
Dënimi i këngëtares iraniane Parastu Ahmadi dhe tetë anëtarëve të ekipit të saj muzikor dhe të prodhimit me 74 goditje me kamzhik ka shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë Iranit.
Vendimi i autoriteteve vjen pas një koncerti të transmetuar drejtpërdrejt në platformën YouTube, ku artistja u shfaq pa hixhab, në kundërshtim me rregullat e vendosura nga Republika Islamike e Iranit.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe avokatët e çështjes, gjykata penale në provincën Qom vendosi jo vetëm dënimin me kamzhik, por edhe ndalimin për dy vjet të largimit nga vendi dhe ndalimin për dy vjet të ushtrimit të aktiviteteve artistike për të gjithë të dënuarit.
Autoritetet iraniane i akuzuan të pandehurit për “fyerje të modestisë publike” dhe për prodhimin e publikimin në internet të materialeve që sipas tyre përbëjnë “përmbajtje imorale dhe të turpshme”.
Rasti ka rikthyer debatin mbi lirinë e shprehjes artistike dhe të drejtat e grave në Iran, duke nxitur reagime nga aktivistë dhe organizata ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut.Versus.al

