
Loris Qosja, një nxënës 15-vjeçar i shkollës 9-vjeçare në Cërrik, ka shkëlqyer në skenën ndërkombëtare, duke u renditur i pari në botë në Olimpiadën e Matematikës, e zhvilluar në Orlando, Florida, SHBA.
Përveç këtij rezultati të jashtëzakonshëm në Matematikë, ai arriti të sigurojë edhe vendin e tretë në Olimpiadën e Kimisë, duke treguar talent të gjerë dhe pasion për shkencat.
Ky sukses i jashtëzakonshëm ka ngritur lart flamurin shqiptar dhe dëshmon se potenciali i të rinjve shqiptarë mund të rivalizojë në konkurset më prestigjioze ndërkombëtare.
Lorisi studion Matematikë mesatarisht 6-8 orë çdo ditë, duke mos i shpëtuar edhe pak kohës për telefonin, si çdo adoleshent. Duke qenë se familja nuk mund të mbulonte shpenzimet e udhëtimit në SHBA, Bashkia e Cërrikut siguroi udhëtimin e tij, së bashku me mësuesen e tij të Matematikës, Flutura Hoxholli, e cila luajti një rol kyç në përgatitjen dhe orientimin e tij drejt këtij suksesi.
Suksesi i Lorisit është rezultat i talentit, punës së palodhur dhe përkushtimit të tij, si edhe mbështetjes së mësueses, e cila e përzgjodhi për të marrë pjesë në këtë Olimpiadë, duke besuar në aftësitë e tij të jashtëzakonshme.

