Live Updates /

Vendimet e Qeverisë: Subvencione për transportin publik, ndryshime në rregulloren për Gardën, kompensim për fermerët

*Qeveria ka miratuar një paketë të gjerë vendimesh që prekin disa sektorë kryesorë të vendit, nga transporti publik dhe bujqësia, deri te siguria dhe administrata shtetërore. * Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar subvencion prej 50 lekësh për litër karburant për shoqëritë e transportit publik, për linjat urbane, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse. * Parashikohet mbështetje financiare për fermerët me mbi 53 milionë lekë dëmshpërblim për kafshët e asgjësuara nga murtaja e ruminantëve të vegjël. * Ndryshon rregullorja e Garda e Republikës së Shqipërisë, duke ndaluar angazhimin politik, pjesëmarrjen në fushata dhe shprehjen e bindjeve politike nga efektivët.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Qeveria ka miratuar një paketë të gjerë vendimesh që prekin disa sektorë kryesorë të vendit, nga transporti publik dhe bujqësia, deri te siguria dhe administrata shtetërore. * Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar subvencion prej 50 lekësh për litër karburant për shoqëritë e transportit publik, për linjat urbane, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse. * Parashikohet mbështetje financiare për fermerët me mbi 53 milionë lekë dëmshpërblim për kafshët e asgjësuara nga murtaja e ruminantëve të vegjël. * Ndryshon rregullorja e Garda e Republikës së Shqipërisë, duke ndaluar angazhimin politik, pjesëmarrjen në fushata dhe shprehjen e bindjeve politike nga efektivët.

4 Postime
15 MINUTA ME PARE

VKM/ Qeveria miraton ndryshimet në rregulloren e plazheve, kontratat për sezonin 2026 do të lidhen në qershor

Vendimet e Qeverisë: Subvencione për transportin publik, ndryshime

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në rregulloren për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacioneve të plazhit, duke vendosur rregulla të reja për bizneset dhe subjektet që operojnë në vijën bregdetare.

Sipas vendimit të firmosur nga kryeministri Edi Rama, përjashtimisht për sezonin turistik 2026, kontratat e qirasë për përdorimin e hapësirave të plazhit do të lidhen brenda muajit qershor.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që çdo modifikim i kontratave ekzistuese, në rast ndryshimi të kapaciteteve akomoduese apo zonave bregdetare, të bëhet vetëm me dakordësinë e të dyja palëve dhe të formalizohet me nënshkrim.

Zbatimi i vendimit i është ngarkuar Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, ndërsa akti hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

      V E N D I M

PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.649, DATË 16.10.2024,   KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT””,  TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 64, të  ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në rregulloren bashkëlidhur vendimit nr.649, datë 16.10.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit””,  të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

a) Pas  pikës 5, të nenit 14, shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Përjashtimisht, për vitin 2026, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, të parashikuar në pikën 5, të nenit 4, të kësaj rregulloreje, do të jetë brenda muajit qershor.”.

b) Në nenin 5 të shtojcës  I,  “Kontrata model për përdorimin e hapësirës së plazhit”, që i bashkëlidhet rregullores, shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:

 “3. Dhënësi, në bashkëpunim me njësinë e vetëqeverisjes vendore, mund të propozojë amendime në këtë kontratë, në rastet e  ndryshimeve në kapacitetin e strukturës akomoduese, zonës së plazhit apo zhvillimeve në zonën bregujore, vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.

4. Për kontratat ekzistuese të lidhura për përdorimin e hapësirës së plazhit, ndryshimet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, kryhen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, nëpërmjet nënshkrimit të amendimit të kontratës.”.

2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

37 MINUTA ME PARE

Qeveria subvencionon transportin publik me 50 lekë për litër karburant, mbështetje për linjat urbane dhe ndërqytetëse

Vendimet e Qeverisë: Subvencione për transportin publik, ndryshime
Foto ilustruese

Qeveria ka miratuar një vendim të ri për mbështetjen financiare të shoqërive të transportit publik, duke parashikuar subvencion për karburantin në masën 50 lekë për litër.

