Kryeministri Rama ka reaguar pas dhunimit të kamarierit 18 vjeçar në Vlorë nga ish-shefi i Qarkullimit të Dibrës. Efektivi në fjalë është pezulluar nga detyra, ndërsa Rama kërkon përjashtimin e tij! Kjo pasi është përfshirë në një konflikt të dhunshëm fizik jashtë orarit të punës në qytetin e Vlorës.
Kjo masë konsiderohet vetëm hapi i parë i nevojshëm, pasi pritet përjashtimi i tij i përhershëm nga radhët e policisë, si dhe dërgimi për përgjegjësi ligjore sapo të dalë nga spitali ku ndodhet aktualisht.
Ky incident vjen në një kohë kur po zbatohet një reformë e thellë në Policinë e Shtetit dhe institucionet shtetërore, ku një nga prioritetet kryesore është rritja e përgjegjësisë ligjore dhe disiplinore të punonjësve që operojnë në kontakt me komunitetin dhe qytetarët.
"Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali. Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cënojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit.
*Shembull: Çdo punonjës apo zyrtar i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh", shkruan Rama në platormën 'X'. /Versus.al/







