
Reperi Drake ka vendosur një bast prej 1.5 milionë dollarësh (rreth 1.1 milionë paund) që Argjentina do të mposhtë Spanjën në finalen e Kupës së Botës FIFA 2026.
Autori i hitit "God's Plan", emri i vërtetë i të cilit është Aubrey Drake Graham, publikoi në Instagram një fotografi të bastit të vendosur në platformën Stake, pak para finales që do të zhvillohet të dielën në stadiumin New York New Jersey.
39-vjeçari ka zgjedhur të mbështesë skuadrën e Amerikës së Jugut. Nëse Argjentina fiton, ai do të përfitojë mbi 5.1 milionë dollarë (rreth 3.79 milionë paund).
Krahas fotografisë së bastit, Drake shkroi në Instagram:
"Si ishte ajo shprehja??? Fat më të mirë herën tjetër..."
Ky bast vjen pasi reperi kanadez humbi më parë 1 milion dollarë, të cilët i kishte vënë bast për fitoren e irlandezit Conor McGregor në përballjen e tij në UFC ndaj Max Holloway.
Prej vitesh, Drake është bërë pjesë e asaj që në botën e sportit njihet si "Mallkimi i Drake". Shumë skuadra dhe sportistë që ai ka mbështetur publikisht ose për të cilët ka vendosur baste, kanë përfunduar duke humbur.
Madje, është krijuar edhe një faqe interneti, TheDrakeCurse.com, ku dokumentohet e gjithë historia e basteve sportive të reperit.
Ky zhvillim vjen vetëm pak muaj pasi Drake publikoi njëherësh tre albume të reja – Iceman, Maid Of Honour dhe Habibti – gjatë muajit maj.
Këto ishin publikimet e tij të para që nga viti 2023 dhe i siguruan reperit albumin e tij të shtatë në vendin e parë të klasifikimit britanik, falë Iceman.
Fituesi i pesë çmimeve Grammy njihet gjithashtu për hitet One Dance, Passionfruit dhe Hold On, We're Going Home.
Së fundmi, Drake ishte në qendër të vëmendjes edhe për konfliktin publik me reperin amerikan Kendrick Lamar, i cili e sulmoi në këngën "Not Like Us"./Versus.al

