Çfarë do të gjeni në brendësi
*Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme është zhvilluar një operacion në Fushë Krujë për goditjen e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafik droge. Në pranga kanë rënë 6 persona, 3 të tjerëve u është komunikuar masa e arrestit teksa ndodheshin në qeli, ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim. *Mes të arrestuarve është edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili është përmendur edhe në ngjarje të tjera të bujshme si dhunimi i Xhisiela Malokut dhe dhuna me shkopinj bejsbolli ndaj 2 kushërinjve të fisit Maja në vitin 2023 të cilët asokohe u ankuan për guroren që po u prishte shtëpitë. *SPAK i akuzon të arrestuarit për grup të strukturuar kriminal të drejtuar nga 5 persona të cilët ishin financues dhe organizatorë. Ndërsa provat rreth përfshirjes së tyre në trafik droge u siguruan falë zbardhjes së përgjimeve në SkyEcc.
Goditja e grupit të Rrajave në Fushë Krujë, ‘u tradhëtuan’ nga SkyEcc, 14 masa sigurie! 4 persona në kërkim

Detaje të reja janë zbardhur nga goditja e grupit të Rrajave në Fushë Krujë. Mësohet se në total janë lëshuar 14 masa sigurie, prej të cilave 3 personave u është komunikuar masa në qeli, 7 të tjerë janë arrestuar dhe 4 persona janë në kërkim.
Tre prej personave të arrestuar me urdhër të SPAK janë pjesëtarë të fisit Rraja të cilët akuzohen në përfshirjen në grupin kriminal që merrej me trafik droge. Sipas SPAK 5 prej të dyshuarve janë drejtues e financues të grupit të strukuruar kriminal.
Konkretisht, të arrestuar:
Marvin Bushati
Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani
Sokol Qaja
Gazmir Rraja
Përparim Rraja
Rexhep Rraja
Zamir Aliaj
Tre masat e komunikuara në burg:
Islam Sefa
Aldo Gjini
Jani Çavo
Në kërkim:
Ervis Shuli
Bujar Sefa
Hajdar Sefa
Vildan Baroku
Mësohet se prokuroria e posaçme ka zbardhur komunikimet në SkyEcc mes anëtarëve të grupit për trafikun e drogës. Versus.al
U arrestua sot, kush është Rexhep Rraja, përfshirja e djalit të ish-deputetit në ngjarjet e bujshme
SPAK goditi grupin e Rrajave në Fushë Krujë duke lëshuar 10 masa sigurie ndaj tyre, prej të cilave 6 u ekzekutuan. Mes të arrestuarve ishte edhe një emër i njohur për policinë dhe publikun, Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rraja.
Ai u përmend në media për herë të parë në 2018-ën kur u akuzua për dhunimin e Xhisiela Malokut, ngjarje e cila u kthye në qendër të zhvillimeve asokohe për shkak edhe të deklaratave të ish-oficerit të policisë, Emiljano Nuhu ku pretendonte se ishte kërcënuar nga eksponentë të PS për të mbyllur dosjen.
Më 30 shtator të 2018-ës, Rexhep Rraja u arrestua ndërsa gjithçka u mbyll me një dënim me shërbim prove nga gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri pavarësisht se prokuroria kishte kërkuar 1 vit burg për Rrajën.
Pasi përfundoi shërbimin e provës, Rraja iu fut biznesit me një biznes në fushën e teknologjisë dhe telekomunikacionit, por kjo ndërmarrje nuk zgjati më shumë se 2 vite.
Dhuna ndaj fisit Maja në vitin 2023

Rexhep Rraja u përfshi sërish në konflikt me ngjarjen e ndodhur në korrik të vitit 2023 kur ai së bashku me anëtarë të fisit Rraja organizuan dhunimin e 2 kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja të cilët ishin ankuar se guroret e tyre në Fushë Krujë po u prishnin shtëpitë. Një grup personash të fisit Rraja hynë në lokal më 6 korrik dhe goditën me shkopinj bejsbolli dy kushërinjtë që po pinin kafe. Versus.al
Goditet grupi kriminal Rraja, disa të arrestuar! Mes tyre edhe djali i ish-deputetit të PS (EMRAT)
Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është goditur grupi kriminal i Rrajave në Fushë Krujë. Policia ka arrestuar 6 persona të cilët akuzohen për trafik droge.
Mes të arrestuarve është edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialit, Rrahman Rraja. Personat e vënë nën pranga:
1-Marvin Bushati
2-Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani
3-Sokol Qaja
4-Gazmir Rraja
5-Perparim Rraja
6-Rexhep Rraja
“Këto shtetas akuzohen për veprat penale trafikimi i lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 te 333/a si edhe neni 334/1 i Kodit Penal”- thuhet në njoftim.
Në total janë lëshuar 10 masa sigurie. 6 persona u arrestuan, ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Versus.al

