
Pasi u përcaktuan skuadrat çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve, siç tashmë është bërë zakon, superkompjuteri Opta bëri parashikimet e radhës për skuadrën që mund të fitojë trofeun prestigjoz.
Një parashikim që e ka bërë duke marrë për bazë shumë variabla mes të cilave; pikën e fortë dhe atë të dobët të secilave prej skuadrave, seritë e rezultateve historike, precedentët dhe indekset e rendimentit. Kështu, Arsenali që luan ndaj Sportingut vazhdon të jetë favoriti kryesor me 78.71% shanse për të kaluar në gjysmëfinale, 51.3% për të kaluar në finale dhe 29.73% për të fituar trofeun.
Pas londinezëve, në vendin e dytë në klasifikimin e veçantë vjen Bayerni i Mynihut që do të përballet me Realin e Madridit me 59.56% shanse për të kaluar në gjysmëfinale, 36.43% shanse për të arritur në finalke dhe 18.33% për të fituar trofeun. Podiumin e veçantë e plotëson Barcelona që do të përballet me Atletico Madrid me 66.47% shanse për kualifikim në gjysmëfinale, 30.18% për kalimin në finale dhe me 15.66% shanse për të fituar turneun. Katalanasit pasohen nga Paris Saint Germain që në çerekfinale do të kenë përballë Liverpool me parizienët që kanë 56.25% mundësi për të arritur gjysmëfinalen, 25.54% për finalen dhe 11.87% për fitoren e Ligës së Kampioneve.
Reali i Madridit është i pesti në këtë klasifikim me Los Blancos që në çerekfinale do të kenë pikërisht Bayernin dhe kështu shanset e spanjollëve për të kaluar në gjysmëfinale janë 40.44%, për kalimin në finale 21.5% dhe për triumfin final shanset janë 9. 85%. Liverpool që do të përballet me PSG, sipas Opta ka 43.75% për të arritur gjysmëfinalen, 16.53% për finalen dhe 7.12% për të fituar Ligën e Kampioneve. Dy klubet e fundit janë Atletico Madrid dhe Sporting Lisbonë. Skuadra e Simeones ka 33.53% shanse që të eliminojë Barcelonën e të kalojë në gjysmëfinale, 10.55% për të kaluar në finale dhe 4.41% për të fituar trofeun, ndërsa skuadra portugeze e Sportingut, ka vetëm 21.29% për të kaluar Arsenalin dhe arritur gjysmëfinalen, 7.97% shanse për të kaluar në finale dhe vetëm 3.03% për triumfin final në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Evropë. Versus.al

