
Një sasi armësh dhe municionesh është zbuluar paraditen e sotme në zonën e “Pyllit të Sodës” në Vlorë, pranë kanalit të hidrovorit.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë kontrollit në zonë janë gjetur dy armë automatike dhe katër granata dore, të cilat dyshohet se kanë qenë të groposura prej kohësh.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se armatimi mund të jetë fshehur vite më parë, ndërsa një nga pistat që po verifikohet është lidhja e mundshme me trazirat e vitit 1997.
Menjëherë pas zbulimit, forcat e policisë kanë izoluar zonën dhe kanë vendosur perimetër sigurie për të kryer veprimet e nevojshme.
Materialet janë sekuestruar dhe pritet ekspertiza për të përcaktuar origjinën e armëve dhe rrethanat se si kanë përfunduar në atë zonë.

