Çfarë do të gjeni në brendësi
Vendimi për të ndaluar një vit, TikTok: Duam sqarime urgjente nga qeveria shqiptare!
Kompania e rrjetit social, Tik-Tok ka reaguar për vendimin e kryeministrit Edi Rama për të ndaluar këtë platformë në Shqipëri, duke filluar që nga viti i ardhshëm.
Në një përgjigje ndaj Associated Press, kompania e Tik-Tok tha se donte “sqarime urgjente nga qeveria shqiptare për rastin e adoleshentit të vrarë me thikë”, duke ju referuar sherrit mes adoleshentëve pranë shkollës “Fan Noli”, ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani.
Sipas AP, kompania tha se “nuk kishte gjetur ndonjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe raportimet e shumta në fakt kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë incident ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok”.
Kujtojmë se vendimin kreu i qeverisë e bëri të ditur ditën e sotme. Rama thekoi se përgjatë vitit të aplikimit të masës do të shihet se si veprojnë vende e tjera dhe nëse do vendosen filtra në rrjetin social.
“Është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës ai rrugaçi i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok. TikToku është rrugaçi i lagjes, që ne kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTokun do ta mbyllim për një 1 vit. Kemi bërë hulutimiet tona në aspektin teknologjik, do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Pastaj dhe gjatë atij viti do të shikojmë se si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do të nxjerrë teknologjia për filtra etj., si do të reagojë TikTok“, tha Rama.
Vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit. Mbyllja e Tik Tok-ut pritet të shoqërohet nga vendosja e kamerave brenda dhe përreth shkollave, rregulla të reja mbi telefonat celularë gjatë orëve mësimore, me dyfishimin e oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, si dhe me koordinim më të fortë mes tyre dhe policisë së shtetit.
‘Edhe në spital fëmijët do bëjnë mësim’/ Masat e reja në arsim, Rama: Do hapen ferma brenda shkollave
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot planin e ri të veprimit për zhvillimin dhe sigurinë në shkolla.
Nga takimi i zhvilluar me prindër e mësues Rama tha se po punohet edhe për një program që edhe fëmijët e shtruar në spital të bëjnë mësim.
Ndër të tjera, ai tha se po punohet edhe për planin e fermës në shkolla, ku siç tha ai, fëmijët do të mësojnë se ‘domaten nuk e prodhon TikTok-u’. Sipas Ramës, në shkolla do futen dhe aktivitete të tjera sportive, veç volejbollit, basketbollit dhe futbollit, e po ashtu, edhe loja e shahut.
‘Ndërkohë që ajo çka është e rëndësishme të dihet është që ne po e shtrijmë punën për fëmijët edhe në institucionet e tjera, jashtë gjithë asaj që u diskutua dhe do e kthejmë në një sistem pune e financimi, që çdo institucion në Shqipëri duhet të ketë programin e vetë për fëmijët.
Ne ndërkohë jemi duke ndërtuar në spitalin pediatrik një program për të çuar shkollën te fëmijët. Pra fëmijët në spital të kenë mundësinë për të bërë shkollë, që është një model i shkëlqyer i marrë nga Izraeli dhe që po e përgatisim me miqtë nga Izraeli.
Po përgatisim institutin e fëmijëve në konflikt me ligjin, një institut që është një model europian, një model i shekullit të ri, një model i shkollës së riedukimit, për të gjithë ata fëmijë që kanë kryer një vepër, që nëse s’do të ishin minoren, do të ishin në burg.
Ky institut është një projekt, ashtu si kundër programi i fermës në shkollë që e kemi nisur. Duhet të bëhet dhe do të bëhet një program i Ministrisë së Bujqësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, që është një program i prodhimit dhe shitjes së produkteve, që fëmijët të kuptojnë që domatja nuk prodhohet në TikTok.
