
Me rastin e festës së Sulltan Novruzit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka sjellë në vëmendje një nga thesaret më të çmuara të Koleksionit Oriental, pjesë e Sallës Orientale pranë Qendrës “Sotir Kolea”, duke nxjerrë nga fondi i artë një libër të rrallë kushtuar Imam Ali ibn Abi Talib, figurë e shenjtëruar veçanërisht nga besimtarët bektashinj.
Libri i titulluar “Shehr-i Divan Ali Keremellahu Vexh-h”, i botuar në Egjipt në vitin 1255 hixhri (1835), përmban Fjalët e Larta dhe thëniet filozofike të Imam Aliut, të përkthyera nga gjuha arabe në turqishten osmane. Ky botim konsiderohet një nga botimet e hershme të divanit të tij dhe përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të traditës shpirtërore dhe intelektuale islame.
Edhe pse botimi i librit daton në shekullin XIX, vepra dhe thëniet e Imam Aliut i përkasin një tradite shumë më të hershme, gati njëmijëvjeçare, çka e bën këtë libër një pasuri të rrallë kulturore dhe fetare për studiuesit dhe besimtarët.
Ekspozimi i këtij libri në këtë ditë të shënuar për komunitetin bektashi është një homazh ndaj trashëgimisë shpirtërore, kulturës së librit dhe traditës së përkthimit oriental, që për shekuj ka qarkulluar në hapësirën osmane dhe shqiptare.
Përmes këtij thesari, Biblioteka Kombëtare fton studiuesit, besimtarët dhe të apasionuarit pas historisë së librit të njihen më nga afër me trashëgiminë dorëshkrimore dhe librin e hershëm oriental, pjesë e fondeve më të çmuara kulturore në Shqipëri, duke rikthyer në vëmendje urtësinë e Imam Aliut, mes të cilave edhe thënia e njohur:
“Kush më mëson një fjalë, unë i bëhem rob për 40 vjet.”
Edhe Versus.al uron të gjithë besimtarët bekthashi për festen e Sulltan Novrozit. Gëzuar!