Vendimi, i cili u bë publik në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, synon të lehtësojë kostot e operatorëve të transportit urban, rrethqytetës dhe ndërqytetës, të cilët janë përballur me rritje të çmimeve të karburanteve.

Sipas dokumentit zyrtar, kompensimi do të aplikohet për një periudhë tre-mujore, mars–maj 2026, dhe do të llogaritet mbi konsumin e karburantit, por jo më shumë se niveli i konsumit të së njëjtës periudhë të vitit 2025 për çdo shoqëri.

Efektet financiare të kësaj mase janë parashikuar në rreth 250 milionë lekë, të cilat do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe nga buxheti i Bashkia Tiranë për linjat urbane të kryeqytetit.

Procesi i aplikimit dhe verifikimit do të administrohet nga administrata tatimore, e cila do të shqyrtojë dokumentacionin e subjekteve dhe do të kryejë pagesat përkatëse pas verifikimeve.

Në vendim parashikohet gjithashtu edhe kontroll i shtuar për të shmangur abuzimet, ndërsa kërkesat për përfitim do të pranohen deri më 1 gusht 2026.

VENDIMI

I.  TË PËRGJITHSHME

1. Kompesimin e shoqërive të transportit për linjat qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse, në masën 50 (pesëdhjetë) lekë për litër karburanti, për një periudhë trimujore, mars, prill, maj 2026. Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.

2. Efektet financiare, prej 250 000 000 (dyqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, do të përballohen nga:

a) fondi rezervë i buxhetit të shtetit;

b) buxheti i Bashkisë Tiranë, respektivisht, për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës.

II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E KOMPENSIMIT

1. Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore, nën juridisksionin e së cilës ai është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.

2. Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b) Kopjen e licencës përkatëse të vlefshme për transportin qyetetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;

c) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;

ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;

d) IBAN-in e llogarisë bankare, jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë;

dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 dhe 2026;

e) Për shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, duhet të paraqesin edhe:

i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për  transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;

ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, sipas targave të mjeteve.

3. Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë) të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji prill 2026.

4. Në rastin kur konstatohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administriata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve punë, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.

5. Administrata tatimore pas verifikimit të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë, urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.

6. Kur shpenzimet përballohen nga Bashkia Tiranë, administrata tatimore, pas verifikimit të dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, i dërgon, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë Bashkisë Tiranë, në tërësi, dokumentacionin e administruar dhe listën përmbledhëse të subjekteve përfituese dhe vlerave.

7. Bashkia Tiranë, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.

8. Për shoqëritë e regjistruara pas muajit maj 2025, si vlerë reference për  kompesim do të merret  vlera më e lartë e konsumit të karburantit, për periudhën janar – shkurt 2026.

9. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në kërkesë.

10. Struktura e thesarit në degë, mbas marrjes së urdhërshpenzimit me listën e përfituesve, sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen pagesën brenda 5 (pesë) ditëve punë.

III. ÇËSHTJE TË FUNDIT

1. Kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 1 gusht 2026.

2. Efektet financiare, prej 250 000 000 (dyqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, do të përballohen nga:

a) fondi rezervë i buxhetit të shtetit, në masën 120 000 000 (njëqind e njëzet milionë) lekë;

b) buxheti i Bashkisë Tiranë, respektivisht, për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës, në masën 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekë.

3. Ngarkohen Ministria e Financave, Bashkia Tiranë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA/Versus.al

42 MINUTA ME PARE

Qeveria ndryshon rregulloren për Gardën: Ndalohet angazhimi politik dhe pjesëmarrja në fushata

Vendimet e Qeverisë: Subvencione për transportin publik, ndryshime
Foto ilustruese

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa në rregulloren e Garda e Republikës së Shqipërisë, duke vendosur kufizime të reja për angazhimin politik të efektivëve të saj.