Për të gjithë atje, Ministria e Mbrojtjes do të ketë një program të dedikuar për fëmijët. Policia e shtetit gjithashtu. Është shumë e rëndësishme që ne fëmijët t’i lidhim me jetën reale, që fëmijët të përfshihen ta kenë jetën reale përpara syve. Ky është një moment që na jep shumë arsye për të çuar më shumë punë. Ky është një moment që ne kemi bindjen për të bërë shumë më tepër, për shkak të gjërave që ne kemi bërë.
Çfarë kemi bërë në këto vite për të transferuar shkollën, kemi fëmijë që janë të aktivizuar në aktivitete fizike, volejboll, basketboll, që shteti i blen të gjitha mjetet që i duhen, siç ndodhte dikur. Do të fusim vitin e ardhshëm shahun në shkollë, do të fusim disiplina të tjera, sepse s’mund t’i bëjmë të gjitha volejbollist e basketbollist dhe do t’i krijojmë mundësinë që brenda një 3-vjeçari, çdo fëmijë të ketë mundësinë të merret me sport, jo për ta bërë sportist, por aty ku ka një dhunti, ose aty ku përshtatet më shumë të mësojë një disiplinë sportive.
Po ku t’i bënim ne ekipet sportive 10 vite më parë, në cilat palestra, në cilat fusha? Sot, pas 10 vitesh nuk kalon një leje ndërtimi në shkollë në një bashki, nëse projekti nuk ka palestër. Së fundmi kemi vënë dhe një rregull tjetër, për ata që ndërtojnë resortet dhe pallate, që nuk do të ketë leje nëse në atë resort nuk do të ketë një hapësirë për fëmijët. Nga çdo ndërtim në Tiranë, nga çdo ndërtim në Shqipëri do të duhet të dalë një shumë që të shkojë për një çerdhe, për një kopshte etj’, tha Rama.
Rama: Duke filluar nga janari do ta mbyllim 'TikTok-un' për një vit
Kryeministri Edi Rama njoftoi se si do të funksionojë mbyllja e rrjetit social “TikTok” në vendin tonë.
Nga takimi me prindër e mësues diskutoi masat e reja të qeverisë në shkolla, Rama tha se “TikTok” do të mbyllet për një vit, duke shtuar se ndihet i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër kjo platformë do mbyllet.
“Është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës ai rrugaçi i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok. TikToku është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një 1 vit. Rrugaçë, perversitete, llum e qenëri nuk sheh në TikTikun e Kinës.
Unë sot ndihem i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër, pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të gjithë faktorët që janë drejtpërdrejtë që janë të lidhur me këtë sferë të edukimit dhe sigurisë të fëmijëve tanë, kemi një produkt konkret, me masa konkrete dhe kemi sigurinë që duke zbatuar këtë plan do të kemi një sistem arsimor më të mirë dhe më të sigurt”, tha Rama.
Bllokimi i TikTok pas vrasjes së Martinit, Rama: Dy Shqipëri përballë tragjedisë, një që reflekton dhe një që bën farsë
Nga takimi me prindërit dhe mësuesit për planin e ri të masave për sigurinë në shkolla ku përfshihet edhe bllokimi i Tiktok, kryeministri Edi Rama tha se tragjedia u bë shkak që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë.
“Faleminderit që në një paradite pushimi jeni të gjithë këtu, anëtarë dhe përfaqësues të këshillit të prindërve, drejtues dhe mësues shkollash, përfaqësues të institucioneve, në një takim që sintetizon të gjithë procesin e këshillit në të gjithë territorin e Shqipërisë, prej ku doli dhe plani i ri i veprimit, për fuqizimin e mekanizmave të sigurimit në shkollë.
U bë shkak një tragjedi që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë dhe një tërësi komunitetesh shkollore dhe prindërore dhe të gjithë territorin e Shqipërisë dhe nga ana tjetër të vihej në lëvizje e njëjta fuqi lëvizje e vetshoqërisë, e përfaqësuar dhe mishëruar në Parlamentin e Shqipërisë dhe në media.
