Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi dy ditë më parë nxjerrjen në shitje të biletave për ndeshjen me Letoninë që do të luhet më 9 shtator në kuadër të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.
Grupi i tifozëve ultras të njohur edhe si “Tifozët Kuq e Zi” kanë reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ku u bëjnë thirrje tifozëve që të bojkotojnë ndeshjen për shkak të përjashtimit që FSHF u ka bërë si pasojë e qëndrimit të tyre kundër kampionatit të përbashkët me Serbinë për Europianin U21.
Ata e quajnë të turpshme heshtjen e lojtarëve të Kombëtares shqiptare.
Reagimi i plotë:
Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen kualifikuese ndaj Letonisë në Tiranë dhe si për çudi, me çmime të ulëta, nga frika se do t’u mbesin karriget bosh. I njohim mirë këto lëvizje. Është ndeshja e katërt radhazi ku FSHF na ka përjashtuar haptazi, duke na margjinalizuar dhe stigmatizuar qëllimisht. Nuk është rastësi, është vendim politik inatçor!
Ky përjashtim nuk ka të bëjë me sjellje. Ka të bëjë me qëndrimin tonë. Ne patëm guximin të themi JO bashkëorganizimit të Kampionatit Europian U21 me Serbinë, në një kohë kur ky bashkëpunim fyes e turpërues u prezantua si sukses. Për këtë, TKZ është ndëshkuar dhe etiketuar. Kjo është e vërteta që duan ta fshehin.
Edhe më shqetësuese është heshtja e turpshme e lojtarëve të Kombëtares. Nuk presim të na duartrokasin. Por të paktën të mos harrojnë kush i ka ndjekur në çdo cep të Europës. Kush i ka ngritur kur janë rrëzuar. Kush ka derdhur zë dhe pasion për ta , pa pagesë, pa sponsorë, pa interesa. Sot, kur padrejtësia është e hapur, ata zgjedhin të heshtin dhe t’i shërbejnë qorrazi një federate që përjashton popullin nga Kombëtarja e vet.
Për këtë arsye, Tifozat Kuq e Zi ju ftojnë të #mosSHKONI ndaj Letonisë.
Jo ndaj fanellës, por ndaj atyre që e përdorin atë për interesa personale dhe që duan stadiume plot me heshtje. Le t’i mbushë FSHF tribunat me modele që marrin bileta me një SMS. Le të kënaqet me versionin “VIP” të Kombëtares, ku bukuria vlen më shumë se zëri, dhe marketingu ka më shumë peshë se përkushtimi. Kombëtarja është e popullit. Jo e sponsorëve. Jo e klientelës. Jo e zëdhënësve të heshtur. Versus.al







