
E bujshme, por jo dhe aq e papritur...
Oborri Mbretëror Shqiptar ka njoftuar martesën e Lartësisë së Tij Mbretërore, Leka II, Princ i Shqiptarëve, me të dashurën e tij, Zonjushën Blerta Celibashi.
Ceremonia u mbajt në një ngjarje private dhe solemne, duke ruajtur intimitetin dhe elegancën e momentit, ndërsa fotografia zyrtare u realizua në Kështjellën historike Apponyi në Sllovaki.
Përzgjedhja e këtij vendi simbolik nuk ishte e rastësishme: rezidenca e familjes fisnike e Mbretëreshës Geraldinë shërben si një homazh ndaj trashëgimisë së saj të çmuar dhe lidhjeve të thella me origjinën hungareze, që mbeten një pjesë thelbësore e historisë së Familjes Mbretërore Shqiptare.
Pas martesës, Blerta Celibashi merr mbiemrin Zogu dhe titullin Princeshë e Shqiptarëve, duke u bërë pjesë e një kapitulli të ri historik për familjen mbretërore.
Oborri Mbretëror ka shpërndarë lajmin me emocion dhe dëshiron që gëzimin e këtij momenti të madh ta ndajë me kombin shqiptar dhe miqtë e saj ndërkombëtarë, duke shënuar një ngjarje që do të mbahet mend si një nga festat më të mëdha të familjes mbretërore shqiptare.
Pak ditë më parë qarkulloi dhe informacioni se Blerta Celibashi është në pritje të ëmbël të një djeli, fëmija i saj i parë dhe i dyti për Princin Leka, i cili doli pak kohë më parë nga martesa me aktoren Elia Zaharia me të cilën ka një vajzë.
Martesa e parë e Princ Lekës u bë në Tiranë, me një festë madhështore që mblodhi disa prej anatarëve të familjeve mbretërore më të mëdha evropiane e botërore.
Tashmë, kjo martesë e dytë u bë jashtë dritës së çdo prozhektori dhe totalisht në privatësi.
Martesa duket se përmbyll dhe një "kapitull" ku Princi Leka u bë personazh showbizz pas divorcit të bujshëm e të zhurmshëm me aktoren e njohur.
Në mes të kësaj zhurme, doli dhe emri i Blerta Celibashit si partnerja e re e Princ Lekës, e shumëkush e pa dhe si shkak i divorcit mes Lekës dhe Elias, por të dy e përgënjeshtruan rolin e ish-fotografes së Pallatit Mbretëror që sot u bë princeshë e shqiptareve.../ VERSUS

