
Çështja daton që nga viti 2021, kur Gerard Piqué ishte ende futbollist i FC Barcelona. Megjithatë, krahas karrierës sportive, ai ishte përfshirë edhe në botën e biznesit.
Mediat spanjolle raportuan se ish-mbrojtësi 39-vjeçar u dënua më 22 prill nga autoriteti spanjoll që mbikëqyr tregjet financiare, nën akuzën e përdorimit të informacionit të fshehtë për përfitim financiar.
Sipas radios spanjolle COPE, në janar të vitit 2021, Piqué kishte marrë informacione konfidenciale nga biznesmeni spanjoll Francisco José Elías Navarro, anëtar i drejtimit të kompanisë Atrys Health, lidhur me planin për blerjen e një kompanie tjetër të quajtur Aspy Global Services.
Pas marrjes së këtij informacioni, Piqué bleu mbi 104 mijë aksione të kompanisë më 20 janar 2021 dhe i shiti ato vetëm një javë më vonë, pasi vlera e tyre u rrit menjëherë pas shpalljes së marrëveshjes së shitjes.
Autoritetet financiare spanjolle vlerësojnë se ish-futbollisti përfitoi ekonomikisht nga kjo lëvizje. Mediat në Spanjë, përfshirë Mundo Deportivo, raportojnë se fitimi i tij ishte rreth 50 mijë euro.
Për këtë arsye, Navarro u gjobit me 100 mijë euro për zbulimin e informacionit konfidencial, ndërsa Piqué me 200 mijë euro për përdorimin e tij në mënyrë të paligjshme. Të dy kanë ende të drejtën të ankimojnë vendimin.
Pas tërheqjes nga futbolli në vitin 2022, Gerard Piqué iu përkushtua plotësisht biznesit. Nëpërmjet kompanisë së tij Kosmos, ai u përfshi në organizimin e Kupës Davis në tenis, Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite dhe krijimin e garës së futbollit me pesë lojtarë “Kings League”, e cila është kthyer në një fenomen ndërkombëtar.

