti i bllokuar në Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, vazhdon të jetë i mbyllur, ndërsa rruga dytësore që ishte hapur për qarkullim provizor ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje të një sipërfaqeje të madhe toke, duke e bërë të pakalueshëm segmentin dhe duke ndaluar kalimin e këmbësorëve. Makinat e firmës janë larguar për shkak të frikës së dëmtimeve të mëtejshme.
Prania e shtuar e forcave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës është vënë re në zonë, ndërsa Policia e Korçës është njoftuar se kryeministri do të zbresë me helikopter në qytet rreth orës 11:00.
Ndërkohë, aksin Maliq–Gramsh mbetet i vetmi lidhës me juglindjen, por edhe aty është regjistruar trafik i dendur për shkak të fluksit të lartë të automjeteve./Versus.al
Shembet sërish rruga në "Arrat e Gurrës",anulohen planet për rihapjen në mesditë
Zona “Arrat e Gurrës” në fshatin Dragostunjë të Librazhdit vazhdon të përballet me probleme serioze infrastrukturore dhe mungesë qetësie. Segmenti rrugor, i cili pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, pësoi një tjetër dëmtim të rëndë.
Ky incident e bën rrugën të pakalueshme dhe rrit rrezikun për çdo kalim, duke përfshirë edhe këmbësorët, të cilët janë ndaluar të qarkullojnë në atë zonë. Rruga dytësore, e hapur për kalim provizor të mjeteve, ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje të një sipërfaqeje të madhe toke, ndërsa makinat e firmës janë larguar për shkak të frikës së dëmtimeve të mëtejshme.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm në ditët e fundit për shkak të rrëshqitjeve të tokës dhe dëmtimit të urës, duke rritur rrezikun për çdo lloj qarkullimi.
Bllokimi i këtij segmenti vazhdon të shkaktojë probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe në lidhjen mes zonave, duke theksuar nevojën për një zgjidhje infrastrukturore afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Specialistët paralajmërojnë se terreni në këtë zonë mbetet shumë i paqëndrueshëm, gjë që e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë./Versus.al


