
Ai jeton në trena që nga gushti 2022. Lasse Stolley, një 17-vjeçar gjermane, ka braktisur komoditetin e shtëpisë familjare për një ekzistencë minimaliste në shina. Në më pak se dy vjet, ai ka udhëtuar tashmë 650,000 kilometra, ekuivalente me 15 xhiro nëpër botë, i ulur në një tren për më shumë se 6,700 orë.
“Të jesh në gjendje të vendos çdo ditë se ku dua të shkoj është thjesht e mrekullueshme, është liri”, thotë Lasse Stolley, gjatë një interviste me AFP në një kafene në stacionin e Frankfurtit.
Me një çantë shpine prej 30 litrash si bagazhin e tij të vetëm, i riu flokëkuq thotë se mjaftohet me pak. Shpenzimi i tij më i madh (5888 euro) është karta e reduktimit 100% të klasit të parë nga hekurudhat gjermane, Deutsche Bahn
Falë këtij abonimi, ai ka akses falas në sallonet e klasit të parë në stacione, ku mund të hajë ushqim falas dhe të lajë rrobat e tij në lavamanë për t’i tharë më pas në trenat e natës. Ai lan dhëmbët dhe lahet vetë po në lavamanet e këtyre salloneve. Megjithatë, për të bërë dush, ai shkon në pishinat afër stacioneve.
Ai është mësuar të flejë në sediljet e klasit të parë, të cilat i gjen aq të rehatshme saqë tani ka vështirësi të flejë në një shtrat normal: “Më mungojnë lëkundjet e trenit”, shpjegon ai.
Pasi la shkollën, ai gjeti një punë me kohë të pjesshme si zhvillues i pavarur për një start-up të vogël, gjë që e lejoi të punonte në tren. "Më pëlqen fakti që mund të shikoj vetëm nga dritarja, të shoh peizazhin që kalon shpejt... dhe të eksploroj çdo cep të Gjermanisë," thotë ai.