Vendimi, i firmosur nga kryeministri Edi Rama, prek nenin 158 të rregullores së vitit 2021 dhe synon forcimin e rregullave të sjelljes dhe neutralitetit politik të punonjësve të Gardës.

Sipas ndryshimeve të reja, punonjësve të Gardës u ndalohet të mbështesin parti politike, kandidatë apo organizata, si edhe të shprehin publikisht bindje politike. Gjithashtu, ata nuk lejohen të marrin pjesë në tubime apo mbledhje politike, edhe kur nuk janë në shërbim.

Vendimi parashikon gjithashtu se efektivët e Gardës nuk mund të kandidojnë apo të zgjidhen në funksione politike pa hequr dorë më parë nga detyra. Megjithatë, atyre u njihet e drejta për t’u organizuar në sindikata për mbrojtjen e interesave profesionale.

Zbatimi i vendimit i është ngarkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vetë Gardës së Republikës, ndërsa ai hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

V E N D I M

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.777,  DATË 15.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 70, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në pikën 13, të nenit 158, të rregullores, që i bashkëlidhet vendimit nr.777, datë 15.12.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Fjalët “… së përditshme duhet të zbatojë normat e sjelljes …” zëvendësohen me “… së tij, zbaton rregullat …”.

2. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“dh) të mos mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari të një partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose duke kontribuuar fizikisht ose financiarisht, dhe të mos shprehë publikisht bindje apo preferenca politike. Punonjësit të Gardës i ndalohet të marrë pjesë, edhe nëse nuk është në shërbim, në mbledhje e në tubime të partive, të shoqatave dhe të organizatave politike.”.

3. Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “ë”, “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:

“ë) Ka të drejtë të organizohet në sindikata për të mbrojtur interesat e tij profesionalë dhe të drejtat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi;

f) Të mos kandidojë dhe të mos zgjidhet, pa hequr dorë më parë nga detyra, në funksione politike;

g) Të mos kryejë veprimtari politike, pavarësisht nëse veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, si dhe të mos kryejë veprimtari, që përbën konflikt interesi apo që mund të krijojë përshtypjen se punonjësi i Gardës së Republikës është i njëanshëm dhe i ndikuar.”.

II. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./Versus.al

47 MINUTA ME PARE

Qeveria miraton 53 milionë lekë dëmshpërblim për fermerët e prekur nga murtaja e bagëtive

Vendimet e Qeverisë: Subvencione për transportin publik, ndryshime
Foto ilustruese

Qeveria ka miratuar dëmshpërblimin për fermerët, kafshët e të cilëve u prekën nga sëmundja e murtajës së ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, ku u përcaktua një fond total prej 53 345 500 lekësh për kompensimin e pronarëve të kafshëve që janë therur, eliminuar, shkatërruar apo groposur pas konfirmimit të sëmundjes.

Sipas vendimit, dëmshpërblimi do të mbulohet nga buxheti i vitit 2026 i miratuar për Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të programit për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Autoritetet sqarojnë se kompensimi do të bëhet për kafshët që rezultuan pozitive nga analizat e kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.

V E N D I M

PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË VLERËS SË DËMIT DHE TË DËMSHPËRBLIMIT TË PRONARËVE PËR KAFSHËT E THERURA, TË ELIMINUARA, TË SHKATËRRUARA E TË GROPOSURA NGA SËMUNDJA E MURTAJËS SË RUMINANTËVE TË VEGJËL NË VITIN 2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 49, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e dëmshpërblimit, në masën e përgjithshme prej 53 345 500 (pesëdhjetë e tre milionë e treqind e dyzet e pesë mijë e pesëqind) lekësh, pronarëve të kafshëve që janë therur, janë eliminuar, janë shkatërruar dhe janë groposur, pasi kanë rezultuar pozitive me sëmundjen e murtajës së ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025, në bazë të analizave të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Pronarët dëmshpërblehen nga buxheti i vitit 2026, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nga shpenzimet korrente, në programin buxhetor 04220 “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./Versus.al

Poll