MAGAZINË /

"Apartamenti më i vogël në botë": Bleu një depo 7m2 për 11.000 euro, e bëri me 4 dhoma e 1 sauna

«Sidomos me krizën e strehimit sot, është jashtëzakonisht e rëndësishme t'u ofrohen njerëzve hapësira funksionale», thotë fituesja e çmimit Beatriz Ramo.

Shkruar nga Versus

"Apartamenti më i vogël në botë": Bleu një

Një hapësirë e vogël magazinimi prej vetëm 7 metrash katrorë në një ndërtesë apartamentesh në Roterdam të Holandës u shndërrua në një apartament tërësisht funksional, falë imagjinatës së arkitektes Beatriz Ramo nga STAR strategies + architecture.

Arkitektja, e cila jetonte në të njëjtën ndërtesë me partnerin e saj, e zbuloi rastësisht këtë hapësirë në katin e shtatë. Kur e vizituan, ata mbetën të habitur, pasi “magazina” kishte ujë të ngrohtë dhe të ftohtë, tualet, energji elektrike, ngrohje dhe një dritare të madhe me pamje panoramike nga qyteti.

Fillimisht, çifti e bleu hapësirën me idenë për ta kthyer në një dhomë mysafirësh, por më vonë vendosën ta transformonin në një apartament të vogël, plotësisht funksional, me katër ambiente dhe madje edhe sauna. Sipas Ramo-s, ai mund të konsiderohet “apartamenti më i vogël në botë”.

Projekti u quajt “Cabanon”, në nder të arkitektit të famshëm Le Corbusier, i cili kishte përdorur të njëjtin emër për një kasolle druri ku eksperimentonte me dizajnin e hapësirave shumë të vogla të jetesës.

Me një buxhet të kufizuar, së bashku me partnerin, një zdrukthëtar dhe një artist, ata ridizajnuan të gjithë hapësirën. Blerja e saj kushtoi 11 mijë euro, ndërsa rinovimi rreth 21 mijë euro të tjera. Në këtë hapësirë ata arritën të krijojnë një dhomë ndenjeje, një dhomë gjumi, një kuzhinë dhe një banjo me sauna, duke përdorur mobilje të palosshme dhe hapësira të integruara magazinimi.

Për ta bërë apartamentin të dukej më i madh, një mur u mbulua me pllaka spanjolle që krijojnë iluzionin e një hapësire tredimensionale. Ndërsa banjo u vesh me mermer të zi, një zgjidhje ekonomike pasi materiali ishte stok i mbetur në dyqan dhe shitej me vetëm një të dhjetën e çmimit fillestar.

Rezultati përfundimtar, “El Cabanon”, është prezantuar në shumë media ndërkombëtare dhe konsiderohet një shembull i shkëlqyer i arkitekturës së hapësirave të vogla. Projekti shihet edhe si një burim frymëzimi për zgjidhjet e banimit në kohë krize strehimi. Siç është shprehur edhe vetë arkitektja: në kohë krize strehimi, është jashtëzakonisht e rëndësishme të krijohen shtëpi sa më funksionale, pavarësisht madhësisë së tyre.

Poll