
Në vitin 2017, Amanda Wideman po kthehej nga një festival muzike në British Columbia së bashku me partnerin e saj, kur u përfshi në një aksident automobilistik të rëndë.
Në një rrugë malore, një makinë tjetër humbi kontrollin dhe kaloi në korsinë e tyre. Për të shmangur përplasjen, ata u goditën nga një tjetër automjet dhe makina e tyre u përmbys, duke u ndalur mbi një barrierë betoni vetëm pak centimetra larg një humnerë të thellë.
Amanda kujton se në atë moment ishte e sigurt se do të vdiste. “Mbylla sytë, qetësova trupin dhe thjesht u dorëzova,” rrëfen ajo për kanalin The Other Side NDE. Ndërsa partneri i saj që ishte në timon mbeti i vetëdijshëm dhe bërtiste, Amanda humbi ndjenjat, por më vonë përjetoi një eksperiencë jashtë trupit që i ndryshoi jetën përgjithmonë.
Ajo përshkruan një ndjenjë paqësore dhe të sigurt, sikur po mbështillej nga një “shpellë e butë,” ku ndjeu se jeta vazhdonte pafundësisht. Ish-paramedikja ndjeu se ishte plotësisht e vetëdijshme, edhe pa trup, dhe përjetoi praninë e një fuqie hyjnore, që ajo e identifikon si Zot, e rrethuar nga “miliona prani të tjera” plot dashuri dhe pa gjykim.
Pak më vonë, Amanda rifitoi vetëdijen dhe mësoi se kishte vetëm një ndrydhje të lehtë në qafë, ndërsa partneri kishte marrë një goditje në kokë.
“Jeta në Tokë më dukej e mjegullt, si nën efektin e alkoolit, ndërsa ajo përvojë ishte realiteti i vërtetë, i kthjellët dhe i pastër,” tha ajo.
“Ndjeva një paqe të thellë dhe një prani hyjnore, si të isha mes miliarda shpirtrash nga gjithë krijimi.”
Pas kësaj përvoje, Amanda ndryshoi rrënjësisht jetën e saj: la profesionin e paramedikes, shiti shtëpinë, përfundoi lidhjen me partnerin, dhe nisi një biznes online si trajnere për trauma. Ajo bën punë vullnetare dhe udhëton vazhdimisht, duke jetuar me valixhen në dorë.
“Përvoja më transformoi – nuk jam më e lidhur me sendet materiale, por jam më shpirtërore dhe më mirënjohëse,” përfundoi ajo.