Si gjithnjë, qasja ndaj një ngjarje ka sjellje të ndryshme. Si gjithnjë, në një qasje ndaj një ngjarje ka një farsë, ka dhe një marrje përgjegjësie. Dhe si gjithnjë këtu në vendin tonë, edhe në këtë rast, farsa nuk mungoi me të gjithë atë forcë destruktive, që në fakt rivret të vrarët, riplagos të plagosurit dhe nuk lejon që reflektimi dhe nxjerrja e mësimeve të zhvillohet në mënyrë gjithë përfshirëse.
Qeveria, shteti janë struktura në zhvillim të vazhdueshëm. Dhe vetë procesi i vetëqeverisjes është një proces korrigjimi të vazhdueshëm. Nuk ka në asnjë vend në asnjë shtazh të zhvillimi që nuk ka asgjë për të rregulluar, asgjë për të zhvilluar dhe për të shkuar sahat. Ashtu sikurse nuk ka asgjë në këto raste të tilla për një përgjegjësi të vetme. Ç’ka ka dalë më së mirin ne të gjithë këtë proces është se në përjetimin, në kuptimin dhe në reflektimin e një ngjarje, ka dy Shqipëri. Ka një Shqipëri në Parlamentet dhe në media, ka dhe një Shqipëri në komunitet, aty ku njerëzit e prekur drejtpërdrejtë dhe në këtë rast, prindërit e prekur drejtpërdrejtë sepse kanë fëmijët e tyre nëpër shkolla.
Çfarë kam dëgjuar nga këto prindër është se TikToku po e po, por si do bëhet me këtë dhunë, me këtë prurje, lum përditë nga mediat që shkon në një drejtim krejt të kundërt që ne kemi me fëmijët tanë. I them të gjitha këto për të pasur të qartë bashkarisht çdo gjë. Nuk mund të parandalohen dhe nuk mund të shmangen të gjitha ngjarjet që fatkeqësisht ndodhin, por sot ajo i dallon qasjet në nivelin komunitar, në nivelin shoqëror se si reagojnë ndaj tyre. A bëhet ngjarja një arsye e fortë që pastaj si rrjedhojë ajo sferë e shoqërisë të bëhet një sebep i mirë, apo një sebepo që e gjithë shoqëria të futet në sherr.”-u shpreh kryeministri Rama.
Pas konsultimeve me prindërit, qeveria vendos të bllokojë Tik Tok-un në Shqipëri
Qeveria shqiptare ka vendosur që të bllokojë Tik Tok-un në Shqipëri.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu gjatë një takimi të ditës së sotme në Tiranë, me prindër të nxënësve.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, kryeministri Edi Rama tha se për 1 vit platforma e Tik Tok-ut do të mbyllet në rang vendi.
‘Mbi 90% e prindërve janë pro bllokimit apo kufizimit të platformës, mbi 80% e prindërve kërkojnë fuqizimin e masave, mbi 57% pranojnë se ekspozimi ndaj rrjeteve u sjell fëmijëve edhe sjellje të papërshtatshme dhe ndikon në shëndetin mendor.
Do zbatohet për 3 vjet, plan ambicioz që reflekton përgjegjësinë si shtet, institucione, prindër, mësues, qytetarë.
Përmes këtij pani synojmë fuqizimin e mekanizmave të parandalimit në funksion të rritjes së sigurisë në shkolla.
1-Siguria fizike dhe dixhitale: Bllokimin e Tik tok bazuar në një paketë masash që po punojnë Agjencia kombëtare e sigurisë së informacionit. Vendosjen e kamerave inteligjente duke siguruar monitorim efektiv brenda periudhës së zbatimit të këtij plani. Dyfishimin e numrit të oficerëve të sigurisë, në 500 . Strukturë brenda drejtorive arsimore që do merret me menaxhimin e punës së oficerëve. Axhenci e Posacme për sigurinë në Shkolla.
2-Rrjetet e mbështetjes psikosociale
3-Edukim dhe ndërgjegjësim
4-Shkolla e hapur’, tha Manastirliu.
Kjo lëvizje e qeverisë erdhi pas vrasjes së Martin Canit me thikë nga një bashkëmoshtar pranë shkollës Fan Noli.








